nga Abdi Baleta.

Ky titull është perifrazim i fjalisë “Dans la boite de Pandoreseulerestal‘Esperance” (Në kutinë e Pandorës mbeti vetëm Shpresa), me të cilën në fjalorin e gjuhës frënge “Le Pettit Larousse Illustre” mbyllet shpjegimi rreth “kutisë mitologjike”, ku gruaja me emrin Pandora, sipas urdhrit të Zeusit, mbante mbyllur erërat e fatkeqësive për të mbrojtur ose kërcënuar me to njerëzimin. Sot, termat “hapje e kutisë së Pandorës” nuk janë më mitologji, por politikë dhe politologji e frikshme. “Zeusët e sotëm” në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe lajmëtarët e tyre na kujtojnë pa pushim se në Ballkan ka rrezik të hapet “kutia e Pandorës” dhe të dalin demonët e fatkeqësive. Neve shqiptarëve na thonë se po të kërkojmë të drejtat tona të plota mund të bëhemi të akuzuarit kryesorë për gjëmat që do të vijnë si në fillim e në mbarim të shekullit XX, kurse kyçet e kësaj kutie i mbajnë drejtuesit e politikës së pak shteteve të mëdha. Pushtetarët shqiptarë nuk kanë asgjë në dorë, edhe pse krenohen se po e ruajnë stabilitetin në Ballkan.

 

*  *  *.

Është vërtet për të ardhur keq që shqiptarët po shqetësohen më fort se për çdo gjë tjetër nga rrjedhojat që mund t’ia sjellë Ballkanit hapja e “kutisë së Pandorës” dhe nuk merakosen fare se në këtë “kuti të Pandorës” mund të mbeten pambarimisht të mbyllura e të paplotësuara ëndrrat, të drejtat dhe interesat kombëtare shqiptare. Në “kutia e Pandorës” çështja e pazgjidhur kombëtare shqiptare përdoret më shumë si ambalazh për të ruajtur butë një “margaritar” fals të diplomacisë ndërkombëtare, që deri tani është quajtur FYROM, dhe tani, pas tri dekada kërkimesh diplomatike, po ripagëzohet “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Edhe diskutimet e tanishme rrumpallë të diplomatëve ndërkombëtarë rreth “nismës Thaçi” për kufirin Kosovë-Serbi diktohen më shumë nga hamendësimet se çfarë ndikimi mund të ushtrojnë ato mbi stabilitetin në “Republikën e Maqedonisë Veriore”. Frika më e madhe është se mos zgjohet dëshira e vullneti i maqedonas-veriorëve shqiptarë që dhe ata të kërkojnë statusin që u premtohet shqiptarëve preshevarë.

Por, as këto zhvillime nuk po i shkundin mendësitë politike e diplomatike shqiptare që të dalin më guximshëm në terrenin e futurologjisë kombëtare. Këtë të bekuarën fjalë “futurologji” pak shqiptarë e kuptojnë se çfarë do të thotë, madje “Fjalori i gjuhës së sotme Shqipe” (1980) nuk e ka fare. Duhet të hapësh ndonjë fjalor të huaj, si “Le Petit Robert” i gjuhës frënge, të gjesh shpjegimin se “futurologji do të thotë një tërësi kërkimesh në perspektivë lidhur me evolucionin e ardhshëm shkencor, ekonomik, shoqëror, teknik të njerëzimit”. Shpjegimi është i thjeshtë, por punët që kërkohen, të duken të rënda për t’u bërë. Mendimi politik shqiptar mbetet ende deficitar në këtë drejtim. Edhe një herë që Akademia e Shkencave të Shqipërisë shpalli me mburrje në vitin 1998 si projekt futurologjik “Platformën e zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare” dështoi turpshëm, sepse bëri thjesht “futurologji të shpëlarë në të shkuarën”, duke rekomanduar po ato moszgjidhje që i kishin përcaktuar tashmë fuqitë e mëdha dhe shtetet fqinje ballkanikë. (Platforma e ASHSH-së pranonte si zgjidhje të çështjes shqiptare që Kosova të bënte pjesë në një federatë me Serbinë e Malin e Zi, shqiptarët në Maqedoni të mjaftoheshin me statusin e elementit shtetformues, kurse shqiptarët në Mal të Zi, Preshevë e Çamëri të kënaqeshin me disa të drejta kulturore si pakica). Shqiptarët po i pengon shumë mungesa e përvojës dhe aftësia e mjaftueshme parashikuese në fushën e mendimit politik dhe diplomatik dhe vazhdojnë të mendojnë e veprojnë sot për nesër. Megjithatë, shqiptarët e sotëm nuk kanë të drejtë të vetëshfajësohen, sepse nuk janë krejt pa traditë futurologjike në parashtrimin e të drejtave e të  kërkesave të tyre. Themelet e futurologjisë politike i vendosën dy korifenjtë e parë të zgjimit kombëtar shqiptar, Pashko Vasa dhe Sami Frashëri, qysh në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Në veprën “E vërteta mbi Shqipërinë e shqiptarët” dhe sidomos në poezinë-kushtrim “Moj Shqypni e mjera Shqypni” Pashko Vasa i nxiti shqiptarët për zgjim e përtëritje kombëtare dhe u kujtoi atyre se ka pasur popuj që pas një bumi zhvillimi janë rrënuar, të tjerë që janë fshirë nga historia pa lënë gjurmë dhe të tjerë që kanë arritur ta ruajnë e ripërtërijnë qenien e tyre të veçantë. Ai theksonte: “Në këtë kategorinë e fundit bën pjesë edhe populli i shqiptarëve”.Veprën e tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” Sami Frashëri e konceptoi dhe e shkroi si një traktat të mirëfilltë të futurologjisë politike për kombformimin e shtetndërtimin shqiptar, pikërisht në kohën më delikate, kur Perandorinë Osmane e kërcënonte shembja e shpejtë dhe shqiptarët nuk duhej të mbeteshin nën rrënojat e saj. Veprat e Pashko Vasës dhe të Sami Frashërit vazhdojnë të jenë jo vetëm trashëgimi e vyer historike, por dhe udhërrëfyese me vlera praktike e politike për ardhmërinë kombëtare shqiptare.

Së pari, duhet kuptuar mirë se shqiptarët ende mbeten një komb i rrezikuar në ekzistencën dhe identitetin e vet, sepse ai zgjim kombëtar që nisi para një shekulli e gjysmë tani duket se po ia lë vendin përgjumjes kombëtare. Ëndrrat shqiptare të dikurshme sikur kanë humbur dinamizmin e romantizmin e tyre dhe janë ndërthurur ose shkrirë me gjithfarë ëndrrash të huaja që zbehin kujtesën dhe topisin ndjesitë shqiptare. Shqiptarët ende nuk po e gjejnë guximin e shkathtësinë për ta ndjekur me vendosmëri amanetin e Sami Frashërit “Shpëtimi e humbja e Shqipërisë është në dorë të shqiptarëve”. Shqiptarët më shumë presin e lusin nga të tjerët dhe kanë bezdi të stërvisin aftësitë parashikuese e planizuese për zhvillime afatgjata. Nga fëmijëria më kanë mbetur të ngulitura në mendje bisedat midis të moshuarve në fshat, kur i qanin njëri-tjetrit hallet për vështirësitë e jetës. “Nuk e dimë se ç’na pret” – thoshte njëri. “Zoti e bën e mirë” – përgjigjej tjetri. Kjo frymë më duket sikur sot gjallon e tingëllon e banalizuar në mendësitë dhe sjelljet politike deri në nivele të politikave shtetërore. Sa herë bëhen ankesa nga njerëzit e zakonshëm se nuk po e dimë ku jemi, nuk po e kuptojmë ku vemi, nuk shohin rrugëdalje nga bataku ku na kanë hedhur, u vjen përgjigjja gjumëvënëse nga pushtetarët, politikanët dhe shumë intelektualë se “Po shkojmë drejt Europës së Bashkuar, ku do të zgjidhen të gjitha hallet e punët tona”. Këtë qasje e nxisin prej tri dekadash politikat e diplomacitë e huaja që, gjithashtu, e kanë në majë të gjuhës formulën “E ardhmja e shqiptarëve është në Europën e Bashkuar”. Por, se kur do të ndodhë kjo nuk po e thonë as përafërsisht. Fundja, nuk ka dobi ta thonë kur vetë nuk jemi në gjendje ta kuptojmë se çfarë do të thotë të integrohesh në këtë Europë. Shqiptarët, fillimisht, duhet ta vrasin mirë mendjen se çfarë duhet të arrijnë në Shqipëri që të integrohen realisht e me dinjitet në Europën e Bashkuar.

Politika shqiptare, mendimin politik dhe intelektual shqiptar bëjnë mëkatin e rëndë që nuk mbajnë parasysh se në kurriz të kombit shqiptar po veprojnë sot fuqishëm e rrënueshëm dy faktorë, që gjatë historisë kanë prodhuar kategorizimin e popujve që paraqiste Pashko Vasa: 1) rrëmbimi i territorit të një populli; dhe 2) shpopullimi i territorit nga populli të cilit i përket. Historia na tregon se një popull rrezikon të zhduket kur ia rrudhin e rrëmbejnë territorin ku ai jeton, kur e detyrojnë të bëhet popull endacak ose kur synojnë ta asimilojnë brenda në territorin e vet. Të dyja këto rrugë ndiqen ende në dëm të kombit shqiptar. (Derisa i shkruaj këto rreshta, ndërpres punën për të ndjekur emisionin televiziv me shumë vlerë të gazetarit Marin Mema mbi vëzhgimet dhe bisedat që ka bërë në Sanxhak, ku 80% e 300,000 banorëve janë shqiptarë, por midis tyre ka që e quajnë veten boshnjakë. Pra, në Serbi ka shembuj të gjallë të gjenocidit, tjetërsimit të grupit etnik, që vazhdon pa ndërprerje mbi shqiptarët. E diplomacia shqiptare vazhdon të heshtë për këtë).

Kreun VIII të veprës së vet Sami Frashëri e emërtonte “Shqiptarët kanë qenë gjithnjë për botën dhe kurrë për vete”. Disa vite më vonë këtë ide të Sami Frashërit do ta mbështeste historiani rumun Nikolae Jorga:“Shqiptarët janë caktuar nga fati të jenë gjithmonë përkrahësit e punëve të huaja. Qysh kur u shfaqën në histori, fuqitë e tyre shërbejnë të themelojnë organizime të shteteve të tjera, të shpejtojnë zhvillimet kombëtare të të tjerëve. Ndihmuan bullgarët të formojnë perandorinë e tyre me qendër në Ohër, u shërbyen normanëve. Edhe kur shpërthyen në Greqi dhe e mbuluan atë si një valë, përfundimi qe ky që e shtuan numrin e grekëve të sotëm. Shqiptarët e Hidrës ndihmuan më vonë me guximin dhe heroizmin e tyre lavdinë e kryengritjes greke. Që me ardhjen e turqve burrat e shtetit më energjikë në Perandorinë Osmane qenë pa dyshim shqiptarët” (“Rilindja Javore”, 1-7 dhjetor 1996). Gjatë periudhës më të madhe të ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar nën regjimin komunist (1945-1990) shqiptarët janë mburrur si vendi më i përkushtuar ndaj socializmit e komunizmit në Europë, duke mos ditur sa keq kishin mbetur për vete. Pas rrëzimit të komunizmit deri sot mburrja më e madhe politike e shqiptarëve është përkushtimi ndaj ndërtimit të “Ballkanit pa mure” dhe integrimit në “Europën e Bashkuar”. Pra, asnjëherë në jetën shtetërore të shqiptarëve nuk ka qëndruar në rend të parë një projekt kombëtar shqiptar i mirëfilltë.

Plaga më madhe shqiptare sot është shpopullimi i trojeve nëpërmjet emigrimeve masive të shqiptarëve. Gjatë 30 viteve të fundit shqiptarët janë bërë sërish rezervuar i madh njerëzor, ku kryesisht Greqia nxjerr lëndë të parë demografike për të kompensuar humbjet e saj dhe për të ushqyer me fuqi punëtore ekonominë e saj në vështirësi. Historiani Oliver Jens Shmidt u ka kujtuar para disa vitesh shqiptarëve se, pas vdekjes së Skënderbeut, principata e Kastriotëve pësoi një “kolaps demografik”. Emigrimet nga të gjitha trojet shqiptare tani janë më masive se në atë kohë. Gjatë vizitës në Vatikan, para disa ditësh, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u mburr para Papa Françeskut se Skënderbeu me vetëmohimin e shqiptarëve mbrojti qytetërimin perëndimor (krishterimin). Kurse kreu i Selisë Shenjtë, pasi i dha presidentit shqiptar një dekoratë (indulgjencë papale për shlyerje mëkatesh), në fjalën e tij bëri një gjest më të rëndësishëm, e vuri fort gishtin pikërisht në plagën më të madhe të shqiptarëve sot që po kullon “gjak demografik” dhe i tha Metës se: “Europa po përjeton një dimër demografik, ndaj vendi juaj duhet të mos vuajë nga ky fenomen i cili kërkon një përkujdesje dhe vëmendje më të madhe në edukimin, arsimimin dhe krijimin e mundësive më të mira për ta (të rinjtë shqiptarë)” (“Telegraf”, 18 shtator 2018). Kjo plagë ka qenë malcuar për një kohë të gjatë, para se të shpërthente me gjak e qelb. Një personalitet i shquar francez, mjeku Pol Miliez, që kujdesej për shëndetin e Enver Hoxhës, në kujtimet e tij ka shkruar: “Kur e pyeta Enverin cila është arsyeja që po e mban Shqipërinë të izoluar ai m’u përgjigj: Doktor unë do t’i mbaj kufijtë të mbyllur edhe për disa vjet, sepse nëse i hap kufijtë shumica dërrmuese do të emigrojnë siç kanë bërë në shekuj. Shqiptari është i aftë të japë maksimumin në tokë të huaj, ndërsa për vendin e vet nuk kontribuon” (“Tema”, 19 shtator 2018). Pasojat e kësaj politike e kësaj fryme i pamë në eksodet shqiptare pas vitit 1990. Deri tani afër 40% e popullsisë e ka braktisur Shqipërinë. Në analizën e mbingarkuar me cinizëm politik të Enver Hoxhës ka dhe elementë të së vërtetës që duhen marrë parasysh edhe sot në studimet komplekse që duhen bërë nga shqiptarët për dukurinë e shpopullimit, sidomos në aspektin psikologjik. Kambanat e alarmit po bien pa pushim e përzishëm dhe nga drejtime të tjera për kolapsin demografik, ku po bie kombi shqiptar. Shqipëria, nga vendi i rritjes më të lartë të popullsisë në Europë, po kthehet në një vend të mplakjes me shpejtësi të popullsisë, aq sa po shqetësohen edhe mekanizmat ndërkombëtare që merren me futurologji në këtë fushë. Këtu duhet ta tregojë veten pikësëpari futurologjia shqiptare, qeveritare dhe akademike, sepse kombi shqiptar po pëson dëme që nuk ia kanë shkaktuar as luftërat e sundimet më të egra të huaja. Mirëpo, politikanët e pushtetarët shqiptarë edhe në këtë fushë kaq delikate tregojnë papërgjegjësinë e tyre të plotë e flagrante me akuzat e kundërakuzat që lëshojnë për qëllime pushteti. Harrohen paralajmërimet e Sami Frashërit për të këqijat e fenomenit të derdhjes së gjakut e djersës shqiptare nëpër botë që të përfitojnë më shumë të tjerët.

Shqiptarëve nuk u ndalet as “erozioni territorial”. Shqipëria e vërtetë etnike, gjatë periudhës nga “zgjimi kombëtar” e deri në kohën e “përgjumjes kombëtare” të sotme, ka humbur plot copa të majme. Tani e kërcënojnë se do të humbasë të tjera, përndryshe “hapet kutia e Pandorës” dhe pastaj nuk dihet se çfarë e keqe më e madhe mund t’i gjejë shqiptarët. Librin e titulluar “Shqipëri një enigmë europiane”(Albania: A Europian Enigma, SHBA, 1995), historiani amerikano-shqiptar Nikolas Kosta (me origjinë nga fshati Vithkuq i Korçës) e ka filluar me këto fjalë shumë kuptimplote në ditët tona: “Shqipëria sot është siç ka qenë qysh kur doli si shtet i pavarur në vitin 1912, është një komb në krizë… Ajo është një njësi gjeopolitike, pozita e së cilës si vend i pavarur u përcaktua në një shkallë të madhe nga veprimet e kundërveprimet e shteteve fqinj (Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Italisë), të cilët së pari u munduan të aneksonin trojet e banuara nga shqiptarë dhe pastaj synuan nëpërmjet një sulmi ballor ose depërtimit ekonomik të vendosin hegjemoninë mbi ‘Vendin e Shqiponjave’.” Ky vlerësim i Nikolas Kostës e ka përditësuar analizën që bënte Sami Frashëri në shkrimin datës 27 qershor 1878 me titull “Intrigat e sllavëve dhe të grekëve në Rumeli”. Rreziqet sllavo-greke për kombin shqiptar janë si atëherë. Në pozitë të njëjtë me atë që përshkruan Nikolas Kosta për Shqipërinë në vitin 1995 është edhe shteti i dytë shqiptar i pavarur, Republika e Kosovës, dhe e gjithë hapësira kombëtare shqiptare tani.

Para pak muajsh diplomacia ndërkombëtare ushtroi trysni dhe e kërcënoi Kosovën me vazhdimin e “getoizimit” të popullit të saj nëse nuk i lëshoheshin disa mijëra hektarë tokë Malit të Zi. Tani diplomacia ndërkombëtare, duke përfshirë dhe figura me rëndësi në Uashington e Bruksel, përsëri e nxorën mbi tryezën diplomatike idenë se Kosova, nëse dëshiron të hedhë ndonjë hap drejt integrimit hipotetik europian, duhet të plotësojë tekat territoriale e politike hegjemoniste të Serbisë. Funksionarë të lartë europianë, si Johanes Hahn, kanë lëshuar fjalë të mjegullta se shqiptarët duhet të kënaqin edhe tekat territoriale të Greqisë në kufijtë detarë tokësorë me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm grek e shfrytëzoi takimin me homologun gjerman në Athinë ta nxisë atë të ushtrojë trysni mbi Shqipërinë që të mos vonojë marrëveshja që e kërkon Greqia.

Katrahurën më të madhe politike e diplomatike shqiptarëve tani ua ka sjellë “nisma Thaçi” për “gërvishtjen” e kufirit Kosovë-Serbi. Si me komandë, forcat politike e intelektuale shqiptare u përfshinë në një marrëzi polemikash midis tyre, që po çojnë ujë vetëm në mullirin e Serbisë. Sipas presidentit Thaçi, çdo gjë është e pranueshme për shqiptarët, mjafton që të krijohet ideja se pas gërvishtjes së kufirit Serbia do ta njohë Kosovën e pavarur dhe Rusia do ta lejojë anëtarësimin e saj në OKB. Mirëpo, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, me “çiltërsi” tipike millosheviqiane, iu përgjigj duke shpotitur se “Serbia do ta njohë Kosovën kur të shihen derrat duke fluturuar”. Presidenti i Kosovës e kapërdiu këtë ironi me komentin se bëhet për nevoja elektorale. Por, shpotitë me figuracion nga bota e kafshëve nuk mungojnë edhe në të folmen shqiptare, madje janë pakëz më elegante dhe ne mund të themi se “Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës kur të qethen viçat”. Me sa duket, njohjen nga Serbia të pavarësisë Kosova dhe kombi shqiptar po e paguajnë me çmimin e një lufte të humbur, jo me përfitimin e një lufte të fituar. Kjo pozitë tragjikomike e shqiptarëve është shpalosur dhimbshëm nga gazetari kosovar Enver Robelli në titullin e shkrimit “Një popull duke pritur që të tjerët t’ia begenisin kapitullimin”, ku bëhet dhe paralajmërimi i saktë “Kompromisi me atë që nuk duhet bërë kompromis i ka kushtuar dhe do t’i kushtojë edhe më shumë Kosovës, madje me rrezikun e zhbërjes së shtetësisë” (“Tema”, 9 shtator 2018). Vetëm “përkujdesja patriotike”, shumë e vonuar dhe pa kurrfarë garancish, për të drejtat e popullsisë së Preshevës nuk mjafton për të justifikuar një gjëmë të tillë. Këtu e shoh të keqen e madhe që ka sjellë “Nisma Thaçi” dhe jo në ato “turfullimet (pseudo)patriotike” që ka bërë një krah zhurmëmadh i politikës në Kosovë e Shqipëri, i frymëzuar nga reagimet e papeshuara mirë të Sali Berishës kundër qëndrimeve të Thaçit. Tani presidenti i Kosovës po merr përsipër i vetëm autorësinë e nismës. Por, tashmë, ka dalë më qartë se para një muaji se “Nisma Thaçi” lindi në një sfond të caktuar ndërkombëtar, madje ka prodhuar jo pak shkrime kontradiktore përplasjes qëndrimesh shtetërore edhe midis krahëve të ndryshëm në diplomacinë euro-atlantike lidhur me trajtimin e problemeve të nxehta e të pazgjidhura të Ballkanit, si e ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, çështjes shqiptare në tërësi. Thaçi ende po e mban “sekret” planin e tij. Por, tashmë skeletin e këtij plani e kanë vizatuar diplomatët e vëzhguesit (Veton Surroi “Një leximi i ri historie”, “Pranorama”, 15 shtator 2015, etj). Shqetësimin më të madh tani nuk duhet ta kërkojmë tek ato “gërvishtjet” e vogla në kufirin Kosovë-Serbi, që e paska ndër mend vetëm Thaçi, por tek rrjedhojat e tjera të mundshme pas këtij veprimi. Ky hap është vetëm prelud i një furtune më të egër diplomatike, që mund të shpërthejë Serbia pasi të ketë shtënë në dorë Kosovën e Veriut me premtimin se do të bëjë lëshime në Preshevë dhe pastaj të kërkojë kompromise të reja për ta mbajtur edhe Preshevën nëpërmjet ndonjë shkëmbimi popullsish të shqiptarëve preshevarë me serbë nga viset e brendshme të Kosovës, që nuk do të ndahet. Serbia i do për vete edhe Veriun e Kosovës, edhe Luginën e Preshevës. Serbët gjithnjë kanë thënë se ata duhet të fitojnë diçka nga shkëputja e Kosovës.

 

*  *  *

Libri “Shqipëria një enigmë europiane” më 1995 mbyllej kështu: “Pra, sot, sikurse në të shkuarën, pyetja mbetet: a duhet të vazhdojë të ekzistojë Shqipëria, jo në lidhje me njerëzit e saj, por si një njësi e pavarur politike brenda kufijve gjeopolitikë europainë, të cilët në kohën e sotme e përcaktojnë kombin shqiptar”. Kjo pyetje duhet të bëhet me shqetësim edhe më të madh tani për rastin e Kosovës dhe, rrjedhimisht, edhe për dy shtetet shqiptarë e për gjithë kombin shqiptar. Shqiptarët vazhdojnë të ballafaqohen me fatin e tyre tragjik historik, me mëkatin e tyre politik të vazhdueshëm, që është mungesa e nacionalizmit dhe me taksiratin diplomatik ndërkombëtar.

34