E vërteta pa emocione

(Vështrim për librin “Dimensioni islam dhe kombëtar i Lidhjes së Prizrenit më 1878”, të autorit Nexhat Ibrahimi)

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Të shumta janë veprat dhe studimet të cilët janë shkruar mbi ngjarjen më të rëndësishme të shqiptarëve në dy shekujt e fundit, pra atë të Lidhjes së Prizrenit. Kjo ngjarje shënon organizimin e parë politik të shqiptarëve në kuptimin modern, si dhe  nxjerrë në skenë një elitë intelektuale dhe politike, e cila i artikuloi qartë kërkesat e saj. Madje, ky kongres politik e ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare dhe, në një mënyrë, i vendosi kontaktet ndërmjet shqiptarëve dhe kancelarive të diplomacisë evropiane. Gjatë kësaj periudhe Prizreni u bë epiqendër e zhvillimeve politike, ushtarake e kulturore.

Por, në disa raste shkrimet të cilat ia pasqyrojnë lexuesit Lidhjen e Prizrenit janë të ndikuara varësisht nga orientimi ideologjik i autorit ose politikës redaktuese të botuesit. Ndodhi të tilla me peshë të jashtëzakonshme në historiografi s’do mend se meritojnë të shtjellohen nga këndi objektiv dhe shkencor dhe, kësisoj, duke mënjanuar të pavërtetat dhe trillimet e mundshme.

Në këtë drejtim, libri i prof. Nexhat Ibrahimit, botuar nga SHB Logos-A nga Shkupi me titull “Dimensioni islam dhe kombëtar i Lidhjes së Prizrenit më 1878” përbën një titull shtesë në bibliotekën e lexuesit mbi këtë ngjarje të rëndësishme, jo vetëm për truallin shqiptar, por edhe atë ballkanik në përgjithësi. Mund të thuhet se vepra e prof. Ibrahimit mbi këtë ngjarje madhore është e shkruar me gjuhën e historisë së diplomacisë.

Në veprën e tij, ai flet me një gjuhë të kuptuar dhe të qartë për lexuesin, konciz, i qëndron besnik objektivitetit dhe synon të jetë më afër ndodhive, që kanë ekzistuar në periudhën e formimit dhe veprimit të Lidhjes së Prizrenit. Prof. Ibrahimi, në veprën e tij, nuk ndalet vetëm te përshkrimi ose aspekti deskriptiv i Lidhjes, por ai në të njëjtën kohë ofron shpjegim dhe i analizon ngjarjet.

Fakti që autori në këtë vepër modeste ka përdor një gamë të gjerë të burimeve nga autorë të ndryshëm vendorë dhe të huaj, flet për seriozitetin e veprës dhe qasjes shkencore të saj. Lexuesi, në librin e prof. Ibrahimit, do të gjejë përgjigje për pyetjet themelore, që e ndjekin atë (lexuesin), pra për rrethanat që çuan në formimin e Lidhjes së Prizrenit, përmasat e saj, të vërtetat historike, si dhe synimet e Lidhjes!?

Nexhat Ibrahimi konsideron se Lidhja e Prizrenit erdhi si pasojë e disa faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm, por sidomos si rrjedhojë e dobësimit të Perandorisë Osmane, nga njëra anë, dhe synimeve gllabëruese dhe asimiluese të shteteve fqinje, respektivisht Greqisë, Serbisë e Malit të Zi, në anën tjetër. Sipas tij, shqiptarët shihnin te Perandoria Osmane garancinë e mbijetesës fizike përballë synimeve shfarosëse të fqinjëve. Andaj, sipas tij, janë të pasakta qëndrimet e qarqeve të ndryshme gjoja se Lidhja e Prizrenit kishte karakterin anti-osman.

Autori, ashtu edhe siç mund të kuptohet nga titulli i librit, vë në dukje se të gjitha përpjekjet për ta hequr elementin islam nga Lidhja e Prizrenit janë të paqëndrueshme dhe të pavend në aspektin historik ndërsa paraqesin falsifikim në aspektin shkencor. Për prof. Ibrahimin, Lidhja e Prizrenit kishte për qëllim ta ndalonte copëtimin e Shqipërisë (fq. 53), ndërsa hulumtuesit nuk duhet t’i tremb elementi islam i Lidhjes, sepse në të nuk ka asnjë të keqe për çështjen kombëtare. Madje, ai pohon se fetarja dhe kombëtarja mund të bashkëpunojnë në mënyrë të përkryer drejt së ardhmes (fq. 59). Mirëpo, kjo në asnjë rast nuk pretendon që brenda Lidhjes nuk pati divergjenca në mendime. Përkundrazi, sipas autorit, në përbërjen e Lidhjes së Prizrenit pati dy linja të mendimit, njëra autonomiste, e cila në vazhdimësi këmbëngulte të shpëtonte popullatën myslimane përballë agresionit të krishterë (sllavo-grek: shën. i ynë), dhe linja tjetër, ndryshe e njohur edhe si linja radikale, e frymëzuar nga idetë iluministe franceze, e cila kërkonte largimin nga Perandoria Osmane dhe krijimin e një shteti të pavarur.

Edhe pse Lidhja e Prizrenit u lind në kontekst të shek. XIX, ajo do të duhej që t’u shërbejë elitave politike e intelektuale shqiptare si një busull a udhërrëfyes dhe, kësisoj, të shndërrohet në referencë për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm, jo vetëm në organizimin e brendshëm të jetës politike të shqiptarëve, por edhe në marrëdhëniet me të tjerët./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne