/Marie Frederiksen/

Përgjatë viteve 1960 ndodhën një sërë grevash të paparalajmëruara (wild-cat strikes, përkth.) jashtë kuadrit formal të pranuar në procesin e negocimeve. Në shumë prej këtyre grevave, përfshi edhe industrinë, gratë kanë luajtur një rol të rëndësishëm, si për shembull në grevën e Philips-it më 1954 ku pjesa më e madhe e punonjësve ishin gra.

Përgjatë viteve 1960 dhe fillimit të viteve 1970 gratë punëtore përmes betejave artikuluan kërkesa për kushte më të mira pune, paga më të larta dhe në disa raste pagë të barabartë pavarësisht gjinisë. Në vitet 1970 në akte greviste nisën të marrin pjesë grupe të reja, kryesisht nëpunës publikë, shumica e të cilëve ishin gra. Edukatoret, infermieret etj. nisën t’i përdornin aktet greviste si armë.

Një prej grevave më të rëndësishme e të njohura të grave punëtore në vitet 1970-të ishte ajo e femrave të fabrikës së punimeve artistike Royal Porcelain Factory më 1972/73. Ishte një grevë që u kthye në pikë referimi për të gjithë klasën punëtore, e cila prodhoi një solidaritet të madh nga pjesa tjetër e klasës punëtore dhe tregoi se gratë janë padyshim të afta të organizojnë greva.

Rreth 159 gra, ato që pikturonin pjata te Royal Porcelain Factory, u ankuan për kushtet e përkeqësuara të punës, çka kuptonte ulje të pagesës për copë. Drejtuesit e fabrikës ranë dakord të negocionin një marrëveshje të re, por dy javë më vonë e refuzuan atë. Gratë e artistikes refuzuan të punonin me marrëveshjen e vjetër dhe e vazhduan punën sipas marrëveshjes së re. Ato kërkuan që fabrika të plotësonte standardin e njoftimit dy muaj më përpara për përfundimin e marrëveshjeve lokale. Në këto rrethana, drejtuesit e fabrikës i dëbuan gratë për në shtëpi me pretendimin se ato ishin në grevë. Gratë e artistikes u shfaqën çdo ditë në fabrikë dhe kërkonin që të lejoheshin të punonin sipas marrëveshjes së re.

Çështja shkoi në Gjykatën e Punës, e cila e pranoi padinë e grave se fabrika kishte anuluar marrëveshjen në mënyrë të paligjshme. Gjykata e Punës vendosi që fabrika të paguante një gjobë prej 20,000 DKK (krone daneze, përkth.) për ndërprerjen e marrëveshjes lokale në mënyrë të paligjshme, por në të njëjtën kohë vendosi të gjobiste edhe gratë e artistikes me 72,000 DKK për organizim greve së paligjshme – një shembull i qartë i karakterit klasor të Gjykatës së Punës. Gjatë grevës gratë e artistikes, të cilat më herët as që e kishin imagjinuar se do të ndryshonin ndonjë gjë, mësuan shumë gjëra. Ato i treguan vetes dhe pjesës tjetër të klasës punëtore se gratë mund të hidhen në grevë dhe në shumë raste të udhëheqin edhe betejat klasore. Gratë e artistikes takoheshin çdo ditë dhe diskutonin rreth grevës, dhe shumë syresh, që më herët nuk guxonin të thoshin një gjysmë fjale në asamble të mëdha, nisën të përfshihen në diskutime.

Gratë e artistikes organizuan gjithashtu vizita në vende të tjera pune, atje ku ishte mundur, dhe folën rreth grevës së tyre. Gjatë këtyre vizitave korrën mbështetje të jashtëzakonshme si moralisht, edhe financiarisht. U grumbulluan gjithsej 352,311 DKK, që asokohe përbënin një shumë të madhe parash. Vendimi i Gjykatës së Punës shkaktoi një valë dhurimesh spontane në mbarë vendin, gjithsej 60,000 DKK.

Sindikata dhe Organizata e Punës i udhëhoqën negociatat në Gjykatën e Punës pa i përfshirë gratë e artistikes dhe në përgjithësi i trajtuan gratë me përbuzje të jashtëzakonshme. Kur gratë e artistikes kërkuan të dinë se çfarë ishte arbitrazhi profesional, ato morën si përgjigje nga përfaqësuesit e tyre të sindikatës se “ishte një dhomë me një tavolinë e dy karrige. […] Megjithëse jua shpjeguam, ju nuk do ta kuptoni kurrë.” (Thygesen, Erfaringer fra en arbejdskamp, 1974) Presidenti i Organizatës së Punës Thomas Nielsen deklaroi për shtypin se për gjobën aq të madhe faji ishte i grave të artistikes dhe se ato ishin “të trasha, kokëforte dhe tarallake”(Plattepigernes kamp, 1974). Mbështetja e jashtëzakonshme nga vendet e tjera të punës, në anën tjetër, dëshmoi se ndryshe nga përçmimi i udhëheqjes sindikaliste, anëtarët e thjeshtë të sindikatave u solidarizuan me to.

Kur feministët akuzojnë sindikatat se sundohen nga burrat, harrojnë se ka diferenca të mëdha midis udhëheqjes dhe anëtarëve të thjeshtë. Përgjithësisht udhëheqja sillet me arrogancë karshi anëtarëve pavarësisht gjinisë së tyre, por në mënyrë më të theksuar karshi grupeve të margjinalizuara. Çështja është të krijohet një unitet midis anëtarëve të thjeshtë kundër fragmentarizmit të klasës punëtore dhe, për pasojë, të ushtrohet trysni ndaj udhëheqjes.

Greva në vetvete nuk kishte asnjë lidhje me çështjen e gruas, por gjatë saj u shtrua edhe çështja gjinore. Një nga gratë e artistikes shpjegon se si ndodhi: “Me thënë të drejtën, kishte kohë që na kishin hipur mbi shpinë. Nuk duhej të lejoheshin të flisnin me përçmim ndaj nesh, edhe pse jemi vetëm vajza. Vetëm gjatë vitit të fundit jemi ndërgjegjësuar realisht. Jo vetëm si gra, por edhe si qenie njerëzore. Më përpara ishte e paimagjinueshme që gratë të hidheshin në grevë e të hynin në konflikt, por tashmë punët kanë ndryshuar. Shumëkush na ka thënë nuk e prisnin që një grup grash të qëndronin kaq gjatë pa iu dorëzuar armikut. Kjo është qasja anakronike që burrat kanë për gratë. Gjithsesi ka një minimum të vërtete në këtë qasje, pasi gratë e kanë pasur më të vështirë të rezistojnë se burrat. Midis tyre ka shumë nëna që rrisin vetëm fëmijët, përveç faktit se në përgjithësi gratë janë tepër të ngarkuara.” (Thygesen, Erfaringer fra en arbejdskamp, 1974 faqe 66)

Shumë nga gratë vunë re se konflikti u zhvillua në tri fronte: pronarët, sindikata dhe fronti i shtëpisë. Nënat që i rrisnin vetëm fëmijët e kishin të vështirë të përfshiheshin në grevë. Ngjashëm ndodhte edhe me gratë që kishin bashkëshortë për shkak se këta të fundit nuk e kuptonin arsyen e grevës dhe ankoheshin si të lënë pas dore. Gjatë grevës disa prej grave u ndanë prej bashkëshortëve të tyre. Divorcet dhe probleme të tjera familjare i kanë shoqëruar shpesh grevat.

Ta do mendja që kur përfshihen në grevë, gratë nisin të kenë një vetëpërfytyrim shumë të ndryshëm, siç na tregojnë disa prej grave të artistikes kur thonë se ndihen si “të zgjuara nga gjumi”. Ndryshojnë gjithashtu edhe kushtet e jetesës në shtëpi. Për rrjedhojë, disa gra u bënë aktive në sindikatë. Por një grevë e vetme nuk do ta zgjidhë problemin në vetvete; që njerëzit të çlirohen realisht ka nevojë të ngrihemi në një betejë të përgjithshme kundër kapitalizmit. Komenti i mëposhtëm i një prej grave të artistikes e dëshmon më së miri diçka të tillë: “Tani ne u kthyem në punë. Ishte e çuditshme. Isha e mbushur me gëzim, por në të njëjtën kohë ndjeja dhimbje. Do të isha sërish punëtore me mëditje. Supozohej që unë të mos mendoja, të mos flisja ose veproja. Nuk mundesha. Hodha sytë te shoqet e punës. A e kishin edhe ato po aq të vështirë? Nuk mund ta besoja që ne do të ishim sërish makina prodhuese, pa asnjë mundësi për të diskutuar dhe kuptuar se çfarë kishim hequr.” (Thygesen, Erfaringer fra en Arbejdskamp, 1974)

E përktheu Jani Marka/ teza11

Shënime:

* Titulli i përkthyesit. Materiali është një copëz e përkthyer nga “Women’s struggle and class struggle” me autore Marie Frederiksen. Nëntitulli i pjesës së përkthyer është: Greva e femrave të artistikes në vitet 1970. Ngjarjet kanë ndodhur në Danimarkë.

35