Djemtë e gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi kanë kërkuar që t’u dorëzohet trupi i babait të tyre për ta varrosur në mënyrë dinjitoze.

Salah dhe Abdullah Khashoggi në intervistën e parë, pas vrasjes së babait të tyre për CNN thanë se javët e kaluara për ta ishin shumë të pikëllueshme dhe se ende janë në pritje të informacioneve rreth vrasjes.

Gazetari dhe kolumnisti saudit i gazetës “The Washington Post” u zhduk më 2 tetor pasi hyri në ndërtesën e Konsullatës saudite në Stamboll.

Prokuroria e Shtetit në Stamboll tha se hetimet kanë konstatuar se Khashoggi u vra me paramendim duke u ngulfatur menjëherë pas hyrjes në konsullatë.

“Pa na u dhënë kufoma e babait tonë, familja jonë nuk mund të mbajë zi dhe ta mbyllë këtë çështje”, theksuan dy vëllezërit.

“Nuk mund të organizojmë varrim dinjitoz derisa të na e dorëzojnë trupin e babit tonë. E gjitha që duam tani është ta varrosim në varrezat Al-Baqi në Medinë me pjesën tjetër të familjes”, tha Salah.

Salah dhe Abdullah konsiderojnë se babai i tyre është keqinterpretuar dhe keqprezantuar për arsye politike.

“Shumë njerëz e kanë etiketuar sepse kjo është më e lehtë se sa të bëjnë punën e tyre. Jamal kurrë nuk ka qenë disident. Ai besonte se monarkia po e mbante vendin e tij të bashkuar. Ai gjithashtu besonte në reformat që po kalonte vendi”, thanë djemtë e Khashoggit.

I pyetur nëse ai kishte më shumë informacion rreth vrasjes si djali i madh i Khashogg-it, Salah tha se nga institucionet saudite kishte mësuar atë çfarë dinte pjesa tjetër e opinionit.

“Ne e dimë atë që dini ju, gjithçka është një mister, kjo është një barrë e madhe për ne, sepse të gjithë mendojnë se ne i dimë më shumë, kurse në fakt nuk dimë”, tha Salah.

I riu Abdullah tha se ishte i fundit nga familja që vizitoi babanë e tij në Turqi dhe e pa atë të gjallë në shtator.

“Ai ishte i lumtur, ishte një mundësi e shkëlqyeshme për ta parë atë. Ne ishim bashkë në Stamboll dhe argëtoheshim”, tha Abdullah.

Ai tha se ishte jashtëzakonisht e vështirë të merrej me pikëllimin dhe barrën kur vrasja e babait bëhet ngjarje e përmasave kaq të mëdha dhe në të njëjtën kohë shumë pak dihet për këtë.

“Është e çuditshme, ne përpiqemi të kontrollojmë emocionet dhe të kërkojmë informacione, përpiqemi nga gjëra të vogla të plotësojmë mozaikun në tërësi, është e vështirë sepse nuk ishte vdekje normale, as nuk është një përfundim normal”, tha Abdullah.

Djali i madh Salah shtoi se ai pret që hetimet të ndriçojnë të gjithë rastin dhe se i beson mbretit saudit Salman bin Abedlaziz.

“Mbreti Salman tha se të gjithë ata që janë përfshirë në vrasje do të nxirren para drejtësisë dhe unë besoj se kjo do të ndodhë, përndryshe Arabia Saudite nuk do të fillonte ndonjë hetim të brendshëm”, përfundoi Salah.

Burimi: AA

17