Ditët e fundit të atentatorit të Perandorit, Vasil Laçi

Procesi i hetuesisë së Vasil Laçit u krye në një kohë të shpejtë, por akoma më me ngut u zhvillua gjyqi. Dhe në qoftë se hetimi u bë i dyfishtë, nga njerëzit e mbretit dhe të Duçes, akuza dhe gjyqi u shkrinë në një. Atentatori ishte armiku i tyre i përbashket.
Nasho Jorgaqi (Dita)Procesi i hetuesisë së Vasil Laçit u krye në një kohë të shpejtë, por akoma më me ngut u zhvillua gjyqi. Dhe në qoftë se hetimi u bë i dyfishtë, nga njerëzit e mbretit dhe të Duçes, akuza dhe gjyqi u shkrinë në një. Atentatori ishte armiku i tyre i përbashkët. Ai s’kishte pasur qëllim tjetër, veç të qëllonte botërisht mbi pushtuesit e atdheut të tij.

Gjyqi u zhvillua në Tiranë, më 26 maj, nga Gjykata Ushtarake e Forcave të Armatosura të Njisuara. Për t’i dhënë procesit gjyqësor ngjyra “shqiptare”, ai u mbajt në ndërtesën e gjykatës civile në Rrugën e Durrësit, disa metra larg vendit të ngjarjes. Por trupi gjykues përbëhej nga ushtarakë të lartë, krejtësisht italianë dhe asnjë shqiptar, qoftë dhe sa për sy e faqe. Si duket, edhe me këtë hollësi, padronët donin të tregonin se nuk ua falnin shërbëtorëve të tyre shqiptarë atë që ngjau. I vetmi lëshim që bënë qe fakti që “mbrojtjen” e të pandehurit ia ngarkuan kapitenit shqiptar, një farë Pjetër Basha.

Kryetar i trupit gjykues, me dekret të posaçëm mbretëror, u caktua gjeneral Feruci Paganuzzi, kurse prokuror, kryetari i Prokurorisë së Përgjithshme Ushtarake, gjeneral major Umberto Merangini.

Procesi i gjyqit nuk pati vështirësitë e hetimit dhe u zhvillua pa asnjë incident. Masat e sigurimit qenë të rrepta dhe të gjithanshme. gjyqi u bë në fshehtësi të madhe.

Salla e madhe e gjyqit qe e shkretë. Me përjashtim të disa oficerëve madhorë e të ndonjë kuislingu shqiptar, njerëz të tjerë nuk u lejuan. Nuk lejuan as përfaqësues të shtypit të tyre. Vetë autoritetet e vendit, italianë e shqiptarë, nuk e patën të lehtë të asistojnë në këtë gjyq, i cili lidhej me një ngjarje që i ngarkonte ata me përgjegjësi për jetën e sovranit.

Mëngjesin e 26 majit, trupi gjykues hyri në sallë dhe zuri vend pranë një tavoline të mbuluar me një beze ngjyrë kaki. Nën hundën e tyre qëndronte një peshore prej bronzi, simbol i “drejtësisë” romake.

Në bankën e akuzës kishin sjellë me kohë të pandehurit që do të gjykoheshin. Në fillim kishin sjellë Stillon dhe Umberton, kurse pak më vonë sollën Vasilin. Ai erdhi i rrethuar nga një shpurë rojesh të armatosura, i lidhur si zakonisht këmbë e duar me zinxhirë, ndërsa nga pas tërhiqte një pllakë të rëndë metalike. Shenjat e torturave dukeshin në fytyrën e buhavitur dhe nga plagët e freskëta.

Vasali hyri në sallë i qetë, me një vështrim krenar, po në kohën që po bëhej gati të zinte vend, ndodhi diçka “jo e këndshme”. Papritur, ai vuri re Stillon në anë të djathtë, që mezi qëndronte në këmbë, duke u mbajtur për krahu nga dy roje. Vasali, i prekur ngaqë fashistët e kishin torturuar shokun, thirri italisht:

– Të poshtër, katila, ç’kini pasur me të? Pse merrni në qafë njerëz të pafajshëm?

Dikush u sul mbi Vasilin dhe nuk e la të flasë më. Nga tavolina e trupit gjykues, kryetari tundi nervoz zilen. Në sallë mezi u vendos qetësia.

S’kishte kohë për të pritur më. Filloi leximi i akuzës. Ajo i drejtohej kryesisht Vasilit. Të tjerët qëndronin aty vetëm si dëshmitar të akuzës.

Pyetjet e trupit gjykues nisën me Vasilin. Sipas dokumenteve italiane, “i pandehuri përsëriti deklaratat e mëparshme”, po se çfarë ishin këto deklarata, nuk thuhet asgjë. Fakti është se gjykimi u zhvillua me ngut, përciptazi, krejt formalisht. Gjithë sa mund të nxirrej nga i pandehuri qe bërë gjatë hetuesisë.

E megjithatë, Vasili besnik ndaj vetes dhe qëllimit që e kishte frymëzuar, edhe gjatë gjykimit u tregua dinjitoz, guximtar e i prerë. Ai e sqaroi qartë dhe saktë çështjen e blerjes së revoles. Tha se e kishte blerë vetë dhe se në këtë punë nuk ishte ngatërruar Stilloja. Tha se dhe Umbertoja duke e shitur armën, thjeshtë për të paguar hotelin, nuk kishte menduar se çfarë mund të ndodhte me të. Tha se armën e kishte mbajtur për t’u mbrojtur nga keqbërësit… Dhe sa për idenë që me atë armë të qëllonte mbi sovranin, i pandehuri deklaroi se i kishte lindur vetëm ditën kur mbreti kishte shkelur në Shqipëri.

I gjithë kujdesi dhe shqetësimi i Vasilit nuk ishte për vete, po për të tjerët, për ata që ishin sjellë aty për shkak të tij. Ai përsëriti disa herë me gjakftohtësi dhe i bindur duke bërë me dorë nga Stilloja dhe Umbertoja:

– Kot i keni prurë këta këtu, ata nuk kanë asnjë faj. Në qoftë se është njeri fajtor, ky jam unë, vetëm unë.

Kujdesi këmbëngulës i të pandehurit për shokët e bënë trupin gjykues të shkurtojë kohën e pyetjeve. Bile, sa herë ai u dilte në mbrojtje shokëve ose u shmangej pyetjeve të gjykatësve, kryetari i binte ziles.

Pas marrjes në pyetje të të pandehurit u kalua shpejt në dëgjimin e dëshmitarëve të akuzës.

Umbertoja pranoi pa asnjë mëdyshje se i kishte shitur armën. Ai ishte shumë i tronditur, pohonte orë e çast se e ndiente veten fajtor dhe kërkoi prej zotit, madhërisë së tij mbretit dhe trupit gjykues mëshirë, vetëm mëshirë!

Stilloja, i sëmurë e me temperaturë, që mezi qëndronte në këmbë, nuk qe në gjendje t’u përgjigjej pyetjeve të kryetarit. Aq më tepër se e vetmja akuzë që i bëhej atij ishte çështja e armës dhe këtë ia mori përsipër Vasili. Gjatë kësaj kohe, Vasili s’ia ndante sytë shokut. “Atë dashuri e dhimbsuri prej shoku e vëllai që tregoi ai në ato çaste të vështira mund ta kishte vetëm Vasoja”, kujton më vonë Stlloja.

Pasi u dëgjuan dhe dëshmitarët, iu dha fjala prokurorit, i cili mbajti pretencën. Gjeneral Merangini e quajti për detyrë që, para së gjithash, t’i thurte mbretit-perandor, me këtë rast, disa ditirambe përkushtimi e besnikërie, si përgjigje “për fyerjen e bërë madhërisë së tij” dhe shpalli se ndihej tepër i nderuar që gjendej në këtë rast në rolin e interpretuesit të ndjenjës së të gjithëve.

Nga pretenca e prokurorit, çdo njeri i arsyeshëm do të priste që ai të jepte të paktën thelbin e vërtetë të ngjarjes. Dhe ky thelb kishte të bënte me aktin e tij, me faktin e qartë se atentatori kishte pasur si qëllim të vetëm të vriste mbretin-perandor. Mirëpo, për çudi, prokurori orvatej me çdo mënyrë ta shmangte vëmendjen nga kjo e vërtetë fare e qartë dhe ta kalonte në fakte dhe hollësi krejt të dorës së dytë. E gjithë pretenca e tij është një mundim i kotë me fjalë, përmes një retorike e stili pompoz, me një logjikë tipike fashiste e me një arrogancë e vetëkënaqësi prej aristokrati për të “pohuar” e “provuar” se “ai tërbim kriminal” i atentatorit nuk qenkësh drejtuar kundër mbretit, por kundër kryeministrit Shefqet Vërlaci. Duke e falsifikuar në mënyrë flagrante të vërtetën, ai kalon në një arsyetim fare absurd kur thotë se i pandehuri kishte dashur të vrasë kryeministrin shqiptar në prani të mbretit-perandor, me qëllim që “të tërhiqte vëmendjen e sovranit”.

Pjesë e vargut të gënjeshtrave të trilluara në zyrat e mëkëmbësisë mbretërore të OVRA-s ishin dhe shtrembërimi i identitetit të atentatorit dhe falsifikimi i kombësisë së tij. Këto trillime të trasha, që do të përhapë më vonë propaganda zyrtare, për herë të parë do t’i shpallë në pretencën e tij prokurori, kur do ta cilësojë të pandehurin si qytetar shqiptar me kombësi greke dhe emrin e të atit Mihal do ta sllavizojë duke e quajtur Mihaillof.

Por me gjithë silogjizmat e zgjedhura e retorikën e hollë profesionale, prokurori nuk arrin dot të fshehë gjithë të vërtetën. Ai më poshtë do të detyrohet të pranojë se “Fakti mbetet në realitetin e tij të zhveshur” dhe se atentatori kishte një shfrim të papërmbajtur të një zemërimi të thellë, se ai duke pasur si qëllim të vrasë kryeministrin në sy të mbretit “fyente fatalisht madhërinë e tij” dhe me këtë veprim kriminal vinte “në rrezik në mënyrë të ndërgjegjshme (nënvizimi – N.J.) paprekshmërinë e personit august”.

Prokurori kërkon më kot të gjejë shkaqet e këtij akti, kur lëshon pastaj një varg pyetjesh që mbeten deri në fund pa përgjigje:Qe akti i një rebeli të organizuar apo i një fanatiku që vepron vetëm? A ishte i shtyrë nga një ide e caktuar politike? A u armatos vetë apo qenë të tjerë që i dhanë pistoletën në dorë? Kush mund të ishin këta të tjerë dhe deri ku mund të arrinin hallkat e zinxhirit të tyre?”

Edhe pse qëllimi i atentatorit është i qartë si drita e diellit, edhe pse rrethanat konkrete të ngjarjes e shpjegonin pa vështirësi këtë qëllim, nëpunësi i lartë i administratës së pushtuesve tregohet jashtë mase kokëfortë, luan djallëzisht me fjalë dhe orvatet ta turbullojë të vërtetën, duke thirrur në ndihmë aureolën e sovrani august! Por më kot, sepse qoftë edhe një arsyetim anësor e bën atë të bjerë brenda. Ai është i detyruar të pyesë: “Po këto të shtëna, a do të mundin së paku ta plagosnin?” (mbretin – N.J.) Përgjigjen detyrohet ta japë po vetë: “Një pyetje kjo dhe më naive” dhe fton pastaj trupin gjykues të shikojë me kujdes provat materiale “gjurmët e fuqishme të plumbave”, që kanë mbetur në makinën mbretërore e janë sjellë për provë para gjyqit.

E çuditshme, por ja që e vërteta ngre krye edhe nga një dokument i tillë inkuizicioni!

Në fund, prokurori Merangini kërkon pa asnjë hezitim dënimin e atentatorit me vdekje. Dhe për t’i dhënë ngjyra edhe “shqiptare” kësaj farse, për të mos injoruar “mikpritjen” që paria e vendit i rezervoi mbretit, ai e pa të arsyeshme që ta mbyllë pretencën me një ligjëratë letrare, kur pohoi se dënimi me vdekje i fajtorit “do të jetë gjithashtu në përshtatje me një traditë të kësaj toke që mikpritjen e ka si një ndjenjë të paprekshme”.

Në fakt, për mikpritjen shqiptare s’kishte fyerje më të madhe se ky pohim absurd. Prokurori po kërkonte dënimin e një njeriu, i cili me aktin e tij vetëmohues e kishte vënë në vend nderin kombëtar. Ai kishte treguar se paria e kishte shpërdoruar zakonin e lashtë të kësaj toke, se populli shqiptar armiqve gjithnjë u kishte dhënë plumb e kurrë bukë e kripë!Për të mos i lënë dorë jashtë autoritetet kuislinge shqiptare nga ky proces jo i zakontë, të drejtën e mbrojtjes zyrtare ia dhanë oficerit fashist, një farë Pjetër Basha. Dokumentet italiane shkruajnë se nga promemoria e tij rezulton se avokati “nuk u angazhua aq shumë në favor të të pandehurit, në fakt ai u kufizua që të vërë në dukje moshën e re të të pandehurit dhe të kërkojë mëshirën e gjykatës”.

Vendimi i gjyqit ushtarak u dha po atë ditë, fill pas pretencës së prokurorit dhe mbrojtjes. Atë e shqiptoi në gjuhë të huaj, në mes të heshtjes se plotë, duke qëndruar prapa peshores se bronzit, kryetari i trupit gjykues, gjenerali Ferrucio Paganuzzi.

Teksti i vendimit është i shkurtër, një përsëritje pak a shumë e fakteve dhe arsyetimeve të pretencës, por të ndara e të rreshtuara kësaj here sipas neneve të ndryshme të kodit penal “shqiptar”. Trupi gjykues ishte i bindur se i pandehuri me aktin e kryer kishte atakuar jetën e “shkëlqesisë së tij Shefqet Vërlacit”, por “duke rrezikuar në këtë mënyrë me vetëdije jetën e madhërisë së tij, mbretit perandor, Viktor Emanuelit III”. Ai e cilësonte këtë “vrasje të mungueme e të paramejtueshme” dhe bashkë me faktin që kishte mbajtur armë e municion pa leje “jashtë banesës dhe qarkut të banesës së tij”, duke i mbledhur këto në një ndëshkim të vetëm shpallte dënimin e Vasil Laçit me vdekje. Ky vendim jepej “në emër të madhërisë së tij, Viktor Emanuelit III, për hir të zotit dhe vullnetit të kombit, mbretit të Italisë dhe të Shqipërisë, perandor i Etiopisë”.

Vasali, i ndërgjegjshëm deri në fund për aktin e kryer, e priti me gjakftohtësi vendimin kapital të gjykatës. Dënimi me vdekje iu dha dhe ushtarit italian Umberto Korona. Kurse Stillo, për shkak të moshës së re dhe për mungesë faktesh, u dënua me internim në fshatin e tij.

Zbatimi i vendimit të gjykatës u miratua po atë ditë me një dekret të posaçëm, të nënshkruar personalisht nga mëkëmbësi i përgjithshëm i mbretit-perandor, Françesko Jakomoni.

***

Edhe ekzekutimi i dënimit u përgatit me kujdes. Në këtë akt të fundit iu dha rëndësi e madhe dukjes, anës së jashtme. Prandaj, në qoftë se me hetimin dhe gjyqin e të pandehurit u morën kryesisht organet ushtarake italiane, ekzekutimi i vendimit iu ngarkua, jo pa qëllim, “autoriteteve shqiptare”.

Kështu, fill pas mbarimit të gjyqit, ditën e 26 majit, gjykata ushtarake italiane i dërgon Ministrisë së Brendshme vendimin e saj dhe e udhëzon që të mbështesë vendimin e ekzekutimit të të pandehurit në kodin penal shqiptar. Demagogjia fashiste bënte orvatjen e fundit për të legalizuar aktin e saj me ligjet “vendase”. Nuk ishte halli vetëm te ngjyrat që duhej t’i jepte vendimit kjo “provincë” e perandorisë, po dhe te ndarja e përgjegjësisë me “autoritetet” shqiptare para opinionit. Në fakt, kjo qe një gjethe fiku, sepse e vërteta nuk fshihej dot. Dihej se kush e bënte ligjin atë kohë në Shqipëri.

Përsëri po atë ditë, Ministria e Brendshme, vetë titullari Maliq Bushati, urdhëron me shkresë të posaçme, tepër sekrete, që prefekti i Tiranës të ndodhet në oborrin e burgut, ora 5 të 27 majit “për të mbajtur procesverbalin e rastit”.

Në mes të një fshehtësie të madhe, i shoqëruar me masa të forta sigurie, natën e fundit i dënuari u përcoll nga një qeli e OVRA-s në burgun civil të Tiranës.

Vasali, ka të ngjarë ta ketë kuptuar se ç’po ndodhte me të. Mekanizmi i administratës së pushtuesve po fillonte të vihej në lëvizje… Ishte lëvizja e fundit.

Pas mesnate nga oborri i burgut vinin zhurma. Krisma çekiçësh prishnin qetësinë e thellë të asaj nate maji. Me siguri diku në shesh po ngrihej trekëmbëshi.

Vallë ç’mendonte Vasili në ato orë të fundit tek dëgjonte ato goditje të thekshme?

A thua i vinte keq për jetën e tij që po e mbyllte kaq shpejt?

A thua e mundonte zemërimi i hidhur që nuk e kishte goditur për vdekje mbretin apo mendonte se dhe me ato pesë krisma kishte shpallur në kohën e duhur një aspiratë kombëtare?

Vasili ishte tepër krenar sa të mos ligështohej në këto orë të rënda.

Ai ishte i ndërgjegjshëm se vdekja e tij i shërbente nderit të Shqipërisë!

Në orën 5 të mëngjesit të 27 majit 1941, në oborrin e burgut të ri të Tiranës arritën autoritetet zyrtare, për të qenë të pranishëm në ekzekutimin e atentatorit të mbretit-perandor. Në krye qëndronte prefekti i Tiranës dhe kjo nuk ishte bërë pa qëllim. U takonte kuislingëve shqiptarë të zbatonin vendimin e gjykatës ushtarake italiane. Por kjo nuk do të thoshte që të mos qëndronin në krah të “autoriteteve vendase” zëvendësprokurori i përgjithshëm, kolonel A. Forita, komandanti i grupit ushtarak të Tiranës dhe i dërguari i Ministrisë së Brendshme. Tok me këta kishin ardhur drejtori i burgut, mjeku i Bashkisë dhe një prift i ritit ortodoks.

Ata zunë të ecnin ngadalë në drejtim të vendit ku qe ngritur trekëmbëshi. Trekëmbëshi ishte rrethuar me roje, ndërsa afër tij qëndronte, veshur me kostumin e posaçëm të xhelatit, një burrë gjataman, me fytyrë të mbuluar me një maskë të zezë. Një fotoreporter italian me aparat në qafë lëvizte lirisht nëpër sheshin burgut.

Përkundrejt sheshit, ku qe vendosur trekëmbëshi, binin dritaret e njërës prej ndërtesave të burgut. Drita e mëngjesit bënte të dukeshin fytyra e koka njerëzish që prisnin në heshtje, prapa hekurave të kryqëzuara. Ata ishin të burgosurit politikë, komunistë e patriotë që i kishin urdhëruar të “sodisnin” nga dritaret ekzekutimin e shokut të tyre!

Të gjithë prisnin të sillnin të dënuarin. Puhia e atij mëngjesi lëkundte lehtë nyjën e litarit varur në mes të trekëmbëshit. Për një kohë zotëroi një heshtje varri. Ishte heshtja e vdekjes që po përgatisnin fashistët.

Më në fund, u dëgjua një zhurmë e turbullt. Pastaj u ndien qartë hapa të rënda. Te kthesa e njërës prej ndërtesave të burgut u duk vargu i rojeve. Në mes tyre ishte i dënuari. Atë sapo e kishin nxjerrë nga qelia, të lidhur dhe me pllakën e rëndë metalike që e tërhiqte pas. Ata u drejtuan për nga trekëmbëshi. Dy roje të posaçme i qëndronin vazhdimisht në krah të dënuarit.

“Ne që rrinim prapa hekurave, – kujton një dëshmitar nga të burgosurit, – u tronditëm para kësaj pamjeje, por menjëherë sikur e morëm veten sapo pamë fytyrën kryelartë të Vasilit. Pamja e tij të jepte zemër”.

Vargu i rojeve u ndal dhe i dënuari qëndroi prapa trekëmbëshit. Fotoreporteri në këtë kohë shkrepte orë e çast aparatin duke u hedhur sa andej-këndej. Ai donte ta merrte të dënuarin ballazi, por ai si gjithnjë nuk donte të rrinte. E megjithatë, u gjet një çast që ta fiksonte njëherë e mirë fytyrën e tij. Fotoreporteri nuk e merrte me mend se me këtë veprim ai i linte historisë shqiptare një dokument të gjallë të papërsëritshëm.

Togeri G. Pricoli, funksionar i Gjykatës Ushtarake, lexoi akt-gjykimin dhe dekretin e posaçëm të mëkëmbësit të mbretit që urdhëronte ekzekutimin e vendimit të gjykatës.

Ata që e panë me vëmendje në ato çaste fytyrën e heroit tonë tregojnë se gjithë pamja e tij shprehte burrëri e vendosmëri, mospërfillje e vetëmohim të lartë.

Pasi heshti zëri i rreptë i togerit italian, u krijua një pauzë dhe pastaj u dëgjuan zëra. Dikush iu afrua të dënuarit dhe e pyeti. Në procesverbalin e mbajtur me këtë rast shënohet: “U pyet i pandehuri nëse ka ndonjë dëshirë ose në ka ndonjë gjë për të thënë dhe ai u përgjigj se preferonte ekzekutimin e tij me pushkatim në vend të litarit. Kjo kërkesë iu refuzua prej kompetentëve”.

Në procesverbal trillohet një dëshirë që Vasili nuk e shprehu asnjëherë. Ai nuk tha asnjë prej këtyre fjalëve. Në të vërtetë, siç tregojnë dëshmitarët që u ndodhën të pranishëm, pyetjes se cila ishte dëshira e tij e fundit, ai iu përgjigj se dëshironte t’i jepnin një krehër. Gjithë ato ditë të mundimshme, plot tortura dhe shkujdesje ndaj vetes, siç dëshmon dhe fotografia e fundit, atij i qenë rritur flokët dhe s’kishte pasur mundësi t’i krihte.

Dhe në ato çaste, para se t’i dorëzohej vdekjes, Vasili kërkonte një krehër! Ai qe mëkuar që përsëvogli me zakonet e gjestet e trimave. Ai kishte kënduar kushedi sa herë këngën e trembëdhjetë Bilbilenjve. Vasili donte me shpirt të bënte në atë çast të fundit zakonin e lashtë të trimave që kërkojnë të ndahen nga jeta të bukur dhe me këtë gjest, u rrëfejnë armiqve se nuk e përfillin vdekjen!

Sigurisht, e gjitha kjo sa ndodhi atë mëngjes para ekzekutimit nuk mund të futej në një dokument zyrtar, e aq më tepër fashist. Aty u shënua në mënyrë të ngurtë gjithë procedura e parashikuar. Çdo gjë tjetër do të ishte jashtë rregullit. Kështu, nuk u shënua as fakti që dhe prania e priftit qe krejt e panevojshme sepse megjithëse ai “u porosit, siç thuhet në procesverbal, t’i bëjë këshillimet e fundit fetare”, i dënuari refuzoi me përbuzje çdo lloj riti.

Pas këtij “incidenti” të fundit, u bë e qartë se s’kishte mbetur gjë tjetër veç ekzekutimit të të dënuarit.

U dëgjuan zëra në formë urdhrash. Rrethi i rojeve u ngushtua. Njëri prej oficerëve iu afrua Vasilit dhe i liroi zinxhirët. Pas kësaj, siç thuhet në procesverbal, “ai u shoqërua te trekëmbëshi i përgatitur”.

Në këtë kohë dikush i hodhi savanin e bardhë. Pastaj Vasili u ngjit vetë në plutonin e ekzekutimit. Ai nuk pranoi që xhelati t’i vinte rrotullën e litarit, as dhe t’i hiqte arkën poshtë këmbëve. Sado i drobitur nga torturat, lëvizjet e tij tregonin se Vasili e zotëronte mirë veten. Kjo u vu re shumë qartë, kur e drejtoi fytyrën nga shokët e burgosur që qëndronin prapa hekurave. Ai u buzëqeshi dhe fytyra i rrezëlliti në dritën e atij mëngjesi maji. Kjo ishte përshëndetja e fundit që Vasili u drejtonte shokëve.

Në procesverbal shënohet se “i dënuari tha disa fjalë…”, por se çfarë qenë këto fjalë nuk thuhet gjë. Një oficer italian në kujtimet e veta shkruan se “Në oborrin e burgut të Tiranës, thirrja e tij e fundit ishte “Rroftë Stalini!” Në fakt, kjo është vetëm një pjesë e fjalëve që ai shqiptoi në aht të vdekjes.

Ishte ora 5:45, kur oborri i burgut, rrethuar me mure të lartë e karakollë, buçiti nga zëri i fuqishëm i hakmarrësit të popullit. Këtë çast heroik na e dëshmon saktë një nga të burgosurit që e përjetoi prapa hekurave të dritareve. “Kur hypi në fronin e vdekjes, e mori litarin në dorë. Pastaj me zë të lartë thirri: “Poshtë fashizmi!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!” dhe e vuri vetë litarin në grykë dhe po vetë shtyu poshtë, me këmbë arkën dhe pas kësaj trupi i filloi të lëkundej në ajër. Për një çast na mbyti mallëngjimi, por thirrjet e tij burrërore na jehonin në vesh, si kambanë kushtrimi. Kjo na dha kurajë, aq sa vetvetiu, pa na thënë kush, ia morëm një kënge patriotike. Vetëm kënga në ato çaste mund t’i shprehte dufet e dashurisë e të urrejtjes sonë!”

***

Të nesërmen, pas dhjetë ditë heshtjeje të plotë, kur në fakt lajmi i atentatit kishte marrë dhenë, shtypi zyrtar botoi një komunikatë të shkurtër.

“Sot në agim, në oborrin e burgut, u ekzekutua sipas ligjit shqiptar (!) vendimi i dënimit me vdekje shqiptue nga Gjykata Ushtarake e Fuqive të Armatosura t’Njisueme kundra të quajturit Mihalof Vasil Laçi, me kombësi greke, i cili më 17 të këtij muaji, kishte qëlluar disa herë me revole, fatbardhësisht kot, kundër kortezhit mbretëror të drejtuem për në aerodrom të Tiranës.

Si në pyetjet e bame në hetuesi, ashtu dhe ndër ato përpara gjyqit publik Mihalof Vasil Laçi ka deklarue se kishte inate personale kundër anëtarëve të qeverisë shqiptare pse nuk e kanë pritur dhe nuk i kanë dhënë punë”.

Sikur të mos mjaftonte ky falsifikim i trashë, kalemxhinjtë e fletushkës “Tomori” në shënimin e tyre, do të sajonin një variant tjetër të motivit të pakënaqësisë së atentatorit, po një variant akoma më banal dhe aspak i besueshëm. Sipas tyre, s’paskish qenë pakënaqësia ndaj autoriteteve që “nuk i kishin dhënë punë”, por fakti se ai shkruante vjersha dhe ato nuk i botoheshin, “tue qenë se nuk kishin asnjë vlerë letrare, as gramatikore, tue qenë se kishte ba vetëm klasat e para fillore”.

Fashistët edhe trillimet e tyre nuk do të dinë t’i bashkërendojnë… Ata asnjëherë nuk do të kenë guximin ta pohojnë, as atëherë, as më vonë, arsyen e vërtetë të aktit heroik të Vasil Laçit. Konti Çiano në ditarin e tij do ta përmendë këtë “episod të papëlqyer”, po nuk do të shtyhet në shkaqet. Edhe F. Jakomoni. Ish-mëkëmbësi i mbretit, disa vjet më vonë pas lufte, në librin “Politika e Italisë në Shqipëri”, do ta përshkruajë incidentin e rëndë që i ndodhi sovranit orët e fundit të udhëtimit të tij në Shqipëri, megjithëse ai në kohën e ngjarjes ndodhej në aeroport. “Në hetimet e bëra rezultoi se atentatori pohoi fajin për të cilin pretendoi se e kreu për të marrë nam” (!?), shkruan Jakomoni. Ai nuk e quan të udhës të shpjegojë se ç’mund të ishte ky nam i shpërblyer me çmimin e vdekjes se sigurt!

Por një nga biografët e Viktor Emanuelit III, Silvio Bertoldi, në veprën e tij mbi të, duke u marrë me atentatin e Vasil Laçit hedh poshtë versionet zyrtare, si dhe mendimet e kontit Çiano dhe të kryeadjutantit P. Puntoni, sipas të cilave atentatori ishte njeri i ekzaltuar dhe se qëllimi i tij paskësh qenë të vrasë kryeministrin Shefqet Vërlaci. Bertoldi, duke u mbështetur në faktet e zhveshura, duke u munduar t’i përmbahet logjikës objektive të ngjarjes, duke e lidhur vetëmohimin e lartë të atentatorit me pakënaqësinë që ziente në gjirin e popullit shqiptar, mendon se s’ka asnjë dyshim se motivet e këtij akti kanë të bëjnë kryesisht me shkaqe politike. Çdo shpjegim tjetër do të prekte thelbin e së vërtetës.

Disa ditë pas ekzekutimit të heroit, në një nga sallat e mëkëmbësisë mbretërore u bë një ceremoni solemne. Zyrtarë të lartë i dorëzuan nëntogerit Antonio Roko dy medalje të argjendta të dhëna nga mbreti me dekret të posaçëm. Por ndërkaq, në mes zyrave të administratës kuislinge zhvillohej një korrespondencë cinike dhe e turpshme. Ishte fjala për 135 fr. shq. që qenë shpenzuar për ekzekutimin dhe varrimin e të dënuarit dhe 40 fr. shq. të dhëna priftit. Ministri i brendshëm Maliq Bushati refuzon t’ia paguajë këto prefekturës së Tiranës, mbasi “fondi sekret i stacionuar në buxhetin e sivjetshëm të kësaj ministrie është mbaruar krejt!”

Merret me mend se për çfarë shqetësoheshin shërbëtorët e fashizmit në Shqipëri aso kohe kur një djalë i thjeshtë i popullit vetëmohohej në emër të lirisë së atdheut!

Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne