Përgatiti: Dr. Genti Kruja

Më 6 shkurt u mbushën 50 vjet nga fjalimi i Enver Hoxhës që hapi siparin e ateizmit në Shqipëri. Në këtë kuadër, revista “Zani I Naltë” ka publikuar një urdhër të Enver Hoxhës(me gjasë firmosur, por jo shkruar prej tij) dhe një raport informativ I gushtit të po këtij viti që flet për përpjekjet e bëra kundër fesë, rezultatet dhe problemet. Duket e pabesueshme sesi regjimi ja doli që të likujdonte aq thjeshtë një prani mijëravjeçare përfaqësuar në këtë kohë nga 2169, objekte kulti nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj..Rezistenca ishte minimale, ndërkohë që religjioni duket se u la në baltë dhe nga grigja që kishte gjetur çati të re. Më poshtë dokumentet që kanë interes historik:

Urdhëri i Enver Hoxhës

“Duke marrë parasysh se kohët e fundit në shumë rrethe është intensifikuar lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare dhe me qëllim, që kjo luftë të bëhet sa më drejt, pa gabime dhe më me sukses, u pa e nevojshme të jepen orientimet e mëposhtme:

Feja është opiumi i popujve. Këtë të vërtetë të madhe duhet të bëjmë çmos që ta kuptojë çdo njeri, edhe ata (dhe këta nuk janë pak), që janë të helmatisur e që duhet t’i ç’helmatisim. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur. Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit e të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium, ose se feja dhe praktikat e saj ruajnë qenien e tyre vetëm tek plakat dhe tek pleqtë. Kjo nuk është ekzakte, këto mund të humbasin virulencën e tyre, vetëm në rast se i luftojmë e i demaskojmë, kurse ringjallen, propagandohen e zgjerohen në rast se i nënvleftësojmë. Sigurisht feja ka të bëjë me botëkuptimet, me ndërgjegjen, por këto me shekuj, feja dhe klerikët jo vetëm i kanë kthyer në dogma filozofike, por për ta rrënjosur këtë dogmë animiste në ndërgjegjen e njerëzve, e kanë shoqëruar edhe me disiplina konkrete, me organizime të veçanta, e kanë lidhur me ngjarjet e jetës së njeriut. Çdo gjë feja është munduar ta lidhi me ndodhitë e jetës së njeriut dhe ka bërë që ky, çdo mendim, çdo veprim të tij ta lidhi me fenë, me besimin idealist, mistik etj.

Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë qoftë kundër dogmës fetare vetë, kundër pikëpamjeve filozofike, idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë, deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që i zbatojnë nganjëherë pa i ditur, pa bërë kujdes. Populli ynë, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptimin, që janë shumë popuj të tjerë. Kjo është e vërtetë por prapë se prapë edhe ai diçka beson…

Ne nuk u kemi lënë asnjë shkollë, qoftë edhe të ulët, për të nxjerrë klerikë të rinj dhe për t’u dhënë këtyre një edukatë të rregullt dhe të interpretuar të doktrinës së tyre fetare..

Kështu që klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë edhe ca më shumë si kuadro. Kurse për sa i përket shtypit të librave, të dogmave të tyre, kjo ka vdekur me kohë për ta…

Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente. Prishja e kishave, xhamive, teqeve e manastireve, natyrisht, paraqitet më e vështirë, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson. Por mjaft prej tyre janë prishur, pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjerë janë prishur se kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë. Në këto forma duhet të vazhdojmë ne për deri sa nuk funksionojnë. Në këto forma duhet të vazhdojmë ne përderisa ti rrafshojmë nga faqja e dheut tonë. Institucioneve fetare ne duhet t’u heqim, atje ku e kemi lënë diçka, të gjithë tokën, ndonjë ulli ose të ardhur tjetër që mund të kenë akoma kishat, xhamitë, etj.

Është interesante se në fshatin tonë nuk ka rezistencë për këto gjëra. Ky është si rezultat i punës ateiste, që ka bërë dhe bën partia, por edhe nga mungesa e hoxhallarëve dhe e priftërinjve në fshatra, nga mungesa e librave fetarë. Në përgjithësi, në fshatra çështja e besimit në fenë, mbahet në zakonet e jetës, në interpretimin pragmatik të tyre, por që nuk është as për ta nënvleftësuar, as për ta neglizhuar, pse prapë na dëmton shumë në zhvillimin dhe përparimin e vëndit.

Për t’i zhdukur praktikat fetare ne duhet t’i luftojmë ato sidomos me frymën revolucionare dhe patriotike.

Lufta kundër feve, veçanërisht në vendin tonë, ku nuk ka mundur të zhvillohet në forma filozofike të stërholluara, për arsye të mungesës së një baze klerikësh të zhvilluar e me kulturë, duhet të bëhet me këmbëngulje në zakonet, në traditat, në mënyrën e jetesës, në interpretimin e fenomeneve, pse nëpërmjet kësaj rruge klerikët kanë mundur për shekuj me radhë te fusin helmin e fesë dhe këtë helm ta përziejmë me gëzimet, me hidhërimet dhe me shfaqjet e përditshme të jetës së njeriut.

Neve pra na bie detyra që të studiojmë me imtësi, ku dhe qysh shfaqet ky helm, në ç’forma, ç’trajta ka marrë gjatë zhvillimit, ç’praktika zbatohen, si zbatohen e si kamuflohen ato. Këto ne duhet t’i analizojmë që kur lind i vogli, i cili pagëzohet, bëhet synet etj., që kur martohet njeriu, ngjarje kjo që lidhet me shumë zakone në të cilat ka depërtuar zakoni kishtar si krimbi brenda mollës së kuqe. Duke i njohur këto, këtej duhet të fillojë lufta e studiuar sistematike ideologjike, politike, organizative, pa pushim, pa pushim.

Lufta me fenë është mjaft e koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë kundër saj, mund të mos ketë rezultatet që dëshirojmë. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe terreni ynë paraqitet i favorshëm që këtë luftë ta kryejmë me sukses. Një armë historike kundër fesë dhe klerikëve reaksionarë është edhe fakti se feja myslimane ka qenë ideologjia e pushtuesve turq, feja ortodokse ideologjia e shovinistëve grekë që pushtonin në kohët e kaluara vendin tonë dhe feja katolike me qendër Vatikanin ka qenë ideologjia e pushtuesve italianë, e imperializmit austriak dhe e fashizmit italian.

Ndjenjat patriotike të popullit tonë dhe lufta e tij për t’u çliruar nga zgjedha e të huajve, në mos drejtpërsëdrejti, gjatë shekujve është ndeshur edhe me ideologjinë fetare të pushtuesve dhe me ata klerikë reaksionarë të çdo besimi, që u shërbenin atyre. Në këtë fakt historik ne nuk mund të mos shohim edhe një nga arsyet që populli ynë nuk është edhe aq fanatik e i lidhur me fetë, pse këto, në parim dhe në fakt, kanë qenë në kundërshtim me idenë e çlirimit kombëtar.

Duke pasur parasysh të gjitha çka thamë më lart, ne si komunistë dhe ateistë duhet të jemi edhe realistë. Me gjithë propagandën tonë të organizuar kundër fesë, riteve, dogmave, institucioneve fetare dhe klerikëve profesionistë, të kemi vazhdimisht parasysh që të mos futemi në luftë të hapët me njerëzit e popullit, sepse në popull do të ketë edhe njerëz të ndershëm, të lidhur me partinë dhe patriotë të flaktë, që do të ruajnë në ndërgjegjen e tyre edhe për shumë kohë, mundet edhe deri sa të vdesin, besimet e tyre. Puna me ta do të jete një përpjekje bindjeje e vazhdueshme dhe me durim të madh, të cilën të mos e lejojmë të kthehet në ofenduese. Me këta njerëz partia duhet të sillet, si të thuash, si doktori i mirë që bën të gjitha përpjekjet për ta shëruar të sëmurin, për ta rikthyer këtë në gëzimet e jetës.

Besimet e kota fetare nuk do t’i gjejmë vetëm te klerikët. Këta janë ata njerëz profesionistë që i propagandojnë, që i ruajnë të gjalla, që bëjnë spekulime dhe mashtrime të poshtra, por ato ekzistojnë edhe në popull. Prandaj, pa a ngadalësuar për asnjë çast propagandën kundër fesë, të kemi kurdoherë parasysh se kemi të bëjmë me popullin. Veprimet e pamatura, ekzaltuese, duhet të evitohen. Çdo veprimi i duhet përgatitur me kujdes terreni politik.

Të zaptosh xhamitë dhe kishat me fushatë dhe me një urdhër, është punë e lehtë, por duhet menduar edhe për pasojat në popull. Pasojat e këqija evitohen duke përgatitur me kujdes popullin, që ai ta kuptojë këtë kotësi, ta zhdukë fenë nga zakonet e jetës, të braktisë me bindje praktikat e saj. Atëherë për të s’ka as rëndësinë më të vogël xhamia apo kisha, prifti ose hoxha. Kjo është një punë më e rëndë, por më e sigurt. Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen. Asnjë ndërtim të mos u bëhet. Disa mund të kthehen në vepra muze, në qoftë se janë të tilla, disa që do populli, të bëhen depo, të mos hezitohet të merren, e kështu me radhë, jo me dhunë, me bujë dhe pa marrë aprovimin e popullit, i cili duhet përgatitur shpirtërisht dhe politikisht…

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË, ENVER HOXHA

***

Dokumenti i dytë:

Raport informativ “Mbi Rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj (30. 08. 1967)

Pas Kongresit të 5-të të Partisë dhe sidomos pas fjalimit të shokut Enver të 6 shkurtit, në gjithë vendin po zhvillohet gjerësisht lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare.

Kjo luftë zhvillohet në kuadrin e thellimit të mëtejshëm të revolucionit ideologjik, është luftë e thellë klasore midis dy botëkuptimeve, midis dy ideologjive, me objekt që të çrrënjosë botëkuptimin fetar si një nga bazat e fuqishme të ideologjisë reaksionare, për të edukuar masat me botëkuptimin materialist marksist-leninist. Lufta zhvillohet jo vetëm midis nesh dhe armiqve, por kryesisht në gjirin e popullit e të Partisë, dhe në një terren mjaft të ndjeshëm e delikat.

Ajo dallohet nga këto karakteristika kryesore: a) Zhvillohet në një front të gjerë në qytet e në fshat, në gjithë shtresat e popullit. b) Dallohet nga aksione goditëse direkte, jo vetëm kundër fesë si botëkuptim reaksionar, por dhe kundër bazave që kanë ruajtur dhe ushqyer fenë. c) Nga pjesëmarrja e gjerë e masave të popullit në këto aksione, nga diskutimi popullor mbi kotësinë dhe dëmin e besimeve fetare.

Pra lufta kundër fesë ka marrë të gjitha tiparet e një lëvizjeje të gjerë me karakter të theksuar ideologjik. Në këtë fushë në vendin tonë po kryhet një hop i madh revolucionar i paparë deri tani në historinë e vendeve socialiste.

Sigurisht ky hop i madh nuk është i rastit. Ai është rezultat i gjithë punës 25-vjeçare të Partisë. Qysh në fillim Partia edukoi anëtarët e vet dhe masat me frymën e ateizmit. Mbas çlirimit mori masa të rëndësishme. Ndarja e fesë nga shteti dhe nga shkolla, kufizimi i vazhdueshëm i institucioneve fetare, kufizimi e pastaj likuidimi i mundësive për përgatitjen e kuadrit fetar, duke mbyllur edhe institucionin përkatës, ndalimi i botimit të literaturës fetare etj., përbën një faktor të rëndësishëm pozitiv për luftën kundër fesë. Por kryesore është puna e madhe e partisë për të përhapur arsimin e kulturën, për të zhdukur injorancën, për të përhapur njohuritë shkencore në të gjitha fushat dhe shumë masa të tjera me karakter ideologjik. Të gjitha këto përbëjnë një periudhë të tërë ndryshimesh sasiore të domosdoshme që po çojnë në ndryshime cilësore.

Ka rëndësi të veçantë fakti që Partia dhe KQ si kurdoherë gjykoi mirë gjendjen shpirtërore të masave, gjeti momentin e duhur për të hedhur parullën e luftës në front të gjerë dhe që jeta po e vërteton plotësisht të drejtë. Lidhur me këtë një ndihmë e madhe ishte dërgimi i letrës së shoku Enver të datës 27 shkurt, ku jepen orientime për zhvillimin sa më të drejtë, pa gabime dhe me sukses të luftës kundër fesë, paragjykimeve dhe zakoneve prapanike.

Me gjithë periudhën e shkurtër mund të bëhet një bilanc i rezultateve të para, të nxirren disa konkluzione e probleme se si e ku duhet të thellohet më tej kjo lëvizje.

1) Lufta në fillim u drejtua kundër bazave të vatrave fetare. Më parë për të marrë disa kisha e xhami kryesore, kurse pastaj masat e popullit shkuan më tej për t’i marrë të gjitha ato. Kjo iniciativë nga poshtë u mbështetu fuqimisht nga lart, nga komitetet dhe organizatat bazë të partisë dhe atyre të masave.

Në një kohë relativisht të shkurtër iu dha tronditja e parë vatrave të ideologjisë fetare. Me përjashtim të kishës së madhe të Tiranës dhe kishës katolike, në të gjithë vendin janë mbyllur të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet, vakëfet etj. Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.

Bashkë me institucionet fetare u mor në dorëzim pasuria e tyre. Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 4263 të vitit 1967 pasuritë e paluajtshme të komuniteteve fetare kaluan në pronë shtetërore, ose u janë dorëzuar kooperativave. Kishat, xhamitë etj., që ndodhen në qytete u kanë kaluar komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra u kanë kaluar kooperativave bujqësore. Gjendja e arkave dhe llogarive rrjedhëse të të gjitha institucioneve fetare deri në fund të muajit mars të këtij viti ishte 1, 959.307 (lekë të reja).

Krahas kësaj ato posedonin edhe disa sasi bagëtish, vreshtash, ullinjsh, bahçesh etj. Kështu p.sh. vetëm 8 manastiret kishin 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha, kryegjyshata posedonte 34 dynymë tokë që i kaloi NBSH-së “Gjergj Dimitrov” etj. Një pasuri tjetër e luajtshme dhe e paluajtshme vazhdonte të ishte në duart e tyre. Kjo arrinte në mbi 6 milionë (lekë të reja), nga të cilat 2,150,000 milionë i kishin teqetë bektashiane. (Në këto pasuri përfshihen ndërtesat e banimit me aksesorët, mullinjtë, dhjetëra dyqane e magazina të tyre, pajisjet e brendshme me shtretër të manastireve etj.). Shteti u lehtësua gjithashtu nga subvencioni që bënte çdo vit për pagesat e rrogave e të pensioneve të një pjese të mirë të klerikëve, shifër kjo që arrinte çdo vit në 300,000 lekë të reja.

Ky është një sukses i madh. Kjo qe goditja më e papritur për fenë. Rëndësi të madhe ka fakti që Partia edhe në këtë çështje ndoqi vijën e masave, duke siguruar në këtë lëvizje pjesëmarrjen masive të të gjithë popullit. Kjo ndikoi për zhdukjen e mjaft koncepteve të frikës e legjendave fetare të thurura në shekuj rreth “Çudirave” të vendeve të shenjta, “dënimit me vdekje” dhe “ngrirjes në vend” të njerëzve që tentojnë t’i prekin, se ato i ruan “zoti” etj., etj. Masat panë me sytë e tyre dhe mjaft besimtarë e shprehën hapur këtë, se gjithë ato legjenda rreth “vendeve të shenjta” ishin gënjeshtra të kota, dhe kjo shërbeu për edukimin e tyre. Por ky sukses me rëndësi nuk duhet aspak të krijojë mendimin se çdo gjë mori fund. Ne kemi përpara për të bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, sepse siç theksoi shoku Enver në Kongresin e 5-të, lufta kundër ideologjisë fetare është luftë klase.

Me marrjen e institucioneve fetare kanë lindur edhe disa probleme. Pothuajse të gjitha ato, megjithëse po përdoren për qëllime ekonomike e kulturore ruajnë pamjen e parë. Kjo, përveç të tjerash, në heshtje u kujton besimtarëve kishën apo xhaminë, dhe ta konsiderojnë atë gjithmonë si vend të shenjtë, dhe te brezat që rriten ndikon keq psikologjikisht. Prandaj mendojmë se disa prej tyre që pengojnë planimetrinë e sotme e të ardhme të fshatrave apo të qyteteve të prishen, dhe ku ka mundësi të bëhen ndërtime të reja. Po kështu të prishen ato që janë në rrezik shembjeje, të vjetra, dhe që s’kanë asnjë vlerë historike dhe arkitektonike. Sipas mundësive të ndryshojë pamja e atyre që janë vënë në përdorim për nevoja të ndryshme, sidomos ato që përdoren e do të përdoren si kinema, shtëpi e vatra kulture, palestra etj. Nga rrethet propozohet me të drejtë që Ministria e Arsim-Kulturës (Instituti i Ruajtjes së Monumenteve të Kulturës) të rishikojë kriteret që ruajnë një numër të madh kishash e xhamish pa ndonjë vlerë historike.

2) Një rezultat tjetër shumë pozitiv është likuidimi i funksionit zyrtar të klerit profesionist dhe neutralizimi i klerikëve jo profesionistë. Nga të dhënat del se në rrethe kishte 912 klerikë profesionistë nga të cilët rreth 550 hoxhallarë dhe afro 400 priftërinj, dervishë, shehlerë etj. Numri më i madh i tyre ka qenë në ato rrethe ku edhe numri i institucioneve fetare ishte më i madh, veç këtyre një pjesë e kishave e xhamive ka qenë falur nga besimtarë që bënin pjesë në këshillat e kishave apo të xhamive, numri i të cilëve arrin në disa mijëra veta.

Sipas udhëzimeve të KQ të gjithëve u është siguruar punë, por një pjesë duke qenë të moshuar, pas mbylljes së institucioneve, rrinë pranë familjeve të tyre. Shumica punën e ka filluar në kooperativat bujqësore, sepse aty kishin edhe familjet, ndërsa një pjesë fare e vogël është vendosur nëpër ndërmarrje. Në këtë drejtim nuk ka ndonjë problem. Vetëm një çështje del për disa klerikë që përfitonin pensionin dhe që kanë vështirësi ekonomike. Me bllokimin e fondeve u ndalua edhe pensioni që ata merrnin. Kjo mund të shikohet konkretisht nga organet shtetërore duke gjetur një rrugë të arsyeshme zgjidhjeje. Ka rëndësi të shikohet cili qe qëndrimi i klerit.

Në gjithë këtë lëvizje të madhe të masave kundër fesë qëndrimi i klerikëve ka qenë i ndryshëm. Një pjesë e mirë e klerit tregoi edhe në këtë rast patriotizëm, lidhjet e tij të ngushta me Partinë.

Ata të nisur nga besimi që kanë te Partia, në përparimin e vendit, mbështetën e përkrahën iniciativat e kërkesat e masave. Një pjesë tjetër, megjithëse të pabindur për drejtësinë e domosdoshmërinë e mbylljes së institucioneve fetare nga populli, u pajtuan me të ose mbajti qëndrim të heshtur. Kurse disa të tjerë i rezistuan dhe vazhdojnë t’i rezistojnë lëvizjes së masave e mbajnë një qëndrim reaksionar ndaj saj. Në mjaft raste këta në bashkëpunim me elementë të tjerë armiq brenda vendit, janë munduar të na dëmtojnë me të gjitha mënyrat. Diku, duke përfituar edhe nga dobësitë e punës politike dhe ideologjike të disa organizatave të partisë, janë përpjekur të ngrenë besimtarët kundër zhvillimit të kësaj lëvizjeje me përmbajtje të thellë revolucionare.

Veprimtaria armiqësore është përpjekur që me anë të parullave dhe një seri veprimesh reaksionare të prekë pothuajse të gjitha sferat e politikës dhe të ideologjisë së partisë sonë. Ja disa nga drejtimet kryesore të kësaj veprimtarie. Elementi armik dhe klerik reaksionar, si gjithnjë, e drejton luftën e tij kundër Partisë dhe pushtetit popullor duke hedhur parulla nga më të ndryshmet si: “Këtë që bënë këta nuk e ka bërë as turku, greku, italiani e gjermani, kur na kanë okupuar” ose “Kur të vjen fundi vete përplasesh në derë të kishës ose xhamisë, kështu që edhe kjo që bëjnë këta tregon fundin e tyre” (Kolonjë); ose “Kjo qeveri nuk i ka punët mirë me prishjen e fesë” (Gramsh-Shkodër); “Këto janë vetëm fillimi ndërsa fundi i tyre do të çojë në zhdukjen e familjes” (Vlorë) etj., etj.

Ata përpiqen ta lidhin veprimin kundër fesë me kolektivizimin dhe shkurtimin e kopshteve personale e masat e tjera të Partisë për t’i penguar ato, duke thënë se: “Komunistët po i shkatërrojnë kishat e xhamitë, tokat na i morën dhe fenë na e hoqën” (Pukë) ose “Duke prishur teqetë e kopshtet këta i hapën punë vetes” (Tepelenë) etj.

Janë përpjekur gjithashtu, të krijojnë përshtypjen se në pushtetin popullor ka dallime fesh, krahinash etj. Kështu në rrethin e Lezhës ku është më i përhapur besimi katolik janë përhapur parulla se myslimanët përkrahen, dhe për këtë shfrytëzohet edhe ruajtja e xhamisë ku vazhdojnë kërkimet për varrin e Skënderbeut. Po kështu në Pogradec e Fier marrja më parë e kishave nga xhamitë ose ruajtja si monumente e disa institucioneve është komentuar si përkrahje e një besimi dhe luftimi më me ashpërsi i tjetrit.Në disa rrethe armiku përpiqet ta paraqesë këtë lëvizje si kopjim kinez duke thënë se “Pse imitojnë botën, Kinën” (Fier), “Këta ndjekin rrugën e Kinës” (Shkodër), ose “hoxhallarëve e dervishëve iu hoq mjekra, se tani kanë hyrë në fe tjetër, në atë të Azisë, ata janë pa fe e nuk falen” (Gramsh).

Elementi armik përpiqet të dëmtojë duke shfrytëzuar veçanërisht fenomenet e fatkeqësitë e natyrës si tërmetin, shirat dhe përmbytjet, thatësirat etj. Kështu në Sarandë e Gjirokastër qarkullojnë parulla se “Tashti që u prishën kishat e u ndoqën priftërinjtë, fatkeqësi do kemi më shumë, do të përmbyset bota”.

Përveç parullave elementi dhe kleri reaksionar kanë bërë presione direkt mbi njerëzit e Partisë. Në Vokopolë të Beratit para se të merrej kisha u vendos një fletërrufe anonime ku shkruhej: “Prishja e kishës në Vokopolë ka tronditur gjithë fshatin, të mëdhenj e të vegjël. Ai që gris këtë fletërrufe do të përgjigjet”. Në Jergucat të Gjirokastrës sekretarit të organizatës bazë i vunë natën te dera e shtëpisë një letër në të cilën e mallkonin dhe e kërcënonin për prishjen e kishës. Në Shënavlash të Durrësit disa elementë vagabondë dhe me përbërje të keqe politike qëllojnë me gur të rinjtë e të rejat e shkollës “Naim Frashëri” që kishin shkuar për të përkrahur kërkesën e rinisë së fshatit për të marrë kishën etj.

Kundër këtyre parullave e veprimeve armiqësore kanë vepruar organizatat bazë të Partisë dhe nën drejtimin e tyre organizatat e masave, duke i demaskuar ato dhe sipas rastit ndaj elementëve të veçantë është mbajtur edhe qëndrim nga organet përkatëse. Megjithëkëtë, organizatat e Partisë dhe organizatat e masave nuk duhet të bien në qetësi e vetëkënaqësi. Ato duhet të rritin vigjilencën revolucionare ndaj veprimtarisë armiqësore, të organizojnë një punë të dendur politike e ideologjike për sqarimin e masave të popullit./ respublica

62