DETAJE/ Nga deputetët te kandidatët, si do të dorëzohen mandatet e PD

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur të mbështesë vendimin politik të Grupit Parlamentar Demokrat për djegie të mandateve.

Duke e cilësuar si akt ekstrem, por të domosdoshëm për situatën, në të cilën ndodhet vendi, kryesia e PD-së vendosi që t’ia kalojë vendimmarrjen përfundimtare Këshillit Kombëtar të PD-së në lidhje me djegien e mandateve.

Në mbledhjen e kryesisë së PD-së u diskutua edhe lidhur me modalitetet se si ligjvënësit e opozitës do të heqin dorë nga mandatet parlamentare të marra në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Një grup pune i përbërë nga juristët Gazment Bardhi, Çlirim Gjata, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Arben Ristani dhe Ivi Kaso, janë duke punuar për një dokument që të ketë gjithë vlerën juridike për ta përkthyer vendimin politik të PD-së dhe opozitës së bashkuar në një akt të rregullt ligjor.

PROCEDURA

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së PD-së është rënë dakord që 43 mandatet e Partisë Demokratike të dorëzohen përmes deklarimeve individuale nga çdo deputet. Deklarata, e cila pritet të jetë gati ditën e sotme pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, do të jetë e të njëjtit format për të gjithë deputetët.

Sipas burimeve nga grupi i punës, deklarata do të jetë e formatuar me një tekst politik që shpreh edhe motivet politike, për të cilat ligjvënësi heq dorë nga mandati i marrë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

“Akti formal i dorëzimit do të jetë një deklaratë me motivacion politik përse deputetët heqin dorë nga mandati dhe përse ata që janë në listat shumë emërore për deputetë heqin dorë nga e drejta për t’u konsideruar si kandidatë për deputetë”, sqaruan për “Panorama” burime nga selia blu.

Pra, do të jenë 43 deklarime të deputetëve të PD-së dhe aleatëve që dolën nga listat e demokratëve në zgjedhjet e 25 qershorit, aktet që do të finalizojnë djegien e mandateve. Fillimisht do të jenë deputetët ata që do të firmosin aktet e dorëheqjes dhe më pas do t’i kërkohet edhe të gjithë kandidatëve në listat e PD-së të kryejnë të njëjtën procedurë. Deklarimet e dorëheqjes deputetët do t’i dorëzojnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të jetë ky institucion, i cili do t’ia kalojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta njoftuar edhe mbi vakancat e krijuara.

Ndërkohë që të gjithë kandidatët në listën shumë emërore të PD-së për deputetë aktet e dorëheqjes do t’i dorëzojnë në KQZ. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, deputetët demokratë mbështetën vendimin politik të propozuar nga Basha për djegie të mandateve.

Ky vendim është mbështetur edhe nga të gjithë aleatët opozitarë, përfshirë edhe LSI, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të djegur mandatet parlamentare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne