Nexhmedin Spahiu

Në literaturën tonë dhe literaturat ballkanike e, madje, edhe evropiane, emri turk përdoret edhe për ushtarët osmanë dhe emri Turqi po ashtu përdoret jo vetëm për të emërtuar shtetin modern të krijuar nga Mustafa Kemal Ataturku (1881-1938), po edhe Perandorinë Osmane (1299-1923). Ky është një gabim i pafalshëm, andaj për t’i ikur keqkuptimit, duhet të sqarohemi që në fillim.

Përse osmanët arritën të krijojnë një perandori dhe me lehtësi i mundën mbretërit e krishterë në Ballkan dhe në Evropën qendrore? Kjo shpjegohet me faktin se popullatat e krishtera nuk kishin vullnet të luftonin për mbretërit e tyre. Taksa vjetore që këto popullsi ua paguanin mbretërve të krishterë ishte 50% e të ardhurave vjetore, ndërkohë që sulltanit i detyroheshin vetëm 10%. Hëpërhë popullatave të krishtera të Ballkanit më tepër u leverdiste të jetonin si subjekte të kategorisë së dytë nën sulltanin se sa nën tiraninë e mbretërve të krishterë. Mirëpo, kur zullumi i mbretërve të krishterë u harrrua, popullatat e krishtera nën sulltanin ndjeheshin të nëpërkëmbur nga bashkatdhetarët e tyre myslimanë dhe etabluan një urrejtje shekullore për osmanët.

Çdo vend që pushtohej nga sulltani e kishte predispoziten që të islamizohej në masën 20%-30%, mu për shkak të privilegjeve që u ofroheshin të krishterëve e hebrenjve të konvertuar në myslimanë të atyre trevave. Historiografitë ballkanike pohojnë se islamizimi u bë me ushtrim dhune, por kjo është një rrenë e kulluar. Natyrisht, për shkaqe praktike logjistike (gjuhës, zakoneve ej), sulltani e qeveriste një territor të caktuar me njerëz të po atij vendi. Kjo ishte arsyeja se pse shumë princër të krishterë, përballë pasigurisë së sundimit të tyre nga sulmet potenciale, preferonin të lidhnin paqe me sulltanin e, shpesh, edhe te kalonin në Islam. Në konfliktin kundër Balshës II, Karl Topia vendosi që ta ftojë në ndihmë ushtrinë osmane. Kjo quhet Beteja e Savrës, e cila ishte një nga ndeshjet e para ballore të shqiptarëve me osmanët, ku mbeti i vrarë Balsha II. E ka marrë këtë emër në librat e historisë, sepse ndeshja u zhvillua më 25.09.1385 në fushën e Savrës, në jug të Lushnjës. Kështu ushtria osmane u fut në territoret e atëhershme të banuara me shqiptarë.

Katolikët e Mirditës me Sulltan Muratin I kundër princit Llazar

Kur më 28.06.1389 u zhvillua Beteja e Kosovës, shqiptarët u rreshtuan në të dy palët kundërshtare. Derisa Balshajt morën pjesë në anën e princit Lazar Hrebljanoviq, mirditorët – me kapedanin e tyre – u rreshtuan në krahun e Sulltan Muratit I. Meqë osmanët e fituan luftën, për këtë mirditorëve iu garantua autonomia, të cilën e gëzuan deri në shekullin XIX. Mirditorët nuk paguan fare taksa dhe qeveriseshin me kanunin e maleve, ndërsa i vetmi detyrim i tyre ndaj sulltanit ishte që të shkonin në luftë kurdo që të kishte nevojë sulltani, me ç’rast u takonte plaçka e luftës.

Bib Doda dhe Lufta e Krimesë

Rasti më i njohur i pjesëmarrjes së mirditorëve në luftërat osmane ishte Lufta e Krimesë (1853-1856) kur roli i këtyre 5.000 luftëtarëve në krye me kapedanin Bib Doda (1820-1866) ishte vendimtar për fatet e betejës kryesore. Ashtu si e shpjegon romancieri i parë shqiptar, Dom Ndoc Nikaj (1865-1951), që ishte i biri Gjokë Jakë Nikajt, njërit prej këtyre luftëtarëve të Bib Dodës, kur ushtritë osmane, angleze e franceze ishin duke u mundur nga ushtria ruse në betejën kryesore, mirditorët – duke mos përfillur qoftë më të voglin rregull ushtarak, duke rrezikuar jetërat e tyre në maksimum – i shkaktuan habi ushtrisë ruse dhe e thyen atë. Për rrjedhojë, Sulltan Abdylmexhiti I (sundoi në periudhën 1839-1861) i dha Bib Dodës titullin Pashë, ndërsa Perandori i Francës, Napoleoni III (sundoi në periudhën 1852-1870) u bë kumbar i djalit të vetëm të Bib Dodës, Prenkut (1860-1919).

Po ndalem te këto fakte të shkruara nga një prift katolik shqiptar i kohës (Dom Ndoc Nikaj), që tregojnë raportin e këtij komuniteti me Perandorinë Osmane, për shkak të propagandës antiturke që bëhët te pjesa islamofobe e këtij komuniteti, megjithëse islamofobia është më shumë e përhapur te shqiptarët ateistë (ata që mendojnë se nuk ka Zot) dhe agnostikë (ata që dyshojnë nëse ka apo nuk ka Zot).

Çfarë mund të thuhet për kulturën e civilizimin shqiptar para pushtimit osman?

Pjesë e propagandës së islamofobëve shqiptarë është edhe teza se shqiptarët u islamizuan me dhunë dhe se pushtimi osman e shkatërroi civilizimin shqiptar dhe kulturën shqiptare.

Nëse do të kishte pasur ndonjë civilizim ose kulturë me përmasa ballkanike apo evropiane te shqiptarët, që na u paskësh shkatërruar, ajo do të ishte regjistruar ndokund jashtë këtyre trevave, siç janë regjistruar të bëmat e Skënderbeut nga shumë autorë evropianë. Ta zëmë në arkivat e Vatikanit që kanë ngelur të padëmtuara. Por, jo. Përkundrazi, tek autorët me nam, më shumë flitet për primitivizmin e shqiptarëve. Zaten popujt sa më primitivë që janë, energjitë e tyre individuale të pjesëtarëve të tij janë më të theksuara. Kush, më shumë se shqiptarët, i dha Perandorisë Osmane kryeministra, ministra, pashallarë, poetë e arkitektë? Kur i përmendim këto fakte, ne mburremi, por harrojmë se kjo njëkohësisht tregon se shqiptarët qenë populli më primitiv i Perandorisë Osmane, aq sa sulltanët i përdornin shqiptarët për t’ua futur tmerrin të tjerëve, që nga Hungaria e deri në Sudan e në shkretëtirat e Arabisë.

Argument tjetër është se jo vetëm kultura dhe civilizimi shqiptar, që nuk ishin superiore karshi atij osmane, por edhe kultura e civilizimi evropian deri në shekullin XVII ishin inferiore karshi asaj osmane. Përndryshe osmanët nuk do të mund ta pushtonin gjithë atë territor evropian.

Çdo popull i krishterë nën osmanët islamizohej në masën 20%-30%

Tani t’i kthehemi një fakti të rëndësishëm e të pastudiuar: përse nga të gjithë popujt e krishterë të pushtuar nga osmanët, të gjithë u islamizuan në përmasën 20-30%, ndërsa boshnjakët arritën në 50%, ndërsa shqiptarët deri në masën 85%?

Rasti i Bosnjës

Tek boshnjakët shpjegimi është më i thjeshtë. Ta kemi parasysh se kur po flasim për etninë boshnjake, po flasim edhe për ata që sot e quajnë vetën serbë të Bosnjës ose kroatë të Bosnjës. Para epokës së zgjimit kombëtar serb ose kroat, d.m.th. para shekullit XIX, ata nuk quheshin as serbë as kroatë, por boshnjakë të krishterë. Deri në periudhën e zgjimit kombëtar serb e kroat, boshnjakë myslimanë kishte në po atë përqindje sa kishte edhe kroat myslimanë, hungarezë myslimanë, serbë myslimanë, bullgarë myslimanë, grekë myslimanë, gjeorgjianë myslimane etj. Pra, ku më shumë e ku më pak, por rreth 20-30%.

Më fillimin e zgjimit kombëtar serb e kroat, katolikët boshnjakë u bënë kroatë (të Bosnjës), ndërsa ortodoksët boshnjakë u bënë serbë (të Bosnjës). Por, njëkohësisht, duke u tkurrur Perandoria Osmane e duke u zgjeruar ajo Austro-Hungareze, myslimanët kroatë e myslimanët hungarezë, pjesa që nuk u vranë, ose u rikonvertuan në katolikë ose u tërhoqën në Bosnjë dhe u shkrinë me boshnjakët myslimanë. Po ashtu me krijimin e shtetit autonom serb (1835-1878) dhe pas 13.VI.1878 me shtetin e pavarur serb, myslimanët serbë, pjesa e serbëve myslimanë që nuk u vranë, ose u rikonvertuan në ortodoksë ose u tërhoqën në Bosnjë dhe u shkrinë në boshnjakët myslimanë. Kështu numri i myslimanëve në Bosnje arrin 50%-shin.

Islamizimi i shqiptarëve

Islamizimi i shqiptarëve ndodhi krejt ndryshe nga boshnjakët. Po mendoj në pjesën mbi 30%, që ishte e përbashkët për gjithë popujt e krishterë të pushtuar nga osmanët. Të dhënat statistikore osmane tregojnë se islamizimi në masë i shqiptarëve ndodhi në periudhën 1660-1710.

Tani duhet të shohim se çfarë ndodhë në atë kohë në Perandorinë Osmane dhe me shqiptarët. Pas intrigave vrastare në oborrin sulltanor, më në fund më 1651 vritet sulltanesha Kosem, që përcolli 6 sulltanë: Sulltan Ahmetin I (1603-1617) [bashkëshort i Kosemit], Mustafën I (1617-1618 dhe 1622-1623) [i vëllai i Ahmetit I], Osmanin II (1618-1622) [i biri i Ahmetit I, por jo i Kosemit], Muratin IV (1623-1640) [i biri i Ahmetit I dhe Kosemit], Ibrahimin (1640-1648) [i biri i Ahmetit I dhe Kosemit], Mehmetin IV (1648-1687) [i biri i Ibrahimit]. Mehmeti IV kurorëzohet sulltan në moshën 5-vjeçare dhe kur ishte vetëm 8 vjeç, i vritet edhe gjyshja Kosem, që ishte drejtuesja e vërtetë e Perandorisë për një kohë të gjatë. Natyrisht, me një sulltan minoren, pushteti kalon në duar e Vezirit të Madh (kryeministrit). Dhe, kush bëhet kryeministër në këtë kohë? Më 1656 kryeministër u bë Mehmet Pashë Qypërliu (1580-1661), një shqiptar i lindur në fshatin Rudnik të Drenicës (disa autorë shqiptarë mendojnë se në biografinë e tij do të duhej të shënonte Roshnik, fshat ky i Beratit, por sipas tyre është deformuar në Rudnik! Kjo, sigurisht, ngaqë këta autorë nuk kanë dëgjuar për fshatin Rudnik të Drenicës në Kosovë).

Mehmet Pashë Qypërliu, duke pasur për sulltan një fëmijë minoren, merr aq fuqi politike, saqë i var në litar 12.000 zyrtarë të Perandorisë Osmane nën akuzën se janë korruptuar. Pozitat e boshatisua duhej t’i zëvendësonte dikush. Në Perandorinë Osmane ka qenë rregull i pashkruar që nëse një pasha ishte i një përkatësie etnike, atëherë në parim edhe ushtarët e tij ishin të po asaj përkatësie, kjo për shkaqe thjesht logjistike: gjuha, komunikimi, njohja etj. Natyrisht, edhe brenda Divanit (qeverisë së sulltanit) loja politike mes vezirëve e pashallarëve ndikohej edhe prej faktorit etnik. Këtu përjashtim bënin sulltanët. Ata nuk bënin politikën e tyre me paragjykime etnike në qeveritë e tyre. Të vetmet kritere të tyre për t’i emëruar njerëzit administratën osmane ishin: 1. Lojaliteti ndaj Sulltanit dhe 2. Aftësitë e kandidatit. Natyrisht, deri në shekullin XIX, për të qenë në administratën osmane, duhej të ishe mysliman. Tek në shekullin XIX edhe jomyslimanët filluan të emërohen në pozita politike e administrative. Një ndër ta ishte edhe sekretari i Bib Dodë Pashës gjate viteve 1851-1857, Pashko Vasa (1825-1892), i cili gjatë viteve 1883-1892 ishte guvernator i Libanit në Bejrut.

Qypërlinjtë

Në 5 vitet e sundimit të Mehmet Pashë Qypërliut, Perandoria Osmane e rimori vetën për herë të parë pas rënies që kishte pësuar me vdekjen e Sulltan Sulejmanit I, që pat sunduar 46 vite (1520-1566). Mehmet Qypërliu ia trashëgoi postin e kryeministrit të birit të tij, Ahmetit, që sundoi në 15 vitet në vijim (1661-1676), ndërsa ai djalit të tij të adoptuar, Kara Mustafës, i cili e sulmoi edhe Vjenën. Kështu, përmes pinjollëve të tyre (Fazilit, Hysenit, Numanit) ose marionetave të tyre, që defiluan si kryeministra deri më 1710, Qypërlinjët – për më shumë se gjysmëshekulli – e sunduan Perandorinë Osmane me dorë të hekurt, duke i siguruar asaj ringritjen e saj gjatë kësaj periudhe dhe duke e sjellë rolin e sulltanëve, si: Mehmetit IV, Sulejmanit II (1687-1691), Ahmetit II (1691-1695), Mustafës II (1695-1703) e Ahmetit III (1703-1730), në sundimtar vetëm formal e ceremonial (me përjashtim të këtij të fundit në fazën e dytë të sundimit).

Gjatë këtij sundimi të Qypërlinjëve, statistikat osmane tregojnë se shqiptarët kaluan në Islam në masën 85%. Jo vetëm kaq. Shqiptarët, në territoret ku përbënin pakicë të ndjeshme, u bënë shumicë absolute, kurse në vendet ku shqiptarët përbënin pakicë të papërfillshme, u bënë pakicë e ndjeshme dhe u bënë pakicë në vende ku më parë nuk kishin qenë fare. Shtrirja e shqiptarëve, ku me shumicë e ku me pakicë, shkonte nga Athina, Selaniku, Adrianopoja, Nishi, Beogradi e Bihaqi (Judbina). Dhe, kjo shtrirje e tyre në këtë kohë nuk ishte vetëm nga shqiptarët, që konvertoheshin, po edhe nga ata që e mbanin fenë e krishterë. Falë kushërinjve të tyre që konvertoheshin në Islam e që merrnin pozita në administratën osmane, të krishterët shqiptarë shkonin në vende më pjellore, madje edhe në Egjipt, në Adrianopojë e në Ukrahinë.

Pra, konvertimi në masë i shqiptarëve ndodhi për shkak se në kohën e Qypërlinjëve u favorizuan shqiptarët dhe meqë numri i myslimanëve shqiptarë për të zënë pozita në administratën osmane ishte i pamjaftueshëm. Prandaj ata i joshnin kushërinjtë e tyre të krishterë për t’u konvertuar dhe për t’i plotësuar pozitat. Kësisoj ata e vazhduan ritmin e tyre të shtimit e zgjerimit edhe gjatë shekullit XVIII (pra edhe kur Qypërlinjtë ranë nga pushteti) dhe e morën emrin e padëgjuar deri më atëherë: shqiptar.

Pas fatit, fatkeqësia

Por, në këtë shekull, në Rusinë e largët ndodhi një fenomen: erdhi në pushtet princesha gjermane Sofie, gruaja e Carit Petar III të Rusisë, që e mori emrin Katerina e Madhe, e cila sundoi më 1762-1796. Gjatë kësaj kohe, Rusia forcohet dhe në shekullin në vijim (XIX) ajo shndërrohet në fuqinë vdekjeprurëse për Perandorinë Osmane, ndërsa ndihmon në zgjimin kombëtar, grek, rumun, bullgar, e serb dhe deri në shekullin XX i përmbys tërësisht fatet e shqiptarëve.

Sot, në shekullin XXI, shqiptarët janë sërish populli më primitiv i Evropës dhe, me uri prej tigri të egër, presin të bëhen pjesë e një Perandorie (të cilën shqiptarët e perceptojnë si BE, por që një Zot e di cila do të jetë ajo), që t’i kapin majat e saj si dikur që i kapën Perandorinë Osmane./ tema

69