A dinit se fjala ‘assassin’ (vrasës) rrjedh nga ‘hashash’? Kush ishin asasin-ët, ose vrasësit e lidhur me hashashin?

Kjo është historia e njërit nga grupet më famëkeqe të Mesjetës, emri i të cilit vazhdon të përdoret edhe sot pas 1000 vjetëve!

Në vitin 1167, Benjamini i Tudelas, një rabin spanjoll, vizitoi Sirinë gjatë një udhëtimi 13-vjeçar në Lindjen e Mesme dhe Azi. Përshkrimi që i bën Sirisë është ndoshta rrëfimi i parë europian për grupin që tmerroi dhe mahniti njëkohësisht Perëndimin: hashashin-ët, ose, siç njihen sot, asasin-ët.

Benjamini i përshkroi si një sekt luftarak, të fshehur në kështjella malore dhe që i bindeshin një udhëheqësi misterioz, të njohur si Plaku i Maleve. Në dy shekujt vijues, udhëtarët dhe kryqtarët që u kthyen nga ato vise sollën gjithashtu rrëfimet e tyre, duke i shtuar hollësira më të çuditshme legjendës së asasin-ëve. Thuhej se ata ishin vrasës profesionistë, të stërvitur që fëmijë se si të fshiheshin dhe maskoheshin, dhe ishin aq të përkushtuar ndaj liderit të tyre, saqë ishin gati të sakrifikonin jetën, majftonte një fjalë e tij.

Ky lloj fanatizmi vinte nga përdorimi i hashashit dhe i terapive të trushplarjes, të shoqëruar me ushqime të mira dhe vajza të bukura.

Pikërisht nga të tilla legjenda, në gjuhët europiane hyri fjala ‘asasin’, me kuptimin ‘vrasës’, sidomos dikush që vret për qëllime politike ose para.

Legjendat me asasin-ët vazhduan në Europë edhe pas epokës së Mesjetës. Ato shfaqen ende edhe sot në kulturën popullore të Perëndimit. Shembulli më i freskët është seria e video-lojërave Kredoja e Asasinëve, me personazhe kryesore asasinët, të cilët janë vrasës të fshehtë e superatletë, të cilët kapërcejnë mure e hidhen nga çatia në çati, duke ndjekur armiqtë e tyre.

Atëherë, sa prej këtyre janë të mbështetura në fakte? A kanë ekzistuar vërtet asasinët?

Po, pak a shumë ishin të vërtetë. Legjendat bazohen të Ismailitët Nizaritë, një degëzim i sektit shiiit Ismailit, që kishte nën kontroll disa kështjella malore në Siri dhe Iran nga fundi i shekullit të 11-të deri në pushtimin mongol, në shekullin e 13-të.

Kështjellën e parë, atë të Alamutit në Iranin verior, e morën prej Perandorisë Sunite të Selxhukëve në vitin 1090. Nisur prej kësaj kështjelle, ata arritën të merrnin edhe kështjella të tjera, duke formuar kështu një mini-shtet të nizaritëve.

Duke qenë shumë më të dobët se kundërshtarët e tyre në përballjet ushtarake konvencionale, nizaritët shfrytëzonin luftën guerile, spiunazhin, infiltrimin në radhët e armikut dhe atentatet ndaj udhëheqësve të armiqve. Një nga viktimat e tyre ishte, për shembull, veziri selxhuk Nizam al Mulk, i cili u ther nga një ushtar nizarit i maskuar si dervish sufi, në vitin 1092. Shenjestër e tyre ishin edhe kryqtarët, si Konradi i Monferatit, që u vra nga nizaritët disa ditë pëpara se të kurorëzohej si mbret i Mbretërisë së Kryqtarëve të Jeruzalemit.

Edhe Plaku i Maleve, lideri i përmendur në legjendat e asasinëve, ishte figurë reale. Emri i tij ishte Rashid al Din Sinani, që udhëhoqi nizaritë për rreth 30 vjet./fryte.net/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne