Dëshmi e fortë e Gjergj Hanit/ “Isha 16 vjeç kur më dënoi Spartak Braho”

Ish- i dënuari politik tregon si u kap në kufi duke u arratisur një muaj pasi vdiq diktatori dhe si vuajti dy dënime me burg në Qafë-Bari, nën dhunën e komandantit të kampit Edmond Caja.

Gjergj Hani ishte vetëm 16 vjeç kur vdiq diktatori Enver Hoxha dhe 1 muaj pas vdekjes së tij mori guximin të kalonte kufirin vetëm, për t’i ikur komunizmit, jetës së ndrydhur ku jetonte familja e tij dhe një popull i tërë. Gjergji ishte me fat sepse plumbat që u derdhën mbi të natën e 27 Majit në liqenin e Pogradecit nuk e kapën, por pasi “fitoi” jetën ai kishte përpara ferrin e burgut komunist. Ishte akoma fëmijë kur doli në bankën e të akuzuarve si “armik i popullit” dhe dënimin e tij e firmosi Spartak Braho, sot deputet i Partisë Socialiste. Për Hanin, Braho ishte një instrument i diktaturës komuniste dhe nuk ndjen asnjë lloj zemërimi personal ndaj tij, por dënimi që i dha do të ishte nisja e një kalvari vuajtjesh, që mbaruan vetëm me rënien e sistemin komunist.

‘Isha 16 vjeç kur më dënoi Spartak Braho’, Dëshmia rrëngjethëse e Gjergj Hanit

Ndërkohë që Braho e dënonte, bashkëshortja e tij, mësuese Yllka, e quante “nxënësin e shkëlqyer”. Në dosjen e tij hetimore ai është surprizuar ku ka gjetur letrën e mësueses, e vetmja që e kishte mbrojtur, kur histeria kolektive kundër tij në gjyq e portretizuan si “djalin me vese, si armikun e rrezikshëm të partisë”.

Hani e vuajti dënimin në burgun më të egër të asaj kohe, atë të Qafë-Barit, ku terrori dhe dhuna e vendosur nga komandanti i kampit, Edmond Caja, ishin të paimagjinueshme. Në një intervistë dhënë për Kujto.al ai tregon ditën e arratisjes, dënimin dhe dhunën në kampin e Qafë-Barit.

Z.Hani mbani mend si e organizuat arratisjen, kishit kohë që e mendonit?

Kisha një kohë relativisht të gjatë që e mendoja, megjithëse po të kemi parasysh moshën që isha vetëm 16 vjeç dhe shumë e gjatë nuk ishte. Duke ardhur nga një familje thellësisht antikomuniste, urrejtja, urrejtja është fjalë e madhe po pakënaqësia karshi sistemit ishte e gjithkohshme tek unë. Të them të drejtën në momentin e vdekjes së Enver Hoxhës pata një shpresë të jashtëzakonshme se gjërat do të ndryshonin. Natyrisht që ishte një shpresë naive i një fëmije se asgjë nuk mund të ndryshonte, po pashë që menjëherë qoftë edhe pak ditë pas vdekjes së Enver Hoxhës, masat represive të sistemit komunist u përkeqësuan, u përshkallëzuan.

Mund të na tregoni detajet si u nisët, si u kapët? E organizuat me të tjerë planin, i treguat nënës tuaj?

Image

Jo. Absolutisht nuk e bisedova me asnjeri se megjithëse e dija që familja ime ishte antikomuniste përsëri nuk do të më lejonin absolutisht që të ndërmerrja një hap të tillë se dihej se po shkoje drejt vdekjes. Ideja për t’u arratisur, për të tentuar për të kaluar kufirin nga zona e Linit, liqenit të Pogradecit më lindi në shkollë sepse rastësisht, ishte një hartë topografike e Shqipërisë e detajuar. Edhe duke e studiuar me kujdes pashë që zona e kufirit së cilës mund t’i afrohesha më me pak probleme ishte pikërisht ajo zonë sepse treni në atë kohë shkonte deri në Gurë të Kuq të Pogradecit dhe nga aty mund të tentoja t’i afrohesha fshatit Lin. Ishte pika më e afërt se në pikat e tjera ishte e pamundur që në brezin e parë nuk afroheshe dot.

Shkova në Fier te të afërmit e mi. I hipa trenit, zbrita në Rrogozhinë, në Rrogozhinë prita trenin që vinte nga Tirana në Gurë të Kuq dhe u nisa e mbërrita në Gurë të Kuq. Kur mbërrita në Gurë i kam hipur autobusit që shkonte nga Guri i Kuq për në Lin. Atë e bëra në mënyrë të pavetëdijshme se kisha fare idenë që në Lin ishte zonë kufitare, fshati Lin edhe kontrollohej. Zbrita nga autobusi hyra në fshatin Lin, u futa në një dyqan aty, ishin në atë kohë dyqane e artikujve të përzier, ku kishte nga vaji i ullirit te llokumet ose ndonjë copë ç’mund të kishte atje brenda, dhe pashë që kishte kapertona biçiklete dhe thashë gjithsesi edhe po më kapën do të them që erdha të blej kopertona biçikletash, se nuk gjendeshin më në treg.

Prita sa ra muzgu e mora përpjetë se thashë se tani duhet të largohem nga fshati dhe të gjej mënyrën se si të kapërcej kufirin. Dola mbi disa kodrina të vogla si tip lartësish të vogla përballë fshatit Lin dhe u futa mes shkurreve dhe po prisja që të binte darka e të futesha për të dalë në liqen. Kur sapo u ngrys pashë trupat e patrullat speciale të forcave të kufirit që erdhën dhe u futën mes grurit ushtarët të ndarë në toga në tre grupe. I pashë, e thashë se nuk kam shans të zbres për të hyrë në liqen, po vazhdoj kufirin me këmbë në të majtën time. U nisa në orën 10 të darkës mbasi kam ecur nuk e di se sa po jo më shumë se një kilometër, gjeta brezin e butë, një brez toke i punuar imët, ku të ngeleshin detyrimisht gjurmët e këmbëve. E kalova brezin e butë dhe hasa klonin, klonin e famshëm. E pashë që kishte dhe kokat me izolant lart e mendova se kalonte një rrymë, një sinjal. U përpoqa një moment mos gërmoja tokën poshtë klonit, por aty ishte shumë e fortë e unë nuk kisha absolutisht asnjë lloj mjeti tjetër përveç duarve. E pashë që do të më hante shumë kohë dhe nuk e di nëse do t’ia dilja. Kështu që mendova që të mos humbisja kohë, dhe zbrita përgjatë klonit e ndoqa klonin deri në fund. Kur arrita pranë portës së klonit, matanë portës së klonit unë e pashë nga një distancë prej 7-8 metrash larg edhe nga ai pozicion ai nuk më shikonte dot se ishte mbështetur mbas një peme, ishte ushtari, i cili ishte ulur në bisht, kishte mbështetur edhe kallashin para vetes e po flinte gjumë. Iu shmanga atij ushtarit, ishte një tufë kallamishtes aty në breg të liqenit, u futa mes kallamishteve, hoqa rrobat dhe hyra që të vazhdoja me not. Në momentin që fillova të notoja, aty po të shikosh formën gjeografike të zonës është një gadishull i vogël fare në zonën e Linit dhe në cep të tij ishte një prozhektor i madh lëvizës që rrihte vetëm këtë gjirin e vogël. Aty pika e kufirit ishte shumë afër. Fillimisht kur u futa e kisha në krahun tim të djathtë prozhektorin dhe sa herë më afrohesh zhytesha ngadalë poshtë që të mos krijoja shumë dallgë e të mos ngjallte dyshime. Edhe nja dy tri herë iu shmanga prozhektorit në një moment të caktuar se ishte shumë ftohtë, ishte uji i ftohtë se ishte fundi i muajt Maji e ishin ujërat e ftohta të liqenit që ftoheshin edhe më shumë nga bora e shkrirë. Edhe e humba, thashë kam notuar gjatë në këtë drejtim, e thashë po kthehem kështu e po i bie për shkurt në krahun e majtë. Harrova që pas më vinte prozhektori, më kapi prozhektori në atë kohë, më pa edhe ushtari nga bregu. Në gjyq ushtari tha që të thirra ndal, po nuk thirri ndal, po qëlloi për të më vrarë. Qëlloi direkt në lartësi njeriu për të më vrarë. Çuditërisht në momente të tilla njeriu, jo vetëm që nuk e humbet toruan, po truri i punon me një shpejtësi të frikshme. Bëra dy llogari, sidoqoftë klonin e kam kaluar jam shumë afër zonës jugosllave, dhe ndërkohë dëgjova zhurmën e motorbarkës që po afrohej e kufirit shqiptar. Ndërkohë nga ana jugosllave sapo u dëgjuan krismat e para, lëshuan raketa ndriçuese edhe e bënë vendin ditë. Ata donin të shikonin se mos unë e kisha kaluar kufirin e isha futur në kufirin e tyre dhe të mos futeshin këta të kufirit shqiptar për të më kapur. Thashë po kthehem në breg e po vazhdoj me këmbë gjithsesi klonin e kam kaluar sido që të jetë, këta do të përqendrohen në ujë e do të më kërkojnë aty kështu që kam më shumë mundësi. U futa mes kallamishteve dhe ndalova një moment se dëgjova këmbë ushtarësh që po vinin me vrap, pastaj e mora vesh që ishte patrulla e gatshme që po shkonte nga posta drejt portës së klonit. Prita 2-3 minuta sa u larguan ato këmbë edhe tentova të dal. Në momentin që dilja ishte një rrip toke as dy metra e menjëherë fillonte pyll, shkurre e ferra. Po të kisha kaluar unë kisha shpëtuar. Në momentin që dola unë nuk e ndjeva duke qenë tokë e shkelur po vinte një ushtar tek pull i vetëm. Nuk ia dëgjoja hapat se ata që kalonin me vrap më parë i dëgjoja po ky ishte me hap e nuk e dëgjova e u përballa me të direkt. Më thirri ndal me sa kishte në kokë dhe më qëlloi. Nuk e di mund të më kenë kaluar plumbat dy-tre centimetra mbi kokë. Natyrisht që edhe ai u tremb se edhe ai ishte fëmijë për vete, 18 vjeç ishte.

Më çuan në Degën e Punëve të Brendshme, në postën e kufirit erdhi kryetari i punëve të brendshme të Pogradecit. Edhe çuditërisht nuk i ndjeja më të rrahurat, isha mpirë. Si duket truri adapton mënyra mbrojtëse për të të ruajtur. Nuk ndieja absolutisht asgjë. Gjëra e parë që bënë, ishte që më lidhën duart mbrapa me tel, se ata nuk kishin pranga po kishin një tel të veçantë që përdorej për shkelësit e mundshëm të kufirit që do të kapnin. Momentalisht nuk është se kishin mjete përveç grushtave, por ishin në breshëri e vinin nga të gjitha anët. Dukej sikur i kishte kapur një histeri kolektive, diçka e pashpjegueshme. Edhe ndaluan vetëm kur erdhi kryetari i degës. Më lanë 4-5 minuta. Dërgoi një nga ushtarët që të merrte rrobat andej nga i kisha lënë unë. Më veshën edhe pastaj ai filloi me ritualin e parë të pyetjeve. “Ku do shkoje, do t’i bëje homazhe Titos?”.

Filluan aty praktikat hetimore e mbas dy javësh një pasdite erdhën e më morën me një mjet Zuk. Më shtrinë në tokë, në dyshemenë e Zukut e një polic më mbante këmbën në gjoks që unë të mos kisha mundësi të lëvizja. Nga Pogradeci deri në degën e punëve të brendshme, Durrës, kam ardhur ashtu në atë gjendje i shtrirë, i lidhur.

Nga gjyqi çfarë mban mend, si u zhvillua gjyqi?

Gjyqi ishte tamam në shpirtin e asaj kohe. Ishte një farsë e vërtetë propagandistike. Megjithëse ma bënë në gjykatë dhe u quajt gjyq me dyer të hapura, po i tillë nuk ishte se në të vërtetë ishin të gjithë të ftuar e nuk lejohej çdokush. Ishin të ftuar të gjithë drejtorët e shkollave të mesme të Durrësit, komplet trupi pedagogjik i gjimnazit “Naim Frashëri”, nxënës i të cilit unë kisha qenë, edhe organizata e rinisë së shkollës. Edhe diçka tjetër që është qershia mbi tortë e hipokrizisë komuniste se duke qenë se unë isha nën moshë, isha minoren, më kishin caktuar edhe një avokat mbrojtës. E kam harruar emrin e asaj gruaje, diku nga letrat që kam në shtëpi është emri i saj. Kishte ardhur si avokate mbrojtëse, e cila nuk foli asnjë fjalë, vetëm në fund bëri një rezyme të asaj të cilës tha prokurori asgjë më shumë e asgjë më pak, ku i kërkoi trupit gjykues që të më ulë disi dënimin, gjë që trupi gjykues nuk e bëri. Kryetar i trupit gjykues ishte Spartak Braho. Është një dualizëm i jashtëzakonshëm midis figurës së tij, të Spartak Brahos dhe së shoqes së tij. Ka qenë një histori e çuditshme e imja për faktin e thjeshtë se kisha Spartak Brahon si gjyqtar, i cili më dënoi po njëkohësisht kisha gruan e tij, Anita Yllin, si mësuese kujdestare në gjimnaz, dy antipode të jashtëzakonshme. Pa diskutuar edhe prejardhjen se edhe Anita Ylli, mbesë e Karaman Yllit, padyshim që vinte nga një familje ultra komuniste. Megjithatë në raport me mua ka shprehur një përkujdesje, një dashuri të veçantë, të jashtëzakonshme, edhe unë nuk mund ta fsheh për hir të së vërtetës ishte një njeri që vërtet e kam dashur shumë. Mua më ishte gjendur gjithmonë dhe po ta vësh re nga kartat gjyqësore, ndërkohë që trupi gjykues e prokurori mundohej të më paraqiste si njeri problematik. Natyrisht unë duhej të isha mishërimi i veseve për të qenë një “armik i denjë” në thonjëza i partisë dhe i pushtetit. Karakteristikat që më kishte dhënë Anita Ylli ishin të shkëlqyera, fliste me superlativa. Unë kam edhe origjinalin e saj, ku thoshte se “Gjergji ka qenë fëmijë i jashtëzakonshëm, ka ardhur nga shkolla 8-vjeçare me 9-ta e 10-ta, ka qenë një fëmijë shumë i disponueshëm, disi i trishtë, disi i tërhequr si fëmijë, por një fëmijë jashtëzakonisht i mirë”. Unë në atë kohë nuk e dija karakteristikën që më kishte dhënë Anita Ylli, e shoqja e Spartak Brahos, por më vonë tani kur mora dosjen gjyqësore e pashë dhe them të drejtën u habita disi, por edhe për mirë. Duhen thënë gjërat ashtu siç janë.

Me sa vite u dënuat dhe ku e vuajtët dënimin?

Image

U dënova me 10 vjet heqje lirie. Duke qenë nën moshë dënimi u përgjysmua në 5 vjet meqenëse isha minoren dhe dënimin e kreva në Qafë-Bari në Tuç të Pukës. Kam mbërritur në Tuç të Pukës në 22 nëntor të vitit 1985, një vit mbas revoltës. Që në momentin që qesh në kaush të Tiranës atje ku bëhesh dhe shpërndarja e të burgosurve nëpër kampe, të gjithë të burgosurit që takova më thoshin ishalla të do Perëndia e të dërgojnë në Spaç, apo diku tjetër, e jo në Qafë-Bari. Në këtë rast Perëndia nuk më deshi dhe më çuan në Qafë-Bari. Imagjinoni që të udhëtosh rreth 8 orë me autoburgun një kazan hekuri i mbyllur, nuk kisha as mundësi ajrosje. Ku janë 8 a 10 vetë të lidhur dorë më dorë me një zinxhir të gjatë, natyrisht ato rrugë të vështira të paasfaltuara, 8 orë rrugë, njerëz që nuk e përballonin, i zinte makina, nuk di të them se ç’kishte aty brenda. Të mbërrish në ato kushte, të zbresësh dhe gjëja e parë që shikon janë 2 rreshta me polica që të presin nga dera e rrethimit të parë tek dera e rrethimit të dytë. Nuk e dija se çfarë ishte karantina po në atë kohë të gjithë të burgosurit që vinin nga burgu i Tiranës i mbanin një javë në karantinë. Edhe për të vajtur në karantinë nuk na prekën këmbët në dhe, sa ishim aty, nuk e di se si mbërritëm aty, por është me të vërtetë e çuditshme që në ato momente me të vërtetë nuk ndjen gjë.

Nga të rrahurat, shqelma, grushta që fluturonin nga të gjitha anët, nuk e dije nga të vinte, i çoroditur ishe, i lodhur ishe. Ajo ishte pritja, kartëvizita e Edmond Cajës, komandantit të Qafë-Barit ose siç i thoshte një bashkëvuajtësi ynë, Osman Gazepi, në mënyrë jo shumë të përshtatshme se mendoj se Osman Gazepi nuk ka qenë një personazh i tillë. Pastaj ndodhi që në ’86 Ramiz Alia bëri një amnisti shumë të gjerë për të burgosurit ordinerë dhe shumë të ngushtë për të burgosurit politikë. Megjithatë mua më kapi se isha nën moshë dhe dënuar 5 vjet dhe u lirova në Janar të ’86-ës. Sapo dola më lanë sa mbusha 18 vjeç dhe kësaj radhe nuk mund të gabonin më. Jo ta arrestojmë minoren, ta lëmë të mbushi 18 vjeç, të ketë përgjegjësinë e plotë ligjore, dhe më arrestuan për herë të dytë për “përgatitje për arratisje” dhe për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Më dënuan 11 vjet burg, përsëri më çuan në Qafë-Bari.

Çfarë kujton nga Qafë-Bari, nga njerëzit, nga të burgosurit e tjerë, nga sjellja e policëve të kampit?

Klima që mbijetonte në Qafë-Bari pas revoltës, si të thuash, Qafa e Barit pas revoltës u kthye në kampin model për sa i përket këndvështrimit komunist të një kampi model ku do të mbizotëronte terrori, dhuna, frika. Ishte një kërcënim i jashtëzakonshëm për çdo të burgosur që t’i thoje shiko se do të të çoj në Qafë-Bari, ndoshta diçka më pak se Burreli. Edhe Burreli burg i frikshëm, por dhe Qafa e Barit po e njëjtave përmasave pas revoltës që u bë aty. Këto kohët e fundit unë kam ndjekur edhe polemikat e ish-komandantit të Qafë-Barit, Edmond Caja, që kur e shikoj sot çuditërisht më vjen në mend romani i gazetares me origjinë hebreje Hannah Arendt, “Banaliteti i së keqes”. Kur e shikon sot Mond Cajën të thuash ky se unë e kam në mend me atë uniformën e zezë të policisë dhe kapelen e ulur strehën e kapeles që i mbulonte gati sytë, që nuk shikonte kënd në sy, me ato çizmet e lustruara që hynte atje brenda dhe për një kapriço të tij më të vogël kalonin menjëherë në dhunë të gjithë rrodvailerat e tij. Se ata nuk kishin sembianca njerëzore, por ishin thjesht qen të trajnuar për të shqyer e për të rrahur, ku shquhej sigurisht dhe shefi i tij i policisë Ludovik Cali. Ishte një klimë territori, një klimë frike 24 orë në 24. Për shembull, raste banale, e përmbante një rregullore e pashkruar e burgut dhe natyrisht që policët ta kërkonin që ti kur kaloje përballë një polici të shërbimit, padyshim para një oficeri po e po, duhej të hiqje kapelen nga koka. Ne të burgosurit, ata që dinin të qepnin, të sajonin diçka, sajonin ca kapele nga kapotat e vjetra të prisje një copë nga kapota jote se një kapotë të tërë nuk kishe ku ta gjeje, sajonin një kapele se dimri ishte shumë i ftohtë. Pra ti duhej të hiqje kapelen sa herë kaloje përballë ose polici kalonte përballë teje. Një nga policët e Mond Cajës, shumë të tjerë, po ai që më vjen ndërmend, vinte na provokonte pas kurrizit. Natyrisht që askush nuk ka sy mbas koke për ta parë dhe të qëllonte duke thënë pse nuk e hoqe kapelen ose të piketonin që ti duhej të shkoje në birucë e nuk lodheshin shumë. Mëngjes për mëngjes kur bënin inspektimin e kapanoneve të fjetjes edhe nëse ti ta kishe rregulluar krevatin si kuti shkrepëseje, ai e prishte dhe thoshte nuk e ke rregulluar mirë e të çonte 30 ditë në birucë minimalisht.

Në birucë ekzistonte ai rregulli i pashkruar që tre herë në ditë që do të të sillnin ushqimin, tre herë në ditë do të rriheshe. Dhe me një cinizëm të frikshëm të pyeste kur e do drurin para buke apo pas buke dhe e keqja më e madhe ishte jo ti që rriheshe po në qoftë se ishe biruca e 2 ose e 3 dhe dëgjoje shokun tënd që po rrihesh, se në momentin që vinin që të rrihnin ty hynin në lojë shumë mekanizma mbrojtës krijohet ajo mpirja e famshme, të cilën ju fola pak më parë. Tortura më e madhe ishte të dëgjoje shokun që rrihej, natyrisht që edhe ulërinte. Edhe kjo ishte një praktikë që vazhdoi deri në fundin e vitit 1989 fillimi ’90, pastaj dhuna disi u zbut, por deri në fillim të vitit ’90 kjo ishte praktika e punës pa llogaritur pastaj punën në minierë apo ditët e diela që duhet të dilje se ishte dita e Enverit dhe ti duhej të dilje e të bëje dyfishin e normës, po të mos e bëje vazhdonte po prapë druri, do haje bukë e do ktheheshe prapë në minierë për ta bërë. Nuk e harroj historinë e një të burgosuri aty që nuk pranoi që të dilte në punë, atë mbas 6 muaj biruce e çuan në burgun e Burrelit, tani nuk më vjen ndërmend emri, e rrahën në mënyrë të tillë që ai nuk urinonte më në këmbë si çdo mashkull, e dëmtuan në mënyrë të përhershme nga organet gjenitale, nuk pranoi absolutisht të dilte në punë dhe i thoshin në fund fare, vetëm dil në punë mos bëj asgjë vetëm dil, që të mos shërbente si shembull që u thyen. Apo rastin tjetër kur kthyen në kamp Beqir Caushaj një bashkëvajtjes i yni që arriti të arratisej nga kampi i Qafë-Barit. Kur e kanë sjellë ato ulërima, ato të rrahura, ishin përtej çdo lloj kufiri. Nuk më pëlqen të ekzagjeroj, megjithatë jam i bindur se një njeri që nuk i ka përjetuar e nuk i ka parë nuk mund t’i kuptojë. Jam liruar në Mars të vitit ’91 nga burgu i Burrelit se na transferuan nga Qafa e Barit për në Burrel. Ka një problem thelbësor që shqiptarët nuk kanë pasur kurrë kurajon që ta shikojnë drejtë e në sy e ta njohin, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, nuk ishte asnjë lloj shtrese tjetër e aftë që të merrte pushtetin në ato momente, natyrisht që po komunistët do ta merrnin, ndryshuan emër, parti. Paradokset janë shumë evidente ende, Skënder Gjinushi u bë kryetar i Partisë Social-Demokrate ose Sabri Godo kryetar i Partisë Republikane ose Sali Berisha kryetar i Partisë Demokratike. Megjithatë e përsëris nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Këta mbijetojnë akoma sepse komunizmi është një lloj antimaterie sociale, komunizmi shkatërron, përmbys, ta anulon, ta zhbën çdo lloj vlere njerëzore, ka aftësi të antimateries që kur bie në kontakt me materien e anulon atë, të njëjtat aftësi ka dhe komunizmi e komunistët./Blerina Gjoka /Kujto.al/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne