Genc Ruli ishte një prej figurave të Partisë Demokratike që u përfshi në të ashtuquajturin grupi i të pakënaqurve me Lulzim Bashën. Ish-ministri i Bujqësisë njoftoi pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës se nuk do të rikandidonte për postin e deputetit, por pavarësisht kësaj, ai kritikoi Bashën për vendimin për të lënë jashtë listës shumë figura të njohura të PD-së.
Sot konfirmohet se Ruli dhe Basha e kanë gjetur gjiuhën e përbashkët dhe ish-ministri ka qenë i pranishëm në selinë blu. Ata u filmuan edhe në ceremoninë e inaugurimit të bustit të Pjetër Arbnorit, ku nuk ngurruan të shkëmbenin batuta midis tyre.
Rolin e ndërmjetësuesit të takimit e ka luajtur Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, gjithashtu kritik i kryetarit të PD.
Rikthimi i Rulit dhe Mustafajt në PD konfirmon se demokratët po bashkojnë familjen e tyre për t’u përgatitur për një betejë të rëndësishme, zgjedhjet lokale të vitit 2019-të.
Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha ka bërë disa herë thirrje që kritikët e Bashës të rikthehen në parti sepse konfliktet dhe diferencat mund të sheshohen vetëm nëpërmjet diskutimit brenda strukturave.