Donatorët dhe korrupsioni në Fondin Shqiptar të Zhvillimit

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një nga institucionet që në katër vitet e shkuara ka administruar pjesën e “luanit” në buxhetin e shtetit, për sa i përket investimeve, jo vetëm në infrastrukturë. Ky institucion së fundi është përfshirë nga akuza të forta për korrupsion.

CNA.al ka sjellë një tender, i cili është fituar me pothuajse 100% të vlerës së fondit limit, edhe pse ka pasë ofertues të tjerë me vlera më të ulëta.

FSHZH është e shumë akuzuar nga mediat shqiptare, si një institucion ku tenderat paravendosen, si një institucion i pushtuar keqazi dhe përdoret vetëm me vendim të kryeministrit Rama.

Akuzat për tendera të paravendosur dhe dhjetëra milion abuzime shpesh drejtohen te kryeministri, pasi në institucion, sa herë shpallen fituesit e ndonjë tenderi dhe ka përplasje të subjekteve në garë nga administrata lehtësisht dëgjon fjalën “e ka vendosur shefi i madh”, e ka mbyllur “KM-ja” vetë.

Në fakt, ose i ka mbyllë “KM-ja” vetë, ose vetë drejtuesit e institucionit, vetë Benet Beci apo dikush tjetër dhe ndoshta “KM-ja” përdoret si argument për të shpëtuar nga përplasjet dhe ankimimet e subjekteve që përjashtohen padrejtësisht nga gara.

Një fenomen që ndodh shpesh në mënyrë të përsëritur, pra justifikimi për vendosje nga “KM-ja” apo i “madhi” por që kalojnë në heshtje nga firmat, të cilat kërkojnë të mos përzihen në akuza dhe përplasje për shkak se i tremben një përjashtimi të mundshëm apo ndëshkimi në garat e mëtejshme.

Përtej akuzave dhe heshtjes së firmave qëndrojnë donatorët e huaj, të cilët kontribuojnë me fonde miliona euro për këtë institucion. Në fakt donatorët duken të heshtur, a thua se institucione prestigjoze ndërkombëtare nuk kanë informacion se çfarë ndodh në FSHZH.

Nuk mund të heshtin donatorët, kur zullumet bëhen me fondet e tyre, me apo pa miratimin e “KM-së”, Benet Becit e kujtdo qoftë tjetër.

Ndoshta disa zyrtarë europianë mund të jenë të përlyer në skandalet e tenderave të FSHZH-së. Dikush bën një sy qorr e dikush bën një vesh shurdh, por FSHZH-ja vazhdon të ndiqet nga skandalet, si denoncimi i fundit në CNA.al, ku në garë skualifikohen 5 konkurentë që të “fitojë” i paravendosuri./ CNA.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne