E fejuara e gazetarit të humbur saudit Jamal Khashoggi tha se deklaratat e bëra nga zyrtarët sauditë nuk janë “as të mjaftueshme, e as të kënaqshme”.

Në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA), Hatice Cengiz tha se ka një fushatë njollosëse në Arabinë Saudite, e cila drejtohet nga agjencitë e lajmeve të mbështetura nga regjimi saudit dhe llogaritë e rreme.

“Kjo është krejtësisht trishtuese. Vetëm këto fushata dhe reflekse kundër meje po tregojnë se ka shumë të dyshuar në këtë rast”, theksoi ajo.

Khashoggi, i cili është një nga gazetarët më me ndikim në Lindjen e Mesme dhe kolumnist i Washington Post, hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor dhe prej atëherë nuk është parë më.

Sipas policisë turke, teksa Khashoggi ishte brenda, 15 sauditë, duke përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy aeroplanë dhe hynë në konsullatë.

Prokurorët e Stambollit po hetojnë incidentin, ndërsa konsullata ka thënë në Twitter se është duke punuar në koordinim me autoritetet turke.

Turqia të hënën shprehu pritjet e saj për “bashkëpunim të plotë” nga Arabia Saudite në kërkim të gazetarit të humbur.

Sipas burimeve diplomatike, Arabia Saudite të martën ftoi ekspertë turq dhe zyrtarë relevantë për të vizituar konsullatën.

Pyetje: “Cilat ishin hezitimet e të fejuarit tuaj ditën kur ju erdhët në konsullatë? Përse ai ju tha të thërrisni Yasin Aktay dhe Turan Kışlakçı nëse ai nuk do të kthehet?”

Hatice Cengiz: Jamal nuk ishte aq hezitues në vizitën tonë të dytë në konsullatë më 2 tetor. Për shkak se vizita e tij e parë në Konsullatën më 28 shtator ishte pozitive. Ata e pritën atë mirë në konsullatë dhe e përgëzuan për shkak se po martoheshim. Ai u largua nga konsullata i lumtur dhe i relaksuar pas vizitës së tij të parë. Ai madje më tha se ishin të befasuar kur kanë parë atje. Nuk kishte përgjigje negative lidhur me dokumentet e kërkuara që duhej të merrte gjithashtu. Ata i thanë atij se do ta ndihmonin. E gjithë kjo mund ta ketë bërë që ai të mos hezitojë për vizitën e tij të dytë në konsullatë. Përveç kësaj, nëse e kisha parë të shqetësuar, sigurisht do ta kisha penguar që të shkonte sërish në konsullatë. Në tërësi, ai mund të analizojë se çfarë po ndodhte më mirë se unë. Ai nuk përmendi asnjë nga shqetësimet e tij para meje para vizitës së tij të dytë. Një herë, e pyeta se kë duhet të kontaktoj nëse kishte ndonjë problem të papritur me të cilin mund të përballej ose një çështje lidhur me qëndrimin e tij politik rreth vendit të tij. Ai më tha që Yasin Aktay është një mik i vjetër i tij dhe unë mund ta thërras atë. Dhe e di se Turan Kışlakçı dhe ai janë miq të ngushtë. I thirra ata për shkak të kësaj. Ai nuk më dha ndonjë sugjerim të veçantë që ta thërrisja Turan Kışlakçı-n.

“Kam përjetuar frikë të madhe si asnjëherë më parë”

Pyetje: Ishte vizita e dytë që ai i bëri konsullatës në disa ditë të fundit. Çfarë fliste ai për atë, përse iu caktua një tjetër takim për disa ditë më vonë dhe a hytë në konsullatë me të?

Hatice Cengiz: Siç thashë, ne shkuam në konsullatë të premten, më 28 shtator, për herë të parë. Ne shkuam atje për të kërkuar dy dokumente për procedurat e martesës, certifikatën e statusit martesor dhe kopjen e certifikatës së lindjes. Po atë ditë, Jamal kërkoi të largohet, pasi priti një orë, për shkak të udhëtimit të tij në Londër. Ai i informoi ata se do të kthehej nga Londra të martën dhe do të vizitonte konsullatën atë ditë përsëri. Në të dy vizitat tona, nuk hyra brenda. Personat të cilët nuk kanë asgjë për të bërë në konsullatë, nuk u lejohet të hyjnë si shoqërues. Vetëm ata që kanë punë brenda mund të hyjnë. Dhe kjo ishte ajo që na thanë në derë. Kështu që kam pritur jashtë gjatë të dyja vizitave. Kur ai tha se dëshironte të kthehej përsëri, personat relevantë duhet t’i kenë thënë se ‘Do t’i bëjmë dokumentet gati kur të vini’ dhe kur e pyeta se ‘A do t’i marrim dokumentet?’, Ai tha se ‘Ata folën pozitivisht, shpresoj se do t’i japin’.

Pyetje: Çfarë menduat kur ai hyri brenda dhe nuk doli? Me çfarë shqetësime lajmëruat Yasin Aktay dhe të tjerët?

Hatice Cengiz: Kam përjetuar një frikë të madhe që kurrë nuk e kam përjetuar më parë në jetën time. Bota filloi të më sillej rreth kokës dhe isha e hutuar se çfarë të bëja. Pas i dërgova mikes sime më të mirë për të ardhur menjëherë, unë u afrova drejt gardhit të konsullatës dhe e pyeta rojen e sigurisë atje nëse Jamal-i e kishte lëshuar ndërtesën. Roja e sigurisë më vështroi me sy të befasuar dhe tha se nuk e dinte se kush ishte Jamal-i, se nuk kishte njeri brenda dhe të gjithë ishin larguar. Pas kësaj përgjigje, thirra konsullatën. Unë u thashë se isha duke pritur jashtë, se Jamal hyri brenda në orën 13:00 dhe se ai nuk ka dalë nga dera. Zyrtari e mbylli dhe erdhi te dera ku isha duke pritur. Ai më tha se kishte kontrolluar të gjitha dhomat dhe nuk kishte asnjë person brenda; kështu që ishte e pakuptimtë për mua të prisja aty. Pas kësaj përgjigjeje, ai u zhduk dhe unë thirra menjëherë Yasin Aktay dhe me një nxitim, i tregova për situatën. Pas zotëri Yasin, unë e thirra edhe Turan Kışlakçı-n. Menjëherë pasi forcat e sigurisë dëgjuan për të, rasti u dëgjua edhe në media.

“Nuk kishte lëvizje që ishte jashtë të zakonshmes”

Pyetje: Ndërkohë që z. Khashoggi ishte brenda, pasi hyri dhe konsullata u mbyll, a keni parë ndonjë lëvizje në ardhjet dhe daljet që nuk ishin të zakonshme? A kishte ndonjë automjet të pazakontë, njerëz që largoheshin nga konsullata?

Hatice Cengiz: Nuk kishte lëvizje për ta tërhequr vëmendjen. Gjithashtu, konsullata gjendet pranë rrugës dhe hyrjet dhe daljet bëhen nga një rrugë e ngushtë. Zakonisht, ka një bllokim trafiku dhe shumë automjete zyrtare konsullore janë të parkuara. Pra, kishte një mbingarkesë përpara konsullatës. Mbaj mend njerëz që hynin dhe dilnin, por unë do t’i kisha pyetur po të kisha vërejtur ndonjë gjë të pazakontë. Unë gjithashtu mendova se trafiku rrjedh normalisht sepse nuk kam pasur mendimin më të vogël se mund të ketë një zhdukje apo rrëmbim.

Pyetje: Z. Khashoggi shkoi në Konsullatën Saudite në Stamboll për të kryer procedurat zyrtare lidhur me martesën. Pse e zgjodhi Turqinë e jo SHBA-në? A nuk mund t’i bënte këto procedura në Konsullatën e Arabisë Saudite në SHBA? A ka ndonjë arsye të veçantë pse zgjodhi Stambollin?

Hatice Cengiz: Nuk e kam pyetur se pse nuk e merr dokumentacionin nga SHBA. Sepse martesa do të bëhej këtu. Nuk ka asnjë informacion që thotë se dokumenti i marrë nga ajo konsullatë është i vlefshëm këtu. Dhe kur shkuam në zyrën e regjistrit të martesës, zyrtari tha se një i huaj që martohej mund të merrte dokumentin vetëm nga konsullata e atij vendi ku ndodh martesa. Unë nuk e di nëse ai kishte bërë një përpjekje tjetër lidhur me këtë çështje para se të vinte në vendin tonë. Por nëse ai do të kishte bërë, do të më kishte thënë. Ose, nëse do të kishte pyetur për këtë dhe do të kishte marrë përgjigje negative, ai do të ma kishte thënë edhe këtë. Nga ana tjetër, ambasadori i Rijadit në Washington tha: “Ne biseduam me Jamal-in në një program vitin e kaluar, ai ishte një kolumnist që kritikoi qeverinë saudite në një nivel të arsyeshëm”. Kjo është raportuar nga agjencitë dje (e martë) në orët e vona. Unë jam e sigurt se nëse ai kishte kërkuar dokumentet që i duheshin prej tyre, mendoj se ambasadori do ta thoshte këtë në deklaratën e tij. Si rezultat, ai donte të bënte procedurat këtu, pasi mendonte se do të bëheshin më shpejtë dhe më lehtë në këtë vend.

“Në përgjithësi, këto deklarata nuk janë konsitente”

Pyetje: Asgjë nuk u dëgjua nga z. Khashoggi pasi ai hyri në konsullatë. Po shfaqen skenarë të ndryshëm. Sipas mendimit tuaj, çfarë mund të ketë ndodhur? A i konsideroni deklaratat e bëra nga Arabia Saudite të kënaqshme? Cili është mendimi juaj?

Hatice Cengiz: Ka shumë mundësi për të cilat po flitet. Ashtu si të gjithë të tjerët, po e ndjek (çështjen) në media. Pasi isha me të në atë kohë, lajmi se ai kishte hyrë në konsullatë është i sigurt. Megjithatë, pamjet që u publikuan dje (e martë) në gazeta shërbejnë si dëshmi e fortë kundër atyre që pohojnë se ai kurrë nuk hyri në ndërtesë. Tani, pala tjetër duhet të paraqesë prova se Jamal-i doli nga ndërtesa. Kjo është për shkak se ata kanë pretenduar se ai hyri në ndërtesë dhe u largua pak kohë më pas. Më vonë, ata thanë se kamerat nuk punonin në kohën kur Jamal-i ishte aty. Cila konsullatë në botë ka kamera që nuk punojnë? Për më tepër, po flasim për një vend kritik si Arabia Saudite. Po ashtu, ata ndanë informacionin se kamerat nuk po punonin ditën në fjalë shumë ditë më pas. Në përgjithësi, këto deklarata nuk janë konsistente. Gjithashtu, ambasadori saudit ishte për herë të parë i thirrur në Ministrinë e Jashtme. Në fillim të këtyre takimeve që nuk dhanë rezultate, u kërkua leje për të hyrë në konsullatë. Së këtejmi, unë mendoj se deklaratat që vijnë nga sauditët nuk janë as të mjaftueshme, as bindëse. Gjithashtu, në Arabinë Saudite është iniciuar një fushatë e rëndë për shpifje kundër meje. Kjo po bëhet nga agjencitë e lajmeve të mbështetura nga sauditët dhe nga llogari të rreme. Kjo, sigurisht, është shumë trishtuese. Vetë reflekset e tilla tregojnë se ka shumë dyshime rreth çështjes. Nga ana tjetër, proceset diplomatike po mbahen midis vendit tonë dhe konsullatës që nga fillimi i çështjes sikur kjo të ishte një ngjarje normale. Ndërsa jam e hutuar nga kjo, besoj që administrata po vepron në këtë mënyrë sepse ka një strategji specifike. Progresi është shumë i ngadalshëm, por zyrtarët qeveritarë relevantë po kryejnë një hetim serioz. Do të arrihet një përfundim i bazuar në të gjitha dokumentet dhe pyetjet. Ky përfundim do t’i zbulohet publikut nëse dëshmitë mbështetëse janë të forta. Mendoj se ka ndodhur një ngjarje ndryshe nga çdo gjë që është parë në shekullin e 21-të. Është një periudhë kritike për vendin tonë. Gazetarët nuk po veprojnë me të njëjtin kujdes që e shohim te zyrtarët e shtetit. Duke u bazuar në informacione të paqarta, disa gazetarë pohuan se ai ka vdekur, edhe pse nuk ishin në gjendje ta vërtetonin këtë. Botës së pari iu tha se Jamal Khashoggi vdiq dhe pastaj se nuk ishte e sigurt. Një lajm i tillë është mjaft i vështirë për të dashurit e tij. Unë besoj se, në çdo rast, marrëdhëniet e Arabisë Saudite me vendet e tjera do të dëmtohen rëndë, veçanërisht ato me Turqinë. Një veprim i tillë jashtë rregullave të diplomacisë dhe sundimit të ligjit në vendin tonë kundër qytetarit të tyre sigurisht që nuk do të mbetet pa përgjigje dhe do të jepet përgjigja e nevojshme.

“Hetimi patjetër do të zbulojë diçka”

Pyetje: Arabia Saudite lejoi Turqinë të kryejë një hetim në konsullatë. Çfarë mendoni për këtë leje që do të jepet disa ditë pas zhdukjes së tij. A mendoni se do të zbulojë diçka?

Hatice Cengiz: Nuk mendoj se shteti turk varet vetëm nga informatat apo dokumentet që do të kenë brenda konsullatës. Tani për tani hyrjet dhe daljet në vend kontrollohen dhe pamjet e dyshimta po hetohen. Prandaj, informacionet dhe dokumentet që ata do të mbledhin para hetimit të konsullatës do të kenë një ndikim të shpejtë në këtë rast. Ky hetim patjetër do të zbulojë diçka. Përveç kësaj, deklarata e konsullatës se kamerat nuk po regjistronin atë ditë e bën çështjen të dyshimtë që nga fillimi.

“Nuk besoj se ndërtesa e konsullatës është zgjedhur në mënyrë të veçantë”

Pyetje: Në rast se regjimi saudit dëshironte të heshte z. Khashoggi-n për artikujt e tij kritikë, pse ata do të zgjedhin në veçanti konsullatën? A ju duket e pazakontë po ashtu edhe zgjedhja e kohës dhe vendit?

Hatice Cengiz: Askush nuk e di vërtet arsyen e vërtetë të kësaj. Duket sikur ata ishin të shqetësuar më shumë se që dukej nga qëndrimi që ai e shfaqte dhe popullaritetin e tij ndërkombëtar, sesa vetëm nga ekzistenca e tij. Edhe nëse akuzat janë të sakta, nuk besoj se ndërtesa e konsullatës ishte zgjedhur në mënyrë të veçantë. Ai – një person kritik ndaj tyre – kishte ardhur vetë. Ata mund të kenë dashur ta kthejnë këtë në një mundësi. Unë mendoj se kjo ishte një ide që dikush e kishte atë moment. Duket se ata menjëherë filluan fazën e planifikimit. Ka edhe një mesazh këtu për vendin tonë. Ekziston një përpjekje për të minuar sovranitetin tonë dhe perceptimin e përgjithshëm se ne jemi një vend i sigurt, pasi ka shumë shkrimtarë dhe intelektualë në vendin tonë që vijnë nga bota arabe. Ky incident është shkak për një krizë të madhe që çon në një erozion politik të besimit. Qeveria do të marrë hapat e nevojshëm diplomatikë dhe politikë pasi ajo që ndodhi të zbardhet. Për mua, pika me të vërtetë e rëndësishme është se Arabia Saudite nuk po përjeton një tranzicion normal. Nuk po kërkon marrëveshje dhe kontakte me Turqinë, të cilën e sheh si një rivale në rajon. Çdo krizë e re dëmton marrëdhëniet që janë tashmë në një nivel kritik. Marrëdhëniet saudite-turke kanë qenë të prekura në mënyrën më drastike nga të gjitha krizat në rajon, pavarësisht që (krizë e tillë) kurrë nuk ka ndodhur mes dy vendeve. Ka shumë divergjenca në strategji, që janë pikë e konfliktit midis dy vendeve, duke përfshirë puçin në Egjipt, krizën e Katarit, luftën e Jemenit dhe Sirinë. Për këtë arsye, Arabia Saudite po përpiqet të dëshmojë një fuqi vetëm për të kapërcyer transformimin që po kalon, veçanërisht pasi është shumë larg marrëdhënieve miqësore me Turqinë, vendin më të fuqishëm të rajonit. Megjithatë, nëse ky rast dhe akuzat janë të vërteta, atëherë Arabia Saudite do të ketë kryer një vrasje në territorin e tonë. Duke përgjakur duart në tokën tonë dhe duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, ajo po e bën imazhin e saj më të paqartë. Sauditët tani po marrin shumë mesazhe negative nga bota, pasi ata deshën të na dërgojnë mesazh ne. Kur të dalin në dritë faktet, besoj se presioni ndërkombëtar do të vazhdojë.

Pyetje: A ju njoftojnë autoritetet qeveritare për hetimin dhe procesin në vazhdim? A ka pasur ndonjë kontakt me Arabinë Saudite?

Hatice Cengiz: Autoritetet e vendit tonë po ndjekin çështjen. Presidenti ynë është vetë duke ndjekur rastin. Unë jam gjithashtu në kontakt me ta. Unë u informova për një numër pikash. Megjithatë, hetimi është në vazhdim. Për këtë arsye, ende nuk ka deklarata zyrtare. Kurrë nuk kam pasur ndonjë kontakt me palën tjetër.

Burimi: AA

44