Dule thirrje ambasadorëve të SHBA dhe BE për atë që po ndodh në Himarë

Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Himarës do të zhvillohet në fshatin Kuç. Zgjidhja është gjetur nga kreu i Bashkisë Gjergji Goro pas dështimit të mbledhjes së parë, e cila dështoi. Kreu i Bashkisë së Himarës akuzoi OMONIA-n dhe kreun e saj Fredi Bejlerin që bashkë me qytetarë të tjerë hynë me dhunë në mbledhje. Por në një reagim të tij, Vangjel Dule kreu i PBDNJ-së thotë se situata ka qenë krejt ndryshe.
“Më 25 gusht qytetarët e Himarës u ftuan të marrin pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme dhe të hapur të Këshillit të Bashkisë me objekt planin e përgjithshëm të zhvillimit vendor.
Por, në vend të transparencës, debatit konstruktiv dhe vendimarrjes demokratike, pjesëmarrësit u gjendën perballë një situate të pakonceptueshme të dhunës së verbër ndaj tyre nga ana e policisë bashkiake dhe të anullimit përfundimisht pa asnjë arsye dhe motiv të mbledhjes së thirrur.
Gjatë fundjavës, shumë nga qytetarët pjesëmarrës u thirrën nga policia e shtetit në kundërshtim të hapur me ligjin dhe procedurat e tij “për të dhënë shpjegime” për pjesëmarrjen e tyre në mbledhjen e hapur të këshillit ku ishin ftuar publikisht.
Ndersa sot, në shkelje flagrante të afateve dhe në papajtueshmeri të hapur me ligjin për funksionimin  e pushtetit vendor, thirret sërish mbledhja e Këshillit Bashkiak për datën 30 gusht, kësaj rradhe jo në selinë e vet, por në fshatin Kuç” 
shkruan Dule në një reagim për mediat.
Në denoncimin e tij për situatën, Vangjel Dule i bën thirrje ambasadorëve të huaj të SHBA dhe BE të kthejnë sytë nga Himara. Sipas tij, interesat e banorëve po cënohen nga interesat e Ramës dhe oligarkëve të tij.
“Së pari, deshirojmë të vemë përsëri dhe përsëri në dukje se këto veprime synojnë ekskluzivisht rrëmbimin me çdo kusht dhe menyrë të pronës nga pronarët e vetë të ligjshëm dhe tjetërsimin e statusit pronësor më gjerë, në dëm të banorëve autoktonë të Himarës dhe në favor te interesave oligarke por edhe të atyre klienteliste te z Rama.
Së dyti, këto veprime përbëjnë deshmi te pakundërshtueshme qe provojnë në menyrën më të prekshme mprapshtësinë e qellimeve te vërteta të fshehura pas ndarjes së fundit territoriale-administrative për Himarën.
Së treti, u drejtohemi ambasadorëve të nderuar të akredituar ne vendin tonë, veçanërisht atyre të SHBA, BE-së, OSBE-së dhe Këshillit te Europës që të kthejnë syrin dhe vemendjen si edhe të kontribujnë që t’u jepet fund këtyre padrejtësive absurde në dëm të komunitetit historik te Himarës. Mentalitete, metoda dhe veprime  të tilla nuk kanë asgjë të perbashkët me shtetin e së drejtës, praktikat europiane dhe civilizimin tonë perëndimor.
Së fundi, a mund të flejë i qetë për fatet e demokracisë në vendin tonë çdo qytetar i përgjegjshëm kur një komunitet i tërë trajtohet me politika qe nuk kanë asnjë lidhje me të (demokracinë)?! Aq me tepër kur këto politika janë të inspiruara dhe zbatimi i tyre i monitoruar drejtpërsëdrejti nga kryeministri i vendit?!”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne