Dita e Familjes, mbijetesë me bidona e kanaçe

Klara 9-vjeçare po e jeton fëmijërinë e saj në një zonë periferike të lagjes Spitallë të qytetit të Durrësit.

Uji mungon, shpesh edhe ushqimi. I ati është çdo ditë në kërkim të bidonave plastikë dhe kanaçeve për të siguruar të ardhura për tre fëmijët e tij.

E sheh gjithnjë në lëvizje teksa gjen e transporton thesin me bidona, ndërsa puna bëhet gjithnjë e më e vështirë. Armata e mbledhësve është shtuar ndjeshëm. E ëma është e papunë.

“Kam dy goca dhe një çun. Çuni ka qejf që të bëhet futbollist, kurse Klara nuk ka thënë gjë. Vajza e madhe ka dëshirë që të bëhet mësuese. E kalojmë me vuajtje dhe kur kërkojnë ndonjë gjë për të ngrënë që unë s’e kam, filloj e qaj. Ndjehem shumë keq. Nuk marrim as përkrahje sociale”, thotë Behije Keshi, nëna e tre fëmijëve.

Në raftin e ushqimeve ka veç dy pako miell të përgjysmuara dhe sheqer. Behija tregon se nga të ftohtët ka humbur edhe një fëmijë 13 muajsh.

Pavarësisht varfërisë, Behija rrëfen se bashkëshorti Saliu, 39 vjeç bën çmos që ta mbajë familjen së bashku. I rritur vetë jetim atij nuk i janë ndarë fatkeqësitë, por për Klarën prindërit dëshirojnë të jetë ndryshe.

Klara ndjek shkollën në turnin e pasdites. Por në një betejë të përditshme për ushqim, ajo dhe familja e kanë të vështirë të mendojnë për arsimin.

Në Ditën Botërore të Familjes, kur theksi vihet pikërisht tek nevoja për të shkuar në shkollë, Klarës dhe familjes së saj i duhen më shumë se fjalë për t’i bërë të kuptojnë se dija një ditë mund t’ua ndryshojë jetën.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne