Votuesit e territorit francez të Kaledonisë së Re e kanë refuzuar pavarësinë Pas numërimit të pjesës më të madhe të votave rezulton se qytetarët atje dëshirojnë të mbeten pjesë e Francës. Pati një fushatë të fortë “pro” shkëputjes në Kaledoninë e Re, të shënuar jo rrallëherë edhe nga episode të dhunshme. Rajoni ka depozita të mëdha nikeli, një përbërës jetik ky për produktet elektronike në Francë, e gjitha zona shihet si aset strategjik ekonomik, por edhe politik. Për shkëputjen u lobua fort dhe nuk ishin të paktë ata që e kërkonin me ngulm. “Për ne të rinjtë nuk ka shumë mundësi sot, vendet e punës mungojnë. Nëse do ta drejtojmë vete vendin, do të kemi oportunitete më të mëdha”, u shpreh Fabrice Ude. Por në fund, triumfoi krahu tjetër. “Votova “jo”. Nuk kam frikë nga Pavarësia, por jam shumë e lidhur me Francën, i detyrohemi shumë”, u shpreh Michaele Mikena, banore. Në këtë territor në lindje të Australisë ka rreth 175.000 persona me të drejtë vote; Kanakët autoktonë përbejnë 39% të popullsisë. Por nacionalizmi francez është shumë i fuqishëm mes evropianëve etnike që janë gati 27,1%, dhe sipas vëzhguesve edhe disa kanakë e kanë mbështetur qëndrimin me Francën.

9