Dy vjet hetime, prokuroria mbyll dosjen e Plarent Ndrecës

Teksa ka qëndruar 27 muaj në hetim në prokurorinë e Tiranës, dosja penale kundër sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca dhe një zyrtari tjetër të këtij dikasteri Embri Kollçinaku, është pushuar.

Zyrtarët Ndreca dhe Kollçinaku kanë qënë kryetar dhe anëtar të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në procedurat tenderuese për ndërtimin e objektit “Tirana Olimpik Park”. Vendimi për pushimin e hetimeve është marrë 19 ditë përpara se në fuqi të hynin ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale (1 gusht 2017), ndryshime këto që lejojnë gjykatën e Tiranës të kontrollojë veprimet e prokurorisë dhe të marrë vendim për pushimin ose jo të dosjes hetimore.

“Shqiptarja.com” mëson se pas dy vite e 3 muaj hetime prokuroria Suela Salavaçi, në datën 12 korrik 2017 ka vendosur të pushojë çështjen penale nr.4186 të vitit 2015, ku në hetim ishin shtetasit Plarent Ndreca dhe Embri Kollçinaku. Këta dy zyrtarët që prej 12 majit 2015 janë paditur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së Pabarazizë së pjesëmarjes në tendera apo ankande publike”.

Pushohet dhe denoncimi i Ndrecës për audituesit
Njëherësh prokuroria Salavaçi ka vendosur të pushojë dhe hetimet për kallëzimin penal që ka paraqitur në prokurori Plarent Ndreca, kundër tre audituesve të KLSH Alush Zaçe, Hektor Kosova dhe Selime Bregu për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”. Ndreca ka pretenduar se tre audituesit kanë përpiluar dhe nënshkruar procesverbale pa prezencën e tij, por ky pretendim nuk ka gjetur bazë ligjore nga prokuroria e çështjes.

Punë falas pa firmosur asnjë kontratë
Mësohet se kallëzimi i KLSH bën fjalë për disa shkelje të konstatuara gjatë një auditimi pranë Agjensisë së Shërbimit të Sporteve dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, e cila kishte lidhur një kontratë me subjektin privat “Albanian Distributor Association” për studimin dhe projektimin e ambienteve të ish-klubit Sportiv “Dinamo”.

Qëllimi ishte që të studjohej e gjithë zona në mënyrë që të nisnin punimet për ndërtimin e objektit “Tirana Olimpik Park”. Sipas KLSH gjatë auditimit janë konstatuar një sërë elementësh të veprave penale të përshkruara më sipër me pasojë shkaktimin e një dëmi ekonomik financiar ndaj buxhetit të shtetit në vlerën prej 78.745.737 milion lekë.

KLSH pretendonte se kompania “Albanian Distributor Association” pasi ka kryer studimin e parë, ka marrë sërisht përsipër të kryejë dhe një studim të dytë, por këtë rradhë, pa nënshkruar asnjë kontratë me Autoritetin Kontraktues. Të gjitha punimet janë kryer falas nga kjo kompania, në një kohë që kishte kontraktuar dhe një tjetër studio private të quajtur “DEA Studio”.

Prokuroria:Nuk ka shkelje
Në vendimin e pushimit prokuroria Salavaçi argumenton se bashkëpunimi mes dy studjove inxhinjerike nuk i ka sjellë asnjë dëm ekonomik shtetit shqiptar dhe për pasojë nuk ka shkelje. “Fakti se institucioni apo Autoriteti Kontraktues ka arritur të sigurojë një projekt të ri pa kosto shtesë, e cila normalisht do rëndonte mbi buxhetin e shtetit, nuk mund të konsiderohet shkelje pasi nuk ka sjellë dëm ekonomik.

Dëm ekonomik do kishim sikur të rikonceptohej një projekt i ri, me një kosto të re, kur ndërkohë një projekt paraprak ishte paguar po me fondet e ministrisë dhe të dala nga buxheti I shtetit”-thotë prokuroria.

KLSH u favorizua firma e Carapulit
KLSH thotë se në analizë të prenventivit të projektit të dytë, të hartuar nga shoqëria “Albanian Distributor Association” dhe “DEA Studio” konstatohet që rreth 83.2 për qind e çmimeve të të gjithë zërave të këtij prenvetivi janë idetike me çmimet e ofertuara nga shoqëria fituese e tenderit të zbatimit të këtij projekti EUROCOL,kompani e cila është në pronësi të Pandeli Carapulit. Sipas KLSH kjo kompani është favorizuar në mënyrë të qëllimshme në procedurat tenderuese, duke fituar dhe tenderin për ndërtimin e objektit në zonën e ish-kompleksit sportiv Dinamo.

Mirëpo në vendimin e pushimit prokuroria Salavaçi argumenton se: “…fakti që subjekti fitues “EUROCOL” ka qënë identik në ofertë me specifikimet teknike  të produkteve të kërkuara, nuk përbën shkelje ligjore penale nga ana e subjektit, që do të thotë se oferta e tij ka qënë e përshtatur sipas kërkesave të Autoritetit Kontraktues…”. Më tej prokuroria thotë në vendimin e saj të pushimit se shtetasit Plarent Ndreca dhe Embra Kollçinaku nuk kanë favorizuar këtë kompani gjatë fazës së procedurave të prokurimit dhe në veprimet e tyre nuk vërehen elementë apo të aludohet për lidhje direkte me subjektin fitues. “…Të gjitha rrethanat e parashtruara nga KLSH, janë rrethana paragjykuese të cilat në aspektin penal nuk formojnë asnjë provë konkrete, mbi bazën e të cilës të mund të ngrihen akuza direkte ndaj tyre për favorizim të subjektit EUROCOL, përkundrejt operatorëve të tjerë ekonomikë pjesëmarës në tender…”-thotë prokuroria.

U paraqit punim i ngjashëm “Toptani Center”
Gjithashtu prokuroria thotë se nuk vëren elementë të konsumimit të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” nga ana e Plarent Ndrecës dhe Embri Kollçinakut, pse nga ana e tyre është vlerësuar punim i ngjashëm godina “Toptani Centër” e paraqitur nga EUROCOL dhe nuk janë vlerësuar si të tilla ato të paraqitura nga operatorët e tjerë ekonomikë.

Anëtari i KVO: Të përjashtohen të gjithë
Mësohet se në shqyrtimin e ofertave vetëm njëri nga tre anëtarë të KVO nuk ka qënë dakort.Shtetasi Alkesandër Prenga, rezulton të mos jetë kallëzuar në prokurori nga KLSH, pasi ai në raportin përfundimtar është shprehur përfundimisht që duheshin skualifikuar të gjitha ofertat ekonomike, pasi asnjëri prej konkuruesve pjesëmarës në tender nuk plotësonte kriteret e kryerjes së punimeve të ngjarshme me objektin e prokurorimit. I pyetur specifikisht në prokurori në funksion të këtij detaji, Aleksandër Prenga është shprehur se kompanitë garuese nuk kishin sjellë punime të ngjashme ndërtimi, të parqeve olimpike. Kompania EUROCOL ka paraqitur pranë komosionit të Vlerësimit të Ofertave punimet që ka kryer në qëndrën tregtare “Toptani Centër” në Tiranë.

I pyetur në lidhje me drejtuesen teknike të shoqërisë “EUROCOL”, e cila rezultonte e rregjistruar pranë organeve tatimore apo listpagesave teknike e detyrimeve shoqërore e shëndetësore vetëm për periudhën Gusht-Shtator 2014 dhe jo në momentin e rregjistrimit të saj si drejtuese teknike tek kjo shoqëri, Prenga është shprehur se anëtarët e komisionit kanë verifikuar listpagesat e punonjësve më tepër referuar numrit të tyre dhe jo emrave konkret, se kush ishte i rregjistruar ose jo.

Ngjashmëria e 2 objekteve
Gjatë hetimeve 2 vjeçare në prokurori është marrë në pyetje dhe shtetasi i kallëzuar Embri Kollçinaku, i cili ka treguar para grupit hetimor se nga ana e tij është vlerësuar se ndërtimi i qëndrës Toptani,kishte ngjashmëri me ndërtimin e “Tirana Olimpik Park”. Për llogari të këtij hetimi prokuroria ka marrë në pyetje dhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve njëherësh kryetarin e KVO të kallëzuarin Plarent Nderca. Në dëshminë e tij ai ka pohuar se vlerësimin e dokumentacionit ata e kanë kryer mbi bazën e atyre që ishin përgatitur, duke i qëndruar strikt ligjit dhe kërkesave të dokumentacionit të tenderit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne