Dorëheqja e Haririt pjesë e llogarive të gabuara të Arabisë Saudite në Lindjen e Mesme

Analistët politikë besojnë se Arabia Saudite ka ushtruar shumë presion ndaj kryeministrit libanez Saad Hariri të japë dorëheqjen, duke shtuar se dorëheqja e tij është pjesë e llogarive të gabuara të Riadit në Lindjen e Mesme.

Kryeministri libanez Saad Hariri ka njoftuar dorëheqjen e tij në një fjalim të transmetuar nga Arabia Saudite. Hariri njoftoi dorëheqjen e tij në një deklaratë televizive të shtunën, duke cituar shumë arsye për vendimin e tij të papritur, duke përfshirë situatën e sigurisë në Liban. Ai gjithashtu tha se e ndjen se një komplot është duke u thurur kundër jetës së tij. Dorëheqja vjen gjithashtu më pak se një muaj pasi Hariri njoftoi planet për t’u bashkuar me një qeveri koalicioni me Lëvizjen Libaneze të Rezistencës Hezbollah. Në lidhje me këtë, analizsti politik libanez Kamel Wazne, thotë: “Mendoj se ka pasur shumë llogaritje të gabuara nga sauditët në rajon nga lufta në Jemen, nga sanksionet që ata vendosën kundër Katarit, nga përshkallëzimi i tensioneve me iranianët, nga përfshirja në Siri dhe nga involvimet e tjera në rajon. Kjo është pjesë e vlerësimit të gabuar nga sauditët duke i imponuar drejtpërdrejtë urdhrat përfundimtarë kryeministrit libanez “. Ai shtoi se 72 orët e ardhshme do të jenë “shumë domethënëse” për Libanin, duke argumentuar se çështja nuk është lëvizja libaneze e rezistencës Hezbollah, por më tepër e ardhmja e Lindjes së Mesme. Një tjetër komentues politik beson se Arabia Saudite urdhëroi kryeministrin libanez Saad Hariri të japë dorëheqjen në një “përpjekje të fundit ” për “destabilizimin” e Libanit. “Ajo që shohim tani është se kemi një palë të paarsyeshme – domethënë sauditët – të cilët janë duke u përpjekur të kryejnë të gjitha gjërat irracionale që mund të mendohen dhe tani po përpiqen të bëjnë një përpjekje të fundit, sepse ata kanë provuar gjithçka. Libani ka parë shpërthimet nga terroristët, bombarduesit vetëvrasës dhe destabilitetin në nivel politik me vonimin e formimit të qeverisë së Haririt dhe të gjitha presionet e bëra për të destabilizuar këtë vend erdhën nga Arabia Saudite, por të gjitha kanë dështuar “, tha Muhamed Obeid, analist politik libanez.

Ai gjithashtu shtoi se dorëheqja e Haririt nuk mund të ndahet nga zhvillimet që po ndodhin në Lindjen e Mesme – domethënë dështimet që Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Arabia Saudite kanë pësuar në Irak dhe Siri. Zyra e presidentit libanez Mishel Aun tha në një deklaratë se ai ishte njoftuar për dorëheqjen e Haririt me telefon “jashtë Libanit” dhe se priste kthimin e Haririt për të dëgjuar “rrethanat e dorëheqjes”. Kryetari i Parlamentit Nabih Berri vendosi të ndërpresë vizitën e tij në Egjipt dhe të kthehet në Liban pas dorëheqjes së Haririt. Në një shkrim në Twitter, Ministri i Drejtësisë Salim Xhereisati tha se dorëheqja e Haririt ishte “e dyshimtë për kohën, vendin, kuptimin dhe përmbajtjen e saj”. Nga ana tjetër, Irani ka hedhur poshtë me vendosmëri deklaratat e Saad Hariri, i cili ka dhënë dorëheqje si kryeministër i Libanit, duke thënë se dorëheqja e tij dhe hedhja e akuzave të pabaza të sajuara si zakonisht nga sionistët, sauditët dhe amerikanët, është një tjetër skenar për të krijuar tensione të reja në Liban dhe në Lindjen e Mesme. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Behram Kasemi e bëri këtë koment të shtunën, disa orë pas njoftimit të dorëheqjes së Haririt në Arabinë Saudite, ku ai hodhi akuza kundër Iranit dhe Lëvizjes së Rezistencës të Libanit Hezbollah. “Dorëheqja e papritur e z. Hariri dhe shpallja e saj në një vend tjetër nuk është vetëm befasuese dhe për keqardhje, por edhe tregues se Hariri po luan në një fushë që e kanë pregatitur keqdashësit e popujve të rajonit “, tha Behram Kasemi. “Fituesit në këtë fushë nuk janë vende arabe dhe myslimane, por regjimi sionist i cili e ka bazuar ekzistencën e tij në tensionet dhe konfliktet mes vendeve myslimane në rajon”, shtoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne