Der Spiegel: Të vetë burgosurit e një rebelimi, grupi kultist MEK që lufton kundër Iranit

nga Luisa Hommerich.

Në afërsi të një rruge në veriperëndim të Shqipërisë ndodhet një kamp në të cilin jetojnë në mënyrë shumë të çuditshme një grup i madh burrash dhe grash që gjenden të zënë me përgatitjet për të rrëzuar regjimin iranian. Tri herë në javë, shumë prej tyre praktikojnë prerjen e fytit, thyerjen e duarve, nxjerrjen e syve me anë të gishtave dhe stërviten për të ashtuquajturën buzëqeshja Glasgow, që përfshin prerjen e faqes nga njëri cep i gojës deri në drejtim të veshit. Kjo është një nga ngjarjet që na u tregua së fundmi nga një ish-anëtar i grupit.

Kampi i rrethuar nga gardhe të larta, që ka afërsisht madhësinë e 50 fushave të futbollit, ndodhet vetëm 35 minuta me makinë larg nga lokalet plot gjallëri të qendrës së Tiranës, megjithatë njerëzit brenda tij jetojnë në një kapsulë kohore. Ish anëtarët e grupit raportojnë se shumica e 2,000 banorëve të kampit nuk lejohen që të mbajnë telefona, ora ose kalendarë, megjithëse anëtarët e organizatës që drejtojnë kampin i mohojnë këto pretendime.

“Vajza ime jeton diku aty brenda,” thotë Mostafa Mohammadi, një 61 vjeçar iranian me ballë të gjerë dhe sy të futura thellë. Emri i saj është Somajeh, një grua 38 vjeçare. Babai i saj, që jeton në Kanada, thotë se ajo është duke u mbajtur në kamp kundër vullnetin të saj, dhe për këtë arsye ka kaluar disa muaj në Shqipëri vitin e kaluar. Gjatë një takimi atje, ai tha: “Nuk kam asnjë lloj lidhjeje me politikën. Ju lutem, dua thjesht të shoh vajzën time”.

Ashtu sikurse të tjerët në kamp edhe Somajeh Mohammadi është anëtare e Muxhahedinëve të Popullit (MEK), dikur një grup militant opozitar iranian që ishte listuar deri në vitin 2012 nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa si një grup terrorist. Megjithatë, këto ditë, disa anëtarë të administratës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump po e mbështesin grupin, që zakonisht njihet shkurtimisht me emrin MEK. Si administrata ashtu edhe MEK, në fund të fundit duan që të shohin fundin e regjimit aktual iranian, ndërsa tani që grupi i muxhahedinëve ka edhe mbështetjen e Uashingtonit, me sa duket shpresojnë se më në fund ka ardhur koha.

Në margjinat e konferencës së Lindjes së Mesme në Varshavë, e cila filloi të mërkurën, presidenti izraelit Benjamin Netanyahu foli për një “luftë” të mundshme me Iranin. Dhe në një tubim të MEK-ut në Varshavë, avokati i Trumpit, Rudy Giuliani, bëri thirrje për ndryshimin e regjimit në Teheran.

Për gati 30 vjet, mijëra anëtarë të Muxhahidinëve të Popullit jetuan në mërgim në Irak, por në vitin 2013 shumica e tyre u shpërngulën në Shqipëri. Dhe që nga viti 2017, grupi jeton në kampin e izoluar afër Tiranës.

Rritja e ndikimit

Që kur grupi se bashku me biznesin e tij u vendosën në Shqipëri, gjithnjë e më shumë anëtarë kanë dezertuar. Disa tregojnë për torturat në kamp dhe përvojat me seancat në grup, ku secili anëtar detyrohej të tregonte hapur për fantazitë e tij seksuale. Gratë thuhet se janë të detyruara që të mbajnë shami. Dhe të gjitha këto ndodhin në emër të një udhëheqësi fantazmë me emrin Masoud Rajavi, i cili nuk është parë që nga viti 2003. Në fakt për atë nuk dihet asgjë e qartë, nëse është ende gjallë apo ka vdekur; fotot e viteve 90 tregojnë një burrë me mustaqe dhe me uniformë të gjelbër.

Rezidentët e kampit janë vetëm një pjesë e lëvizjes, e cila udhëhiqet nga Maryam Rajavi, gruaja e udhëheqësit të zhdukur. 65-vjeçarja udhëton rregullisht nga Shqipëria për në zyrën e saj në Paris, nga e cila udhëheq krahun politik të grupit, Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i cili është aktiv në Evropë dhe në SHBA. NCRI është strukturuar si një lloj qeverie e përkohshme, e gatshme për të marrë shpejt pushtetin në Teheran në një moment që regjimi aktual të jetë rrëzuar. Grupi ka zyra në shumë kryeqytete, duke përfshirë edhe një në Uashington jo shumë larg Shtëpisë së Bardhë. Në Berlin, NCRI ka një zyrë në zonën Wilmersdorf, e pozicionuar afër qendrës së kryeqytetit në jugperëndim të tij. Lëvizja në Gjermani ka vetëm disa qindra anëtarë, por në mbarë botën numëron disa mijëra anëtarë.

Maryam Rajavi, president-elect of the National Council of Resistance of Iran (NCRI) and the leader of the People’s Mujahedin of Iran, the largest Iranian opposition group in exile, attends an interview with Reuters in Auvers-sur-Oise, France, February 7, 2019. Picture taken February 7, 2019. REUTERS/Philippe Wojazer

Ata janë provuar të jenë lobistë të aftë, pasi kanë fituar mbështetës me ndikim përgjatë viteve të fundit. Sekretari amerikan i transportit Elaine Chao, këshilltari për sigurinë kombëtare John Bolton dhe Giuliani kanë folur të gjithë nëpër eventet e NCRI-së dhe ata të gjithë e shohin grupin si një alternativë të besueshme ndaj regjimit aktual në Teheran.

“Mullahët duhet të ikin, ajetollahët duhet të ikin dhe ata duhet të zëvendësohen nga një qeveri demokratike, që e përfaqëson Zonja Rajavi”, tha Giuliani në një tubim të përvitshëm të NCRI-së në Paris në qershor të vitit 2018. Ai tha se një ndryshim i tillë i regjimit mund të vinte së shpejti: “Vitin tjetër dua që këtë konventë ta kemi në Teheran!” tha ai. Dyshja Giuliani dhe Bolton e kanë vizituar grupin në Shqipëri, ndërsa të hënën e kaluar, në 40 vjetorin e Revolucionit Iranian, këshilltari i sigurisë kombëtare lëshoi një video mesazh që i drejtohej udhëheqësit suprem iranian Ali Khameneit, në të cilin ai thoshte: “Unë nuk mendoj se ju do të keni më shumë përvjetorë të tjerë për të shijuar.”

Pra kush janë aleatët e Trumpit brenda kampit të panjohur? Dy statuja luanësh ruajnë portën e madhe prej hekuri në hyrje të kampit, ndërsa rojet thërrasin “Jo, jo!” nëse ndokush ndalon para saj. Tre burra dalin para portës dhe refuzojnë t’i përgjigjen çdo lloj pyetjeje, duke premtuar se përgjigjen për kërkesën për intervistë do ta japin ditën tjetër. Por askush nuk të merr në telefon.

DER SPIEGEL nuk mori asnjë përgjigje nga Muxhahedinët e Popullit ose nga NCRI-a në kërkesat paraprake për intervistim para vizitës, as nga Tirana, as nga Parisi dhe as nga Berlini. Një avokat që përfaqëson grupin nuk pranoi gjithashtu edhe të diskutonte për rastin e Somajeh Mohammadit. Në të vërtetë grupi u përgjigj vetëm kur DER SPIEGEL dërgoi një email ku përshkruheshin akuzat që ishin bërë kundër tij. Një zëdhënës i NCRI-së në Berlin i mohoi të gjitha. Në faqet e saj të internetit organizata pretendon se lufton për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe ndarjen e thellë të fesë nga shteti iranian. “Ne duam një sistem pluralist, liri për partitë dhe një asamble”, thuhet për shembull në një artikull të titulluar “Plani dhjetë pikësh i Merjem Rajavit për Iranin e ardhshëm”.

Deklaratat thonë që sapo Muxhahedinët e Popullit të kenë marrë pushtetin në Iran, çdo gjë do të përmirësohet menjëherë. Por raportimet e atyre që kanë përjetuar jetën brenda kampit nuk pasqyrojnë këtë mesazh. Në vend të kësaj, ata duket se janë të burgosur të vetë rebelimit të tyre.

‘Gënjeshtra, manipulim dhe frikë’

Natyrisht që është e pamohueshme që regjimi në Teheran dhe Muxhahedinët i Popullit të jenë angazhuar në një luftë propagandistike prandaj priten edhe gënjeshtra nga të dyja palët. Por DER SPIEGEL ka folur me 15 ish banorë të kampit, me disa prej tyre madje edhe për disa orë, dhe historitë e tyre janë pothuajse të ngjashme në një pikë të rëndësishme: Organizata në thelb është një sekt nga i cili është e vështirë të shpëtosh.

Gholamreza Shekari, një burrë i thatë 50-vjeçar me faqe të futura, thotë se ka kaluar 27 vite si anëtar i Muxhahedinëve të Popullit, duke shtuar se “fytyra e organizatës në publik është liberale, ndërsa nga brenda funksionon me anë të mashtrimeve, manipulimeve dhe frikës.”

Shekari u bë pjesë e grupit të luftëtarëve që në moshen 20 vjeçare, me sa duket ashtu sikurse edhe shumë të tjerë përmes premtimeve të rreme. Në vitin 1988, gjatë luftës Iran-Irak, ai kaloi nëpërmjet kufirit të Irakut ku u takua me anëtarët e Muxhahedinëve të Popullit. “Ata më folën për lirinë dhe demokracinë për Iranin”, thotë Shekari. “Dhe pastaj më premtuan se do të më ndihmonin për të marrë një vizë për në Europë”. Ai i besoi ata.

Më vonë, thotë ai, ata i morën dokumentet e tij dhe i thanë se nëse do të largohej nga grupi do të përfundonte në një burg tortuarsh të Irakut. Një zëdhënës i organizatës e hedh poshtë pretendimin dhe e quan një “skenar filmi qesharak dhe fiktiv”.

“Ata na thanë gënjeshtra që të siguronin bindjen tonë”, thotë Shekari. “Ne na ruanin dhe na detyruan që të shkëputnim kontaktet me familjet tona”. Pretendimet se luftëtarët janë ndaluar të mbajnë kontakte me familjet e tyre janë “gënjeshtra të pabaza”, thotë organizata.

Shekari thotë se ai vazhdimisht i pyeste se kur do të lejohej që të largohej. Por kjo doli të ishte një gabim: Sipas Human Rights Watch, në mesin e viteve 90 organizata filloi torturimin e anëtarëve që donin të largoheshin nga grupi ose që bënin pyetje të rrezikshme.

“Ata më fyenin sikur të isha spiun, mi godisnin kërcinjtë e këmbëve derisa ato përgjakeshin dhe ma digjnin lëkurën me cigare”, thotë Shekari. Pas një jave, thotë ai, këmbët ishin plotësisht në ngjyrë të zezë. Ai ngre lart xhinkset e tij për të zbuluar plagët që i mbulojnë këmbët.

Më në fund, thotë ai, udhëheqësi Masoud Rajavi i mblodhi të gjithë ata që ishin torturuar. “Ai na kërcënoi se nëse do të flisnim për ato, do të na dorëzonin tek irakienët, gjë që do të thoshte tortura shtesë ose vdekje”.

Grupi mohon pretendimet për tortura

Në ballafaqimin me këto akuza, zëdhënësi i organizatës në Gjermani thotë se “as në vitet 90, as para dhe as pas tyre, grupi nuk i ka mbajtur anëtarët e tij të burgosur apo që ti ketë torturuar”.

Përkundër këtyre të gjithave, Shekari mbeti në organizatë edhe për 23 vite, gjë që më së miri mund të shpjegohet si rezultat i shpëlarjes së trurit. Vetëm pasi mbërriti në Shqipëri, ju mundësua që në shtator 2016 të largohej nga grupi. Tani ai jeton në një apartament të mobiluar me ka oriendi në Tiranë dhe merr mbështetje financiare nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Ai nuk ka shumë zgjedhje, por të qëndrojë aty ku është, sepse si iranian që është marrjen e një vize e ka shumë të vështirë dhe ka shumë vende në të cilat nuk i lejohet që të udhëtojë.

Pasi u largua nga grupi, ai thotë se për një gjysmë viti kishte marrë nga grupi gati 350 euro në muaj, “kështu që unë të mbyllja gojën”, thotë Shekari. “Organizata pretendon se jemi të gjithë agjentë, kështu që askush nuk na beson”, thotë ai. “Por unë nuk punoj për askënd.”

Muxhahedinët e Popullit merrnin fonde nga diktatori i dikurshëm iraken Sadam Husein, por këto kohë, mbështetësit e grupit mbledhin donacione dhe shpesh mund të shihen edhe në zonat e këmbësorëve të qyteteve gjermane, duke u treguar kalimtarëve fotografi nga ekzekutimet në Iran. Ata veprojnë nën mbulesën e organizatave me emra si “Shoqata për Shpresën e së Ardhmes” ose “Organizata e Ndihmës për të Drejtat e Njeriut në Iran”. Sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, agjencia e brendshme e inteligjencës së Gjermanisë, thuhet se këto dhe grupe të tjera janë të lidhura me Muxhahedinët e Popullit. Në një mesazh të shkruar për DER SPIEGEL në lidhje me financimin e kampit, grupi shkruan: “Të gjitha shpenzimet mbulohen nga mbështetësit e rezistencës brenda dhe jashtë Iranit”.

Ekspertët e sigurisë besojnë se SHBA-ja, Arabia Saudite dhe Izraeli i japin grupit mbështetje financiare, megjithatë për këtë supozim nuk ka prova. Organizata shkruan: “Ne nuk kemi marrë as edhe një euro të vetme nga ndonjë qeveri”.

Një ‘revolucion ideologjik’

Transformimi në një organizatë të tipit sekt mund të shpjegohet nga historia. Pas përmbysjes së shahut, grupi militant, ende antiamerikan në atë kohë, humbi luftën pasuese për pushtet dhe u persekutua nga regjimi fetar nën udhëheqjen e Ajatollah Khomeinit. Anëtarët u larguan për në Irak, nga ku filluan te kryenin sulme terroriste në Iran dhe luftuan kundër vendit të tyre në luftën Iran-Irak.

Duke u frikësuar se grupi mund të shpërbëhej, udhëheqësi Masoud Rajavi nisi në vitin 1985 atë që ai e quajti një “revolucion ideologjik”. Ai u martua me gruan e një të besuari dhe i detyroi gjithë të tjerët që të divorcoheshin, ndërsa fëmijët i dërguan jashtë. Besnikët, përveç atyre të udhëheqësit të grupit, nuk do të toleroheshin më, dhe kjo ishte koha kur filloi te ngrihej kulti i personalitetit që rrethonte Rajavin dhe gruan e tij të re Maryamin. Ende sot, shumë nga anëtarët e kampit vazhdojnë të mbajnë varëse në qafë me foto të udhëheqësit të tyre.

Hera e fundit që Masoud Rajavi u pa ishte marsi i vitit 2003, pak para se bombat e para amerikane të fillonin të binin mbi Bagdad. Megjithatë Maryam Rajavi vazhdon të flasë për burrin e saj sikur ai të jetë ende gjallë. Jo shumë kohë pas fillimit të pushtimit të Irakut në vitin 2003, amerikanët pushtuan kampin e Muxhahedinëve të Popullit dhe e çarmatosën grupin. Shumë shpejt mbas kësaj organizata filloi të pretendonte se ajo mbështeste SHBA-në, edhe pse pak kohë më parë kishte luftuar në emrin e Sadam Huseinit.

Çarmatosjes së grupit do ti kishte erdhur fundi, por figurat amerikane të linjave të ashpra të asaj kohe si sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe zëvendës presidenti Dick Cheney donin ta përdornin grupin si një levë kundër Iranit. Ndërkohë, në vitin 2002, grupi kishte punuar me shërbimin sekret izraelit Mossad për të zbuluar fillimin e pasurimit të uraniumit në mënyrë të fshehtë nga Irani.

Në vitin 2007, njësi nga Muxhahedinët e Popullit filluan të merrnin trajnime në një kompleks ushtarak amerikan në shkretëtirën e Nevadës, edhe pse grupi në atë kohë ishte ende i listuar nga Uashingtoni si një organizatë terroriste. Ndërsa tani, administrata Trump ka marrë qëndrimin që Muxhahedinët e Popullit kanë kërkuar prej vitesh: një qëndrim të ashpër kundër Iranit. Grupi beson se për këtë ka ndikuar edhe roli i tij: Kur Trump braktisi marrëveshjen bërthamore me Iranin në maj, komandantët e grupit festuan sikur të kishin fituar një fitore tepër të madhe.

Lista e mbështetësve të tyre aktualisht është më e gjatë se ajo që ka qenë ndonjëherë më parë, përfshirë këtu edhe senatorë të shumtë amerikanë, anëtarë të ushtrisë amerikane dhe personalitete të aparatit të sigurisë. Ish-shefi i inteligjencës së Arabisë Saudite, Turki Bin Faisal al Saud, është gjithashtu një nga mbështetësit. Në Parlamentin Evropian, një grup i quajtur Miqtë e një Irani të Lirë, në emër të Muxhahedinëve të Popullit, punon për mbrojtjen e grupit, ashtu sikurse edhe në parlamentin federal gjerman Bundestag vepron një grup shumëpartiak i quajtur Komiteti i Solidaritetit Gjerman për një Iran të Lirë.

FILE PHOTO: Rudy Giuliani is seen ahead of U.S. President Donald Trump introducing his Supreme Court nominee in the East Room of the White House in Washington, U.S., July 9, 2018. REUTERS/Leah Millis/File Photo

Në tetor, Martin Patzelt, një deputete nga Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) i Kancelares Angela Merkel, vizitoi kampin në Shqipëri së bashku me ish presidenten e Bundestagut, Rita Süssmuth, gjithashtu nga CDU. Süssmuth u entuziazmua nga “kultura e gjallë dhe e gëzuar” që gjeti në mesin e Muxhahedinëve të Popullit, duke shtuar se shërbimi sekret iranian kishte propaganduar në mënyrë të përsëritur për “gjëra të tmerrshme” lidhur me grupin.

Muxhahedinët e Popullit i kanë hedhur poshtë kryesisht të gjitha akuzat duke i konsideruar propagandë të Teheranit. Dhe kjo ka qenë një strategji efektive, për shkak se pjesërisht Irani e ka persekutuar brutalisht grupin në të kaluarën dhe ka ekzekutuar mijëra ndjekës të tij.

Situatë lufte

Nga përshkrimet bëra nga ata që kanë dalë nga organizata, të lihet përshtypja se grupi vazhdimisht gjendet në një situatë lufte. Në çdo dhomë flenë nga tetë anëtarë dhe u duhet që të ngrihen në orët 4:30 dhe 5:00 të mëngjesit. Përveç trajnimeve për luftë, ata kujdesen gjithashtu edhe për projektet e ndërtimit të kampit. Dezertorët thonë gjithashtu se rreth një mijë anëtarë punojnë në të ashtuquajturin “divizioni kompjuterik”, ku thuhet se përdorin llogari të rreme në Twitter dhe Facebook për të postuar propagandë pro-organizatës. Disa të tjerë thonë se anëtarët përdorin programin e Telegramit për të tërhequr rekrutë të rinj iranianë që të bashkohen me ta në Shqipëri.

Zëdhënësi i grupit që kundërshton pretendimet se organizata drejton një ushtri kibernetike thotë se akuzat janë thjesht një “përpjekje për të fshehur llogaritë e rreme që i përkasin regjimit iranian”.

Ish anëtarët e grupit thonë se në kamp gjenden rreth 200 komandantë të cilët herë pas here lexojnë letra të udhëheqësit të tyre të zhdukur të cilat përfshijnë citate si: “Mos kini frikë, fitorja është e jona, ne do të jemi në Iran”.

Pyetja se pse qeveria shqiptare e toleron grupin iraniab në vendin e tij është një pyetje të cilën Ministria e Brendshme në Tiranë nuk është e gatshme që ti përgjigjet. Por dokumentet e qeverisë amerikane e bëjnë mëse të qartë se pse Muxhahedinët e Popullit kanë përfunduar në Shqipëri.

Pas rënies së Sadam Huseinit në vitin 2003, situata për ta u bë gjithnjë e më e rrezikshme. Gjatë kohës së saj në detyrë, Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton u përpoq në gjetjen e një zgjidhjeje së bashku me Kombet e Bashkuara dhe si përfundim Shqipëria ra dakord që të pranonte një numër anëtarësh të grupit. Në këmbim, SHBA dhuroi 20 milionë dollarë për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe u zotua për të ndihmuar në zhvillimin e Shqipërisë.

Duke filluar nga viti 2013, udhëheqësit e grupit filluan të blinin gjithnjë e më shumë toka dhe si përfundim ndërtuan kampin, duke përfshirë dhjetra kontejnerë të bardhë dhe ndërtesa gri dykatëshe. Aty gjendet një kuzhinë e madhe, një furrë, një studio muzikore, një qendër kompjuterike dhe një qëndër stomatologjike, të paktën nga cfarë dimë sipas një videoje propagandistike. Në një nga videot e pakta mund të shihet brenda kampit edhe Somajeh Mohammadi, femra të cilën babai i saj po përpiqet që ta lirojë që prej 21 vitesh. Në video ajo paraqitet me uniformë dhe me shami duke u intervistuar nga dy gazetarë shqiptarë. Ajo thotë se babai i saj është një agjent i regjimit iranian dhe këmbëngul se dëshiron që të qëndrojë në kamp. “Këtu është një vend i lirë, nëse dua të shkoj diku, unë mundem të shkoj”.

Historia që i babai i saj tregon është një histori e mbështetur nga dokumente dhe materiale filmike dhe tingëllon krejt ndryshe. Mohamadi vetë ka qënë një mbështetës i vjetër i organizatës dhe ka mbledhur donacione për grupin në Kanada, vendin në të cilin jeton që prej vitit 1994. Kur Somajeh ishte 17 vjeç, një grua nga organizata i ofroi asaj një “udhëtim të shkurtër” në kampin e tyre në Irak.

‘Organizata nuk të jep asgjë’

Somajeh nuk u kthye kurrë. Organizata dërgoi një regjistrim në kasetë të Somajes ku thoshte se kishte vendosur që të qëndronte në kamp. Babai i saj thotë se organizata e joshi atë që të shkonte në vende të ndryshme të botës me premtimin se do të mund të shihte të bijën, por në vend të kësaj e përdori atë nëpër demonstratat e grupit. “Organizata nuk të jep asgjë pa marrë diçka në kthim,” thotë Mohamadi.

Në një video të qershorit 2003, Mohamadi shihet përpara ambasadës franceze në Ottawa, me sa duket i spërkatur me benzinë teksa bën gati një shkrepse për ti vënë zjarrin vetes, por ndërkohë një gazetar që gjendet aty pranë ja heq me të shpejtë shkrepsen nga dora. Gjatë kësaj kohe, liderja e grupit Maryam Rajavi qëndronte në paraburgim në Francë për dyshime lidhur me terrorizmin, ndërsa mbështetësit e saj protestues në shumë vende të botës kishin filluar të digjnin vetet e tyre para ambasadave franceze në shenjë proteste. Për shkak se edhe ai kishte qenë i vendosur dhe i përgatitur për të bërë të njëjtën gjë, Mohammadi ishte konsideruar që nga ai moment një hero brenda grupit. Madje u lejua të vizitonte edhe vajzën e tij brenda në kamp. Megjithatë ai u distancua përfundimisht nga grupi dhe filloi të filmonte gjithçka në një përpjekje për të mbledhur sa më shumë dëshmi që ajo po mbahej kundër vullnetit të saj.

Më 17 tetor 2013, Somajeh i dërgoi një letër autoriteteve kanadeze, në të cilën ajo shkruante: “Ju lutem më ndihmoni të kthehem në vendin tim të mëparshëm, në Kanada, sa më shpejt që të jetë e mundur”. Por Somajeh nuk ka pasaportë kanadeze dhe autoritetet nuk ishin në gjendje që ta ndihmonin atë.

Por me sa duket, ajo ndërroi mendje përsëri dhe në një libër të publikuar në emër të saj në formatin dokument PDF, ajo pretendonte se dëshironte që të qëndrojë me Muxhahedinët e Popullit.

“Kush e di se cfarë mund ti kenë bërë asaj”, thotë babai i saj./derspiegel/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne