Shumë nga ne kanë hasur në fjalë të tilla si kazamatet turke, burgjet brutale turke etj. Këto jo vetëm që nuk janë fjalë gazetareske të raportimit të gjendjes reale, por janë propagandë dashakeqëse. Për më shumë, portalet kanë shpërndarë në mënyrë sporadike – pa i verifikuar paraprakisht në janë të vërteta ose jo – fotografi ku kinse shihen ushtarët osmanë duke dhunuar femrat shqiptare

Shkruan: Mirlind BEHLULI, Prishtinë

Shteti turk nga shqiptarët e Kosovës – dhe jo vetëm – qofshin këta prej përkrahësve ose kundërshtarëve të tij, njihet nëpërmjet mënyrash jo të duhura. Kjo, sepse pjesa më e madhe – me përjashtime pothuajse të pavërejtshme – ajo njihet nëpërmjet shtypit ditor, televizionit dhe nga seritë turke. Pra, thënë shkurt e qartë, nga masmedia.

Njohjet e këtilla mund t’i kategorizojmë në dy lloje: atë të informacionit rapid (shtypi ditor e televizionit, përfshirë aty-këtu ndonjë emision në radio), dhe të informacionit gjysmë të komplikuar (filmit, kinemasë e videove propaganduese). Tek njohja e parë, pra tek njohja nëpërmjet mediave, Turqia në të shumtën e rasteve është një vend i huaj, i portretizuar në mënyrë negative, i shpjeguar me terma pezhorativë, i ndryshëm nga ne. Ajo është tjetri – në raport me Kosovën. Është ajo çfarë Kosova nuk është. E për më shumë, është ajo çfarë Kosova nuk bën të jetë kurrsesi. Kjo pamje, si pasojë e raportimit të shpeshtë, në mos të vazhdueshëm, ka rezultuar në një pamje të qëndrueshme. Imazhi turk, në të shumtën e rasteve, është i pandryshueshëm, d.m.th: negativ. Në këtë rast, gazetaria, qoftë ajo e portalit ose ajo televizive, nuk është një raportim thjesht i fakteve, por një ndërmarrje e krijimit të imazhit mbi Turqinë diktatoriale, joevropiane, të huaj, armike etj.

Shumë nga ne kanë hasur në fjalë të tilla si kazamatet turke, burgjet brutale turke etj. Këto jo vetëm që nuk janë fjalë gazetareske të raportimit të gjendjes reale, por janë propagandë dashakeqëse. Për më shumë, portalet kanë shpërndarë në mënyrë sporadike – pa i verifikuar paraprakisht në janë të vërteta ose jo – fotografi ku kinse shihen ushtarët osmanë duke dhunuar femrat shqiptare. Ato, pastaj, i përshkruhen tanimë imazhit negativ të krijuar të turkut imagjinar. Këto fotografi të përçuara nga shtypi e televizioni janë shpërfaqje e një grumbulli ndjenjash anti-turke. Ky raportim, që njëherësh është krijim i imazhit të Turqisë, që shitet si interpretim i asaj çfarë sot është Turqia, është shkurt një “orientalizëm medial”, pra orientalizëm në kuadër të shtypit, ku nëpërmjet lajmit – si raportim – krijohet një imazh fiktiv (i paqenë) i republikës turke.

Ndërkaq njohja e dytë, ajo e serive dhe videove propaganduese, posaçërisht serive që për temë kanë ngjarjet dhe figurat historike, e fton shikuesin drejt njohjes së një personifikimi të një Turqie të afërt, legjendare, të fuqishme. Pra, Turqia portretizohet si superfuqi, me një histori të thellë, heroike e tërësisht paqësore, me një të tashme stabile e një të ardhme të ndritur. Po të shpreheshim me terma trockianë, në këtë rast, kinematografia turke shërben si hutim nga realiteti.

Pra, në të dyja rastet ka një inxhiniering, që ka për qëllim krijimin e një imazhi iluziv për Turqinë. Dhe, emëruesi i përbashkët i të dy njohjeve është dija joadekuate mbi shtetin e Turqisë. S’do mend se këto dy njohje janë mbizotëruese në shoqëri. Kjo dije joadekuate – po të shpreheshim në terma të Saidit – është derivat i çerdhes publike të interpretimit dhe, si e tillë, është jashtëzakonisht e padobishme në njohjen e realitetit turk. Për më shumë, janë pakrahasimisht më të mëdha se njohja nga librat. Kjo, ngase njohja e Turqisë nëpërmjet librave është një ndërmarrje intelektuale e lodhshme. Libri kërkon përkushtim e vullnet, krahas kohës së lirë e përgatitjes filozofike. Është tejet rraskapitëse të lexosh “Thellësinë Strategjike” të Ahmet Davutoullut ose “Arsyeja dhe Vyrtyti” të Ibrahim Kallënit, librat e Hysejin Su-së, të Erbakanit, Fazliogullut, Ortajlliut, Karakoçit, Xhundioullut, Murat Belges, Sherif Mardinit e shumë autorëve të tjerë. Pra, është një përpjekje që kërkon orë, javë, vite, po aq sa edhe para. Ndoshta edhe një jetë nuk mjafton të njihet e kaluara dhe e tanishmja turke, historia e politika e Turqisë. Në të njëjtën kohë, ta njohësh Turqinë nëpërmjet librave, kjo kërkon njohjen e gjuhës turke, ngase gjuha – përveçse është një mjet komunikimi – është edhe mundësi konceptualizimi. Në anën tjetër, është e lehtë të lexosh shkrime dyparagrafëshe të lajmeve ose të shikosh një film dyorësh. Aq më shumë që thithja e lajmit ose shikimi i filmit, në të shumtën e rasteve, nuk është se kërkon njohje konceptesh filozofike, nuk është se kërkon ndërmarrje intelektuale komplekse, pos në rastet se studiohet kinematografia. E studiuesit e kinematografisë janë të paktë në mesin e shikuesve.

Shmangia e njohurive të gabuara mbi Turqinë dhe thellimi në dituri korrekte përparojnë si ritmet e mëkëmbjes së një të sëmuri që sapo është zgjuar nga koma. Prandaj, akademia jonë vazhdon të jetë në agoni të thellë diturore mbi Turqinë. Profesorët e akademikët tanë shumë herë duket se ëndërrojnë të mos zgjohen nga liturgjia diturore ku janë mbërthyer keqas. Kam përshtypjen se kjo është kështu pasi në këtë vend injoranca që projektohet si dituri e pranohet si e tillë nga masa, është parakushti themelor i të qenit i pranuar në moçalin e paditurisë kosovare, që nuk shteron assesi./ shenja

48