Dogana kthen prapa 20 kamionë me produkte nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina

Pas vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës për rritjen në 100 përqind të taksës doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, Dogana e Kosovës ka filluar zbatimin e këtij vendimi.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës ka filluar së zbatuari që nga dje.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës me 100 përqind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në drejtim të Kosovës është duke u zbatuar plotësisht në të gjithë pikat doganore”, tha Stavileci

Ai tutje shtoi se që nga dje janë vërejtur ulje të importeve, derisa deri tani janë kthyer 20 kamionë të cilët pas pranimit të informatës për taksën e re janë kthyer prapa.

Stavileci ka sqaruar duke marrë si shembull se nëse një kamion me mall i cili vjen nga Serbia ose Bosnja e Hercegovina, ka mall në vlerë 10 mijë euro, tani e tutje me rritjen e taksës ai do të paguajë dyfishin.

Qeveria e Kosovës e ka rritur dje në 100 përqind taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Qeveria e Kosovës ka ndryshuar vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila me 6 nëntor vendosi masë mbrojtëse 10 përqind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne