Drejtori i “Microsoft” për sulmin masiv kibernetik të javës së kaluar.
Presidenti i kompanisë “Microsoft”, Brad Smith, për sulmin masiv kibernetik, i cili ndodhi javën e kaluar, ka fajësuar qeveritë botërore, të cilat nuk kanë zbuluar të dhëna të mjaftueshme për lëndueshmerinë e softverëve, shkruan rtv21.tv

Zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë po mundohen të kapin përgjegjësit për sulmin masiv kundër softverëve, i cili ka bllokuar kompjuterët dhe nuk lejon përdorimin e tyre, përderisa hakerëve të mos ju paguhet shuma e parave që kanë kërkuar.

Smith theksoi se sulmi është ndërmarrë me një virus, për të cilin beson se i është vjedhur Agjencisë amerikane për Siguri Kombëtare.

Ai më tutje porositi se qeveritë botërore këtë sulm duhet ta shohin si një thirrje për zgjim dhe se ato duhet të mendojnë për dëmet që mund të pësojnë civilët, për shkak të fshehjes të të dhënave për lëndueshmërinë e softverëve të tyre nga ana e qeverive.

Sulmi me virusin rensomveri mund të shkaktoi një kaos edhe më të madh gjatë ditës së sotme, kur njerëzit kthehen në punë dhe ndezin kompjuterët e tyre, kanë raportuar agjencitë e lajmeve.

Ekspertët kanë apeluar te organizatat dhe kompanitë që menjëherë të rifreskojnë sistemet e tyre operuese, me qëllim që të mos jenë të lëndueshme ndaj versionit të dytë dhe më të fuqishëm të rensomverit, i cili të premten sulmoi softverët në mbi 150 shtete të botës.

Sipas Europolit, nga ky sulm janë goditur mbi 200 mijë klientë dhe mbi 100 mijë organizata në gjithë botën.

Një ekspert për siguri kibernetike deklaroi se ai ka arritur të ndal përhapjen e mëtutjeshme të virusit, por jo edhe mënyrën se si të ndihmoi kompjuterët tashmë të infektuar.

8