DETAJE/ Studentët, gati për protestë: Qeveria deformoi kërkesat, 90% e tyre nuk u plotësuan

Ecuria e zbatimit të “Paktit për universitetin”, tre muaj pas linçimit të tij nga qeveria, duket se do të rikthejë në rrugë studentët.

Ata shprehen të zhgënjyer për faktin se mbi 90% e kërkesave të tyre nuk janë plotësuar ose janë deformuar dhe plotësuar pak. Paralajmërimin e bëjnë këshillat studentorë të shtatë universiteteve: ai i Tiranës, Politeknikut, Bujqësorit, Universiteti i Mjekësisë, i Korçës, Elbasanit dhe Durrësit, në mbledhjen e një dite më parë.

PAKËNAQËSITË

Ndonëse pranojnë se qeveria ka punuar me realizimin e pikave që ata kërkonin në krye të herës, përfaqësitë studentore ndalen në ecurinë e disa prej tyre. Edhe pse Kryeministri ua ka bërë të qartë disa herë që nuk ka ndërmend të subvencionojë një program studimi master, studentët këmbëngulin që kjo të ndodhë. Gjithashtu, studentët i kujtojnë qeverisë ueb faqen për transparencën e buxhetit të universiteteve (që u bë publik këtë fillim javë), se duhej të ishte realizuar brenda janarit, siç ata premtuan. Një tjetër pakënaqësi është pesha e votës së tyre, si dhe karta e studentit, për të cilat, sipas tyre, s’ka asnjë hap pozitiv.

“Shkarkimi i anëtarëve të bordeve të administrimit është bërë në mënyrë të pjesshme, pasi ende në disa universitete ata nuk janë shkarkuar.

Gjithashtu, qeveria ka deformuar kërkesën, pasi ne kemi kërkuar përfaqësues të studentëve në bordet e administrimit dhe jo persona të tretë. Sa i përket kartës, pritshmëritë janë që të mos kemi përparim edhe në këtë pikë”, nënvizohet në deklaratën e firmosur nga përfaqësuesit e këshillave studentorë.

PARALAJMËRIMI

Studentët e shohin zgjidhjen te rrëzimi i menjëhershëm i ligjit për arsimin e lartë dhe kërkojnë marrjen me seriozitet të të gjitha kërkesave të tyre, duke lajmëruar rikthimin në rrugë në rast se qeveria vijon me të njëjtin ritëm pune.

“Qeveria ka punuar me paktin, por mbi 90% e kërkesave ose nuk janë plotësuar, ose janë deformuar dhe plotësuar pak. Ne jemi të vendosur që t’i shkojmë deri në fund kauzës sonë, duke paralajmëruar protesta të tjera sa u përket këtyre pikave, por edhe pikave të tjera”, nënvizohet në deklaratën e këshillave studentorë.

Një takim urgjent me ministren e Arsimit, Besa Shahini, dhe një takim mbarëkombëtar studentor mbi situatën në universitetet publike do të jetë hapi i radhës nga ana e tyre.

“PESË PIKAT QË S’PLOTËSOI QEVERIA”

Rikthimin e protestave masive e ka paralajmëruar disa ditë më parë Lëvizja për Universitetin, një ndër aktorët kryesorë të protestës studentore të dhjetorit 2018. Duke marrë shkas nga takimi i Kryeministrit me studentët, LPU thotë se qeveria nuk ka ndërmend t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.

Për të argumentuar këtë ndalet në pesë pika: investime imagjinare në universitete, borde me persona të tjerë, por njësoj të komanduar nga qeveria, ndërhyrja në universitete përmes ministrave përgjegjës, mos rritja e buxhetit dhe asnjë indicie për rrëzimin e ligjit klientelist për arsimin e lartë. Në këto kushte, protestat masive, sipas Lëvizjes, mbeten e vetmja rrugë.

“Studentëve nuk u mbetet veçse të vazhdojnë me më shumë këmbëngulje dhe intensitet procesin e riorganizimit në bazë fakulteti, për të nisur së shpejti një zinxhir protestash masive. Kjo qeveri dhe ky sistem politik marrin vesh vetëm me gjuhën e fuqisë dërrmuese të shumësisë studentore dhe qytetare”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne