Muhamed Veliu: Kohët e fundit, siç është bërë më parë e ditur nga Shqiptarja.com, televizioni britanik Channel 4 është interesuar lidhur me problematikën e kundërshtarëve të regjimit në fuqi në Iran, të cilët janë grumbulluar në Shqipëri si azilantë politikë dhe së fundi janë sistemuar në kampin e posaçëm në zonën e Manzës, në Durrës.

Ka qenë editorja e çështjeve ndërkombëtare në Channel 4 Lindsey Hilsum, e cila ka inicuar një reportazh lidhur me ekzistencën e këtij kampi në Shqipëri, pas viteve të kaluara nga muxhahidinët në kufirin midis Iranit dhe Irakut në tokë irakiane, nën mbrojtjen e amërikanëve.

Pas Channel 4, i cili pritet të transmetojë ditët në vijim reportazhin për muxhahidinët iranianë në Shqipëri, Report TV dhe Shqiptarja.com kanë mësuar se të tjera media me emër në botë, si Al Jazeera, The Guardian, CNBC dhe New York Times do t’i kushtojnë artikuj dhe kronika televizive kësaj çështjeje.

Arron Merat, gazetar i pavarur anglez, pritet në ditët në vijim që të publikojë për The Guardian një artikull të detajuar për qendrimin e anëtarëve të MEK në Shqipëri. Disa ditë më parë, ai sëbashku me një përkthyes shqiptar, kanë qëndruar jashtë kampit në Manzë duke tentuar të marrin prononcime të disidentëve iranianë. Por përfaqësuesit e muxhahidinëve dhe rojet shqiptare të sigurisë u morën pasaportat dhe i fotografuan. Madje përfaqësues të muxhahidinëve arritën të mësonin edhe se në emrin e kujt ishte makina, me të cilën ata udhëtonin.

Report TV dhe Shqiptarja.com kontaktuan me Arron Merat, i cili e konfirmoi atë çfarë kishte ndodhur jashtë kampit.

“Unë shkova tek dera e kampit dhe bisedova me përfaqësuesit e MEK. Ata më thanë të largohesha, paçka se ishim duke qëndruar në rrugë publike. Kjo m’u duk e çuditshme. Nuk më kërcënuan dhe nuk tentuan të na dhunonin”, deklaroi ai. I pyetur se si mundën muxhahedinët në një kohë fare të shkurtër të gjenin pronësinë e makinës, me të cilën udhëtonin, tha: “Besoj se ata janë të lidhur ngushtësisht me Ministrinë e Brendshme në Shqipëri”.

41