Djegia e mandateve/ Reagon Bujar Nishani: Sakrificë e Bashës dhe opozitës për kthimin e Shqipërisë në normalitet

Pas vendimit të PD-së, për djegien e mandateve, ish-presidenti Bujar Nishani, aktualisht kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, e quan një akt historik në shërbim të një triumfi për kthimin e Shqipërisë në një rrugëtim normaliteti dhe për nisjen e një projekti të madh të një Shqipërie ndryshe.

Përmes një postimi në Facebook Nishani thekson se “Kjo sakrificë politike e opozitës dhe Lulëzim Bashës sot është shërbimi më i përunjur ndaj nevojës madhore të shqiptarëve për shpëtim”.

Postimi:

Dorëzimi i mandateve parlamentare nga opozita është një akt historik në shërbim të një triumfi për kthimin e Shqipërisë në një rrugëtim normaliteti, për nisjen e një projekti të madh të një Shqipërie ndryshe.

Ky akt i demonstrimit të përgjegjshmërisë më sipërore civile shënon marrjen në dorë dhe udhëheqjen prej opozitës të nje Lëvizje madhore qytetare të rëndësisë dhe përmasave të Lëvizjes së vitit 1990, por sot me mjete dhe akte më të ndryshme.

Historia e shoqërive njerëzore, për fitimin dhe vendosjen e standardeve dhe garancive të lirisë, të së drejtës dhe oportuniteteve për zhvillim, na ka treguar se nuk ka pushtet që të mund ti imponohet shumicës dërrmuese të qytetarëve në marshimin dhe lëvizjen e tyre për çmontimin e atij pushteti, për rrëzimin e modelit të dhunës, grabitjes, mashtrimit, kompromentimit dhe kalbëzimit të shoqërisë, zhbërjes së vlerave dhe besimit të një populli të tërë.

Nuk mund të ndodhë dot kurrë që një pakicë pushtetarësh të inkriminuar dhe oligarkësh të përçudnuar të asgjesojnë besimin dhe shpresën e një populli të tërë.
Kjo mund të ndodh vetëm nëse një popull shuhet totalisht, nëse një komb zhbëhet përfundimisht, nëse një vend copëzohet e shitet i gjithi.

Pas 107 vitesh që nga krijimi i tij, Shteti Shqiptar u agresua dhe linçua pikërisht në këtë formë të paparë kurrë më parë.

Në këto 6 vitet e pushtetit të një sekti i vetëquajtur “rilindje”, i cili shfrytëzoj bazën e Partisë Socialiste si koperturë dhe krimin e organizuar si kolonën bazë për të marrë pushtetin, ky rrezik u shfaq realisht.

Një sekt që tashmë qartësisht i evidentur që jo vetëm ka tradhëtuar e s’ka asnjë lidhje me ata mijëra votues të së majtës apo socialistë shqiptarë por definitivisht identifikuar si një ngrehinë e grupeve të krimit të organizuar, oligarkësh spekulantë dhe pastrues parash, si një ngrehinë lidhur ngushtësisht me qarqet më obskure albanofove.

Institucione të rëndësishme ndërkombëtare dhe media prestigjoze ndërkombëtare më së fundi kanë publikuar dhe denoncuar fakte të rënda ku vërtetohet se qeveria aktuale ka tjetërsuar vullnetin politik të popullit shqiptar gjatë zgjedhjeve të fundit politike në 2017 duke provuar publikisht dhe formalisht se kjo qeveri nuk e ka legjitimitetin e shumicës qeverisëse, se vendet e maxhorancës në parlament në masë të konsiderueshme nuk janë produkt i vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë por të dhunës, agresivitetit, grabitjes së grupeve të krimit të organizuar, parave të pista dhe veprimeve antiligjore të detashmenteve nga policia e shtetit dhe degët operacionale (në kuptimin e kontaktit dhe shërbimit me publikun) të administratës shtetërore.

Ky zgrip 6 vjeçar i detyroj shqiptarët drejt një emoragjie migratore pandalim dhe imponimin e perceptimit se shpresa nuk ekziston më, besimi nuk vlen, e ardhmja nuk i përket vullnetit dhe lirisë së individit por të pushtetëshmit, të dhunëshmit, vrasësit, grabitësit.

Por ky zgrip historik solli dhe misionin e pergjegjësinë historike te opozitës.

Opozita shqiptare ka sot një përgjegjësi dhe detyrë historike.

Sëbashku me shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë të nisë një rrugëtim ndryshe, të ri dhe serioz të Shqipërisë.

Të kthej besimin, shpresën, normalitetin e shtetit dhe njerzillëkut për shoqërinë e popullin.
Opozita ka ndërmarrë sot një hap që sakrifikon një privilegj nominal të përkohshëm siç është mandati i deputetit por që po investon dhe angazhohet në shërbim të një interesi madhor për të nesërmen e çdo shqiptari pavarësisht se çfar statusi ka në shoqëri, rend institucional, besim religjoz apo përkatësi partiake.

Opozita me këtë akt të përgjegjëshmërisë më të lartë nis të udhëheq një proçes që për alternativë të vetme ka një Shqipëri të nesërme pa banditë e trafikantë në Parlament, pa vrasës e gangsterrë në administratën shtetërore.

Një Shqipëri ku detyrën, sjelljet, të drejtat, detyrimet e gjithseicilit i përcakton, rregullon, mbron e gjykon ligji dhe Kushtetuta jo Kryeministri dhe të fortët përreth tij.
Një Shqipëri ku qytetari, i moshuar apo fëmijë qoftë, i pasur apo i vobektë qoftë merr shërbime normale e të drejta kudo, në spitale, shkolla, bashki, në tatime, hipoteka, kudo në çdo zyrë.

Një Shqipëri ku miku dhe sponsorizuesi i qeveritarit të mos mundet më të fus dorën në xhepin e të pambrojturit.

Një Shqipëri ku dhe më i pamunduri e i vobekti nuk ndihet i përdhosur e i marrë fund.
Ky rrugëtim nuk është i lehtë. Aspak !

Por i mundëshëm.

Sot, i domozdoshëm.

Kjo sakrificë politike e opozitës dhe Lulëzim Bashës sot është shërbimi më i përunjur ndaj nevojës madhore të shqiptarëve për shpëtim.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne