Doktor, atë që të bën fëmija, s’ta bën as perëndia!

Nga Andi Bushati

Halli se i duhet të përjetojë përpara syve të tij degradimin e pandalëshëm të PD-së prej Lulzim Bashës, e ka vënë Sali Berishën në një pozicion shumë të vështirë. Ai po merret me gjithkënd, nga policët e thjeshtë deri tek ujësjellësi i Durrësit, pa guxuar të flasë për PD-në. Ai po sulmon dhe anatemon këdo, pa pasur burrërrinë të shprehet për partinë që themeloi dhe drejtoi vetë për një çerek shekulli.

Në këtë sens ishte edhe reagimi i tij në këtë fillim jave. Berisha shpalli nga faqja e tij në Facebook se në zgjedhjet e 25 qershorit, qytetarët kishin ndëshkuar në mënyrë plebishitare Edi Ramën. Duke huazuar termin që kundërshtari përdori kundrejt tij katër vite më parë, ai pretendoi se kryeministri u godit nga 2.7 milionë shuplaka.

Në këtë këndvështrim të Berishës nuk duket vetëm mllefi për një humbje të thellë që ai nuk e duroi dhe nuk e kapërdiu dot kurrë. Në këtë mënyrë të të parit të gjërave nuk ngre kokë vetëm ndejenja e tij e njohur e hakmarrjes.

Por, mbi të gjitha aty sngrihet dyshimi nëse ai ka humbur sensin e realitetit.

Si mund të flasë ai për 2.7 milionë shpulla kundër Ramës kur PD-ja pësoi përballë tij humbjen më të thellë që ka përjetuar ndonjëherë?

Si mund të flasë ai për ndëshkim plebishitar kur rezultati qe edhe më i paparashikueshëm se ëndrrat e rilindasve më të guximshëm?

Në fakt, po t’i kthehesh shifrave, duket sikur për një moment Berisha ka të drejtë. Gati 80% e shqiptarëve që janë të rregjistruar në listat e votimit nuk pranuan ta hedhin votën e tyre për Edi Ramën. Po të tregohesh më i drejtë (duke llogaritur që një pjesë e mirë janë emigrantë që nuk votojnë kurrë) përsëri kjo shifër mbetet shumë e lartë, në kufijtë e 60 %-shit. Ajo tregon se ndonëse ka një shumicë parlamentare, Rilindja ka një legjitimitet të cunguar për të qeverisur vendin, se ajo nuk ka mandat moral për të bërë reforma të mëdha, se vetura e drejtuar nga Rama i ngjan më shumë një taksie ku ke hypur për hall, sesa një makine ku je ulur me qejf.

Por, pavarësisht nga këto konkluzione 2.7 milionë shuplakat që pretendon Berisha janë një realitet qesharak që mund ta prodhojë vetëm një mendje e marrë.

Së pari se në votat potenciale kundër Ramës doktori llogarit jo vetëm të gjitha votat e partive të marra sëbashku  por edhe abstenuesit (pra edhe ata 200 mijë që kanë rrfuzuar të votojnë për PD-në) madje edhe emigrantët që nuk votojnë kurrë.

Pra, kjo lojë me shifrat përpara se të të bëjë të mendosh, e ka më të lehtë të të bëjë të vësh buzën në gaz.

Së dyti llogaria për të mbledhur votat e partive opozitare së bashku me ato të abstenuesve për t’i llogaritur si një masë njerzore që nuk bie dakord me politikat e qeverisë edhe mund të bëhej. Por ky hesap nuk i lejohet kurrë moralisht një konkurenti në garë. Ai nuk i shkon një eksponenti politik partia e të cilit pësoi një debakël. Ai është, jo elegant për një opozitar që ka humbur një të tretën e votave pas katër vitesh pa qenë në pushtet.

Dhe këtu vijmë tek pyetja që ngritën në fillim. Pse i duhen Berishës fishekzajrre të tilla? Pse ka ai nevojë të lëshojë broçkulla kaq të mëdha që e nxjerrin qesharak në sytë e publikut?

Dhe përgjigjja natyrisht është e thjeshtë. Berisha po sillet kështu nga halli. Ai po lëshon bomba tymuese, për t’iu shmangur asaj që njerëzit presin prej tij. Ai po devijon se nuk do të flasë për Bashën, për humbjen e tij katastrofike, për mënyrën se si po e përçudnon PD-në dhe se si po e menaxhon betejën pas katastrofës.

Berisha po shfaqet më i gatshëm të sillet si humorist sesa të përballet me të vërtetën. Ai nuk flet dot për marëveshjen okulte me Ramën. Ai nuk ka zë për përjashtimin e gjithë njerëzve me të cilët ka qeverisur. Ai nuk belbëzon dot për mënyrën se si po çthuret PD-ja.

Dhe e gjitha kjo e ka një arsye.

Shumë vite më parë, ai vendosi të bëjë një zgjedhje. Ai vendosi të mos besojë tek loja demokratike, por tek trashëgimia monarkike. Ai rriti një fëmijë politik dhe projektoi prej kohësh që atij t’i linte stafetën.

Por, ashtu sikurse ndodh në shumë raste, kur pasardhësi nuk i përmbush dot pritshmëritë e atit politik, edhe Lulzim Basha nuk u ngrit dot kurrë në nivelin e investimit që u bë për të. Dhe kjo me sa duket është drama reale e Berishës. Basti i tij i humbur. Ajo që e detyron të flasë sot për gjithçka, pa folur dot për thelbin. Ajo që e bën të lëshojë bomba tymuese pa pranuar dot dështimin.

Eshtë pikërisht ky kalkullim katastrofik që po e bën Berishën të duket ai që nuk ka qenë kurrë, sepse ashtu siç thotë një shprehje e lashtë, atë që të bën fëmija (politik), s’ta bën dot as perëndia.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne