Deputeti kroat që kundërshton Amerikën ka një porosi për politikanët kosovarë

Autori i dy librave “Si është krijuar paraja” dhe “Mekanika e Parasë”, Ivan Pernar, është njëri prej politikanëve më interesantë në skenën politike kroate. Si deputet në Kuvendin e Republikës së Kroacisë, ai njihet për qëndrimet e tij kontroverse, qoftë për sa i përket politikës së brendshme, po aq edhe asaj të jashtme.

Ai është shfaqur në skenën politike në 2011-n, si aktivist i ri, organizator i protestave të para në Zagreb, me synim rrëzimin e ish-kryeministres kroate, Jadranka Kosor. Pernar ka lindur në Zagreb dhe ka lidhje familjare me ish-deputetin e Kuvendit Popullor të ish-Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, Ivan Pernar i plagosur me 1928 në Kuvend nga Punisha Raçiq.

Në hapat  e parë politikë si aktivist i Aksionit të Gjelbër ku ka qenë edhe anëtar ish-partisë së Franjo Tuxhmanit, (HDZ) Bashkësia Demokratike Kroate, nga e cila më pastaj është larguar, ka vjelë përvojat e para politike. Si deputet i legjislaturës aktuale të Saborit (lex: Kuvendit) kroat ka ardhur nga subjekti i tij politik, “Muri i gjallë (Živi zid).

Nga oponentët politikë të tij, sidomos për shkak të formatit që ai përfaqëson, Pernar shpeshherë është cilësuar sa i çmendur po aq edhe kontrovers, e madje edhe dorë e zgjatur e Rusisë. Ai hapur ka treguar se është kundërshtar i madh i politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke qenë se mediet kryesore vendore patën provuar që ta injorojnë, Pernar kishte nuhatur fuqinë e rrjeteve sociale, ku censura gati sa nuk ekziston dhe me një dozë të imponimit të tij, si dhe komunikimit specifik që ka, iu hapën dyert ndaj publikut, duke depërtuar me prezantime edhe në mediet botërore. Është intervistuar nga media të ndryshme evropiane, amerikane e edhe ruse. Ai në një debat televiziv kishte thënë se “Nëse mediet janë të gatshme të bëjnë show e cirkus, unë jam i gatshëm të bëhem kloun”.

Në një intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, Pernar flet për Kroacinë dhe sfidat e saj, politikën e drejtuar nga kryeministri Andrej Pllenkoviq, Serbinë, simpatinë e tij me politikën ruse dhe kundërshtimin ndaj politikës amerikane, NATO-n e BE-në. Po ashtu Pernar komenton edhe lidershipin politik të Kosovës dhe atë se kush është armiku më i madh i Kosovës dhe popullit të saj.

Ndër të tjera, deputeti kroat Ivan Pernar thotë për “Gazeta e Re” se “në politikë ka shumë pak njerëz që e flasin të vërtetën” dhe se “politika është puna më e ndyrë dhe më e rëndësishmja e ditëve të sodit”. Kurse për rrugën në të cilën po shkon Republika e Kroacisë, nën drejtimin e kryeministrit Andrej Pllenkoviq thotë se “Kroacia po shkon drejtë rrugës së nënçmimit, rrugës së shërbimit ndaj pronarëve të huaj”.

GeR: Z. Pernar, ju jeni një politikan i ri dhe disi jashtë formatit të cilin jemi mësuar ta shohim. Çka do të thotë të jesh një politikan si Ivan Pernar?

Pernar: Të jesh një politikan si Ivan Pernar do të thotë të flasësh të vërtetën, e cila e vërtetë, nuk u konvenon të tjerëve. Kjo do të thotë të jesh i dashur nga populli e i urryer nga pushteti. Në politikë ka shumë pak njerëz që e thonë të vërtetën dhe problemi tjetër është padituria.

GeR: Për ju, na kanë thënë se më shumë i parapëlqeni dhe i përkrahni politikat ruse. Cili është komenti juaj në këtë?

Pernar: Unë e përkrahë politikën ruse në kuadër të kornizave që pajtohem, kurse për ato që nuk pajtohem nuk i përkrahë.

GeR: Kur flasim për politikat amerikane, jemi njoftuar se jeni kundërshtar i madh i tyre. A është e vërtetë kjo?

Pernar: Me asnjë politikë amerikane nuk pajtohem. Ajo është vetëm e keqja. Siç ka thënë Imam Homeini, Amerika është djall i madh, që lufton kundër lirisë dhe kundër vullnetit të popujve për vetëvendosje. Shikojeni vetëm Palestinën, çka ju bëjnë atyre njerëzve. Mbajeni në mend, ata janë të njëjtit që flasin përralla për lirinë.

GeR: A ka Rusia ndonjë ndikim në politikën kroate?

Pernar: Rusia nuk ka asnjë ndikim në politikën kroate.

GeR: Cilat janë sfidat e Kroacisë sot?

Pernar: Sfida kryesore e Kroacisë është tek tentimi i të qenit shtet sovran e i cili e ka Kushtetutën dhe ligjet e veta dhe që sjell vendime, të cilat shkojnë në interes të qytetarëve të saj. Kjo është sfida kryesore.

GeR: Vendi juaj është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Nga përvoja juaj çka do të thotë të jetosh në një shtet i cili është anëtar i këtyre mekanizmave ndërkombëtarë?

Pernar: Kjo do të thotë, kur flasim për NATO-n, të merrni pjesë në agresion ndaj vendeve tjera. Për shembull Kroacia si anëtare e NATO-s, e ka dhënë dritën e gjelbër të sulmohet Libia. Ndërsa kur flasim për Bashkimin Evropian, vije deri te largimi i popullatës së re nga vendi, ngase shteti nuk është në gjendje t’i zgjidh problemet e tyre. Thjesht ndodhë de-popullimi i vendit, pra zvogëlimi i numrit të popullatës.

GeR: Kroacia ishte ndër vendet e para që e ka pranuar Republikën e Kosovës. Çka mund t’i ndihmojë Republika e Kroacisë asaj të Kosovës?

Pernar: Ndihmën më të madhe Kosovës mund t’ia japin politikanët kosovarë. Pra, ata janë që duhet të krijojnë e forcojnë institucione të cilat Kosovën do ta bënin shtet dhe njëra nga ato institucione është edhe Banka Qendrore. Pra nuk është në pyetje çka mundet Kroacia t’i ndihmojë Kosovës, por se çka kosovarët mund të bëjnë. Për fat të keq Qeveria e Kosovës drejtohet nga njerëzit që janë lojalë ndaj Amerikës.

GeR: Nga perspektiva kroate çka do të thotë Kosova?

Pernar: Nuk mund të flas se çka është Kosova nga perspektiva e Kroacisë, por vetëm nga perspektiva e Ivan Pernarit dhe nga kjo perspektivë, Kosova është protektorat amerikan dhe poligon të cilin ajo e shfrytëzon për interesa të veta.

GeR: Cili është mendimi dhe komenti juaj për politikanët e Kosovës?

Pernar: Politikanët tuaj në Kosovë, çështja është a e dinë apo nuk e dinë, se duhet të punojnë në shtrirjen e një sovraniteti më të mirë. Sa më parë ta keni Bankën Qendrore dhe të keni paranë tuaj, e cila e mban forcën reale të ekonomisë tuaj. Nëse këtë nuk e bëjnë sa më parë, do të ngelni kështu si jeni, një treg transporti i drogës dhe me rrethanat ekonomike në të cilat jeni, nuk ka shans për zhvillim e përparim. Armiqtë më të mëdhenj të popullit kosovar janë politikanët tuaj që i shërbejnë Amerikës dhe të cilët nuk duan që Kosova ta ketë bankën e vet qendrore, e cila do të mund të kishte paranë e vet, pa pasur nevojë për të marr kredi, dhe e cila do të ishte realisht në shërbim të popullit kosovar. Gjithashtu të mos shiten burimet e juaja të pasura natyrore e të cilat u jepen të huajve në menaxhim.

GeR: Kur jemi te fqinjësia, Serbia po vazhdon me politika de-konstruktive ndaj fqinjëve të vet. Si e shihni ju të ardhmen e Ballkanit me një fqinjë siç është Serbia?

Pernar: Serbia ka kapitulluar. Ajo e ka humbur luftën dhe tek tani duhet t’i shërojë plagët e veta. Ajo ka rënë pre e politikave të çmendura.

GeR: Dhe për fund, cili është ndikimi i Kishës dhe religjionit në politikat e vendeve të Ballkanit?

Pernar: Ndikimi i religjionit në politikë është i madh. Ajo është dora e zgjatur e politikës dhe nuk ka shans të ndahet në një të ardhme të afërt. E kjo nga se njerëzit janë bërë budallenj meqenëse kanë rënë pre duke iu besuar autoriteteve fetare dhe atë jo nga këndi i religjionit por edhe ai politik.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne