Studimet e fundit të shkecëtarëve të Universitetit Amerikan në Ohajo kanë gjetur se duhanpirësit e rregullt dhe ata të përkohshëm janë të ekspozuar njëjtë ndaj rrezikut të rritjes së tensionit të lartë të gjakut dhe kolesterolit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Hulumtime gjithëpërfshirëse janë kryer në të gjithë SHBA-të nga shkurti i vitit 2012 deri në shkurt të vitit 2016, kurse rezultatet janë publikuar në portalin shkencor amerikan Journal of Health Promotion.

Ky është hulumtimi i parë shkencor që ka trajtuar drejtpërdrejt rrezikun e çrregullimeve të tensionit të gjakut dhe kolesterolit në gjak për shkak të pirjes së duhanit, ku bëhet fjalë në lidhje me dy shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare të cilat janë shkaktari më i zakonshëm i vdekjes së njerëzve në botë.

Në studim janë përfshirë pothuajse 40 mijë persona, prej të cilëve 17 për qind e të anketuarve janë deklaruar si duhanpirës të rregullt ndërsa 10 për qind e tyre si duhanpirës të kohëpaskohshëm, por jo konsumues të përditshëm.

Tensioni i lartë i gjakut është problem të cilin e kanë 75 për qind të duhanpirësve të rregullt dhe të përkohshëm dhe 54 për qind e të dy kategorive kanë të rritur nivelin e kolesterolit.

Profesoresha e Universitetit në Ohajo, Bernadette Melnyk ka thënë se rreziku i rritjes së tensionit të gjakut dhe kolesterolit aspak nuk dallon tek duhanpirësit e rregullt dhe të përkohshëm.

“Një përqindje e konsiderueshme e njerëzve në raste të caktuara sociale konsumojnë cigare dhe ky hulumtim është i rëndësishëm nga aspekti që njerëzve t’u tregon se edhe pirja e kohëpaskohshme e duhanit bart të njëjtat rreziqe shëndetësore si dhe pirja e përditshme e duhanit, e cila ka kaluar në varësi”, tha Melnyk./ AA

18