Kryeministria ka reaguar menjëherë pas deklaratës së dhënë nga Presidenca, në përgjigje të kërkesës së tij të dytë per dekretimin e Sandër Lleshit si Ministër i Brendshem.

Endri-Fuga

Me nje deklarate te bere nga drejtori i Komunikimit të Kryeministrit, Endri Fuga, “Rama e përshëndet përpjekjen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të kërkuar “përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese, ndaj të gjitha çështjeve”.

Ne deklarate thuhet se “Kryeministri Edi Rama, e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do të marrë përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht”.

Reagimi i Fugës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e përshëndet përpjekjen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të kërkuar “përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese, ndaj të gjitha çështjeve”, që sipas tij, Presidenti i Republikës, “nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim”, siç shprehet Presidenti përmes zëdhënësit, lidhur me dekretimin e Ministrit të Brendshëm.

Duke nënvizuar se “herën e pare”, Presidenti i Republikës nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri, përkundrazi ka qene Kryeministri qe i ka kërkuar një takim sqarues Presidentit, pas letrës së dërguar nga ky i fundit për të shprehur refuzimin e paargumentuar të gjeneral Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm, Kryeministri Edi Rama, e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do të marrë përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht.

Jo vetëm kaq, po në funksion te adresimit shterues të problemit, që Presidenti i Republikës nuk e ka ngritur si problem në bisedën me Kryeministrin, por e ka ngritur shkresërisht, në formë pyetësori drejtuar Ministres së Mbrojtjes, vetëm dje, Presidenti do të marrë bashkë me përgjigjet edhe një zgjidhje shteruese, e cila nuk lë më asnjë shteg për interpretime të asnjë lloji. Për asnjë palë.

Duke shprehur besimin se në këtë proces të ri, ku Kuvendi ka padiskutim fjalën e fundit pas Kryeministrit e Presidentit, Presidenti i Republikës, nuk do të ketë asnjë arsye të lëkundet në bindjen e vet për respektimin e Kushtetutës dhe do ta dekretojë Ministrin e Brendshëm, Kryeministri i Shqipërisë do të bashkëpunoje me durim e me përkushtim të plotë me Presidentin e Republikës, për ta ngjitur me sukses krisjen kushtetuese që ka sjellë e shtuna e shkuar.

17