Edhe TEC-i i Vlorës me koncesion, Gjiknuri firmosi më 31 dhjetor

Termocentrali i Vlorës, investimi që u kushtoi taksapaguesve shqiptarë 130 milionë dollarë, por që nuk u vu asnjëherë në punë, do të jepet me koncesion.

Ministria e Energjisë ka hapur në datën 31 dhjetor zyrtarisht procedurat për të dhënë me koncesion për 20 vite termocentralin, i cili ka një fuqi të instaluar prej 97 megavatësh.

Sipas dokumenteve të shpallura në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike, do të investohen edhe 58 milionë euro për të riparuar defektet e termocentralit, si dhe për të ndryshuar sistemin e prodhimit të energjisë, nga naftë që është aktualisht, në gaz për të ulur kostot.

Kompania fituese do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të termocentralit për 20 vite, duke prodhuar energji dhe duke e shitur atë në shtet, ose në treg të lirë.

Në dokumentet parapake të tenderit, Ministria nuk ka marrë përsipër blerjen e energjisë që do të prodhojë privati nga TEC-i. Burime nga kjo Ministri thonë se fillimisht do të priten ofertat, e në bazë të tyre do të negociohen kushtet më të përshtatshme.

Termocentrali i Vlorës u ndërtua nga një kompani italiane e quajtur “Technimonti”, e cila u pagua 130 milionë dollarë, por i dorëzoi shtetit shqiptar një termocentral jofunksional dhe defektoz.

Që nga përfundimi në vitin 2011, TEC-i i Vlorës ka qenë në konservim, pa prodhuar asnjë ditë energji elektrike.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne