Edukimi dhe nevoja për mbështetje publike

AGIM BAÇI

Duhet të pohojmë se vë mendja publike ndaj edukimit është në rënie të lirë. Figura e mësuesit, prej vitesh, nuk futet në profesionet e vlerësuara, ndërkohë që debati për shkollat, zë gjithnjë e më pak hapësirë në përditshmëri. Lajmi për shkollat, prej kohësh, funksionon në publik me lajmin e keq, lidhur me dhunën e mësuesit apo nxënësve, me bulizmin, me racizmin, ndërkohë që të rinjtë e dhënë pas studimit mbeten jashtë çdo vëmendjeje.

Nga ana tjetër, çështja e nivelit të teksteve shkollore, qofshin të detyruara apo alternative, nuk debatohet sot në lidhje me thelbin e asaj që ka rëndësi të ndryshojë në këto tekste. Nga mungesa e këtij debati, është bërë pak ose shumë pak lidhur me ndryshimet e domosdoshme kundrejt arsimimit të trashëguar nga sistemi diktatorial, një trashëgimi që e kemi të gjallë në shumë prej teksteve shkollore, e po ashtu në forma edukimi, nga shumë mësues të rritur e edukuar në atë kohë. Drejtoritë Arsimore nuk kanë shfaqur apo publikuar asnjëherë ndonjë strategji për të krijuar një lidhje të re mes mësuesve dhe publikut.

As nuk janë krijuar hapësira që mësuesit të gjejnë mënyra për të përmirësuar jo vetëm dijet e tyre, por edhe përgjegjësinë që kanë ata për të dalë jashtë një ore të thjeshtë mësimore. Deri më sot, drejtuesit lokalë të arsimit kanë treguar se janë aty, në atë post, për shkak të lidhjes politike dhe, në vend të ideve për një drejtim sa më të mirë të shkollës, duket sikur janë rojtarë të ideve politike që shfaqin arsimtarët. Dhe kjo, pa dyshim, iniciohet dhe mbështetet nga krerët më të lartë të tyre.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë kombinim mes drejtorive arsimore dhe pushtetit lokal që të hartohet një politikë e qartë për të mbështetur sa më hapur nxënësit e shkëlqyer, duke u garantuar atyre prani në çdo olimpiadë, shkencore apo sportive, apo konkurs ndërkombëtar, me qëllim që brezi i nesërm të jetë sa më i ballafaqueshëm me bashkëmoshatarët e tyre kudo në botë.

Por, njëkohësisht kjo politikë do të inkurajonte nxënësit të konkurronin për më të mirën, duke besuar se ajo është më e mira. Pa dyshim që në ekonominë e tregut, arsimi është një aktivitet konkurrues, por kjo nuk duhet të përfshijë thjesht shkollat në çështje rezultati teknik. Për shoqërinë është e rëndësishme që shkollat të përgatisin njerëz, dhe për të përgatitur të tillë nuk ka nevojë vetëm për rezultat, për një dije të thjeshtë shkencore, por duhet edhe debati lidhur me virtytet dhe vlerat njerëzore.

Ne duhet t’u tregojmë nxënësve se, thjeshtësia është e mirë, por njëkohësisht duhet të guxojmë t’u pohojmë se krenaria u jep atyre më shumë forcë. Ne nuk mund të mos u flasim nxënësve për të njohur mëshirën si një virtyt të jashtëzakonshëm, por kjo nuk do të kishte kuptimin e duhur, e as rezultatin e duhur, pa u shpjeguar atyre se duhet të kuptojnë më parë vlerën e drejtësisë.

Ne duhet të përgatisim nxënës që të guxojnë të prezantohen natyrshëm, ashtu siç janë, dhe se duhet të jenë padronë të vetes së tyre. Duhet t’u tregojnë se pjesë e lirisë nuk është vetëm të bëjnë ç’të duan, por edhe t’u japin llogari të tjerëve, që të pranojnë tjetrin, që të mësojnë se humbjet kanë vlerën e tyre. Për të arritur këtë proces, nuk duhet të presim vetëm nga shkolla. Vetëm nga mësuesit.

Prindërit dhe e gjithë shoqëria ka nevojë ta kthejë debatin mbi edukimin në një debat mbarëshoqëror. Dhe, nëse ka nevojë që të shpenzohet, që të blihen orare televizive apo faqe gazetash, sërish do të ishte investimi më i mirë nga Ministria e Arsimit, sidomos krahasuar me shpenzimet për ngjarje, që vetëm për edukimin nuk kontribuojnë. Ne kemi nevojë ta kthejmë sa më parë vëmendjen e publikut për edukimin dhe mësimin e shëndetshëm, që jo vetëm të shmangim përhapjen e gjerë të analfabetizmit funksional, që nesër do të krijohet një brez mediokër, por edhe të tregojmë rrugët se si mundesh të konkurrosh e të ruash vlerat njerëzore.

Ne kemi nevojë për fëmijë që të mësojnë se nuk duhet të kenë nevojë t’i luten askujt për të jetuar, por që, njëkohësisht, të dinë të pranojnë veten dhe tjetrin me atë që janë në të vërtetë. Për të bërë të mundur një rrugëtim të tillë, duhet së pari të kthejmë vëmendjen e publikut, të besojmë se është debati i hapur, përfshirja e sa më shumë aktorëve, mospërjashtimi i alternativave, do të bëjë më të plotë shkollimin e fëmijëve tanë.

Nëse nuk i bëjmë këto hapa, nëse nuk krijojmë politika që të bëjmë që kushdo të ndihet i mbështetur në konkurrencën e tij për të gjetur më të mirën, atëherë do të mbesim në vendnumëro dhe se do të vijojmë të mbetemi të pushtuar nga mentaliteti i së shkuarës në diktaturë, në emër të barazisë, duke shpërfillur të drejtën dhe të ndryshmen./ PANORAMA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne