Ambasadori Alexandër Karpushin, dha sonte një pritje në Ditën e Rusisë, në ambientet e Hotel Tirana, ku ishin të ftuar diplomatë të akredituar në Tiranë, diplomatë karriere, personalitete të politikës dhe përfaqësues të medias.

Në fjalën e rastit, ambasadori rus Karpushin u shpreh se, Dita e Rusisë, është një festë e rëndësishmë shtetërore në historinë më të re të vendit tonë.

” 12 qershori, shënon fillimin e transformimit rrënjësor, që ka nisur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe është në thelb ditëlindja e Rusisë së re, e cila ka refuzuar ideologjinë komuniste dhe ka ndryshuar modelin e marrëdhënieve ekonomike”, tha Karpushin.

Ambasadori shtoi se, nuk ishte një rrugë e lehtë, procesi i lindjes, formimi i Rusisë së re, por ishte një rrugë e vështirë në tejkalimin e krizave social-ekonomike, por që populli rus ia doli. Ai solli në vëmëndje, fjalimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, një ditë më parë në Moskë, ku citoi se, “Ne të gjithë bashkë kemi arritur ta ruajmë diversitetin unik të popullit të Rusisë, të mos lejojmë harresën dhe zhvlerësimin e parimeve të qytetarisë dhe të patriotizmit, të forcojmë sovranitetin e vendit tonë, dhe t’i përcaktojmë qartë interesat kombëtare të Rusisë”.

Po ashtu, në fjalën e ambasadorit u vlerësua bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Rusisë. “Vlerësimi ynë për gjendjen e tanishme të marrëdhënieve, Rusi-Shqipëri, është në përgjithësi pozitiv”, cilësoi ambasadori rus duke shtuar se, në muajin prill të këtij viti në Tiranë u zhvillua me sukses takimi i bashkë-kryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar, Rusi-Shqipëri për Tregti, Bashkëpunim Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor. Aktualisht, tha ai, po punohet për sezonin e radhës, në vjeshtë të këtij viti.

Ambasadori përmendi bashkëpunimin në arsim, në shkëmbime turistike, duke theksuar vendosjen e linjës direkte të avionit charter midis Moskës dhe Tiranës.

Ambasadori rus Karpushin theksoi faktin se, “shkrimet e shumta në mediat perendimore dhe shqiptare për kërcënimin rus në proceset zgjedhore, përfshirë dhe SHBA, janë absulutisht të pa vërteta dhe absurde.

”Synimi ynë, është një Rusi e fortë dhe e qëndrueshme e hapur për partneritet dhe bashkëpunim”, tha diplomati i lartë rus.

22