*Intervistë ekskluzive e Gazetës Impakt

Të paktën 150 persona janë shoqëruar përpara ndeshjes Shqipëri-Izrael nga agjensitë ligjzbatuese shqiptare, pas dyshimeve se mund të kenë lidhje me elementë terroristë. Të arrestuarit, përvec qyteteve të ndryshme në Shqipëri, kanë qenë edhe nga Kosova. Hoxhë Lulzim Kabashi është një prej tyre. Sipas tij, ai jo vetëm nuk ka pasur lidhje me cështjen për të cilën është arrestuar, por as nuk e ka ditur që kombëtarja Shqiptare do të kishte një ndeshje me Izraelin së shpejti. Motivi i vetëm për të duket të jetë as më pak e as më shumë besimi i tij fetar. Në intervistën me të, ai përshkruan në mënyrë të detajuar që nga momenti kur është arrestuar, deri kur e kanë lënë të lirë.

GI: A mund të saktësoni se ku ishit, me kë, dhe cfarë po bënit në momentin e arrestimit?

LK: Ne ishim 5 shokë, të cilët erdhëm për vizitë në Shkodër tek Bekim Protopapa. Pasi arritëm në Shkodër, Bekimi na coi tek një shok i tij në Koplik, aty hëngrëm darkë dhe qendruam dy orë, mbajta një ligjeratë pasi isha Hoxhë, me titull ‘Falënderimi ndaj mirësive të Allahut’, dhe pastaj dolëm për të shkuar në Shkodër. Kah ora 21:20, Bekimi i cili printe me makinë u ndal papritmas. Pas tij isha unë dhe u ndala gjithashtu. Nuk kemi dit gjë, vec kur kemi parë shumë policë me maska. Njësia speciale na kanë nxjerrë prej makinës me forcë, na kanë shtrirë në asfalt, pastaj na kanë tërhequr zvarrë në trotuar. Aty kam marrë lëndime serioze në brinjë, ku jam goditur aq fort saqë më është ndal fryma. Pastaj dy policë më kanë mbajtur dhe një tjetër më ka godit me këmbë në kokë. Kam bertit “më mbytët”, dhe prej këtu nuk më kanë goditur më. Na kanë prangosur, na kanë futur në makinë dhe na kanë cuar në komisariat në Shkodër. Në komisariat na kanë ulur në oborr dhe na kanë fotografuar, pastaj na kanë cuar në katin e 2-të ose të 3-të të policisë. Për dy orë të tëra kemi qëndruar me duart e lidhura, gjunjët në tokë dhe kokën për muri. Pas dy orësh na kanë thënë të ngrihemi në këmbë nëse duam. Na kanë ndihmuar që të ngrihemi ngase s’kishim fuqi. Pastaj kemi qëndruar ashtu në këmbë 2 orë. Në orën 02:00 të natës ka ardhur 1 oficer për të na marrë në pyetje deri në orën 4:20, pastaj na kanë cuar në burg, ku kemi qëndruar deri në orën 15:00, kur na kanë liruar.

GI: Ju kanë dhunuar më pas momentit të parë të arrestimit?

LK: Në makinën e policisë na kanë thënë të rrimë me kokën ulur, mos me e ngrit lart. Edhe pozicioni i uljes ka qenë i rëndë, s’kemi qenë drejt por anash, kështu që kishim vështirësi në qëndrim.

GI: Cfarë pyetjesh ju kanë bërë në polici?

LK: Na kanë pyetur fillimisht se pse kemi ardhur në Shqipëri? A e njeh Lavdrim Muhaxherin? Cilët hoxhallarë dëgjon? Ku falesh në Kosovë? Me cilët hoxhallarë ke kontakt?

GI: Po për Izraelin ju kanë pyetur?

LK: As një pyetje të vetme s’na kanë bërë për Izraelin. Kjo më habit shumë, kur kemi ardhur në Kosovë e kemi kuptuar se do të luajë Izraeli me Shqipërinë, as që kam pasur informacion sepse shoh shumë pak TV. Ne na arrestuan për sulm ndaj Izraelit sipas tyre, ama asnjë pyetje nuk na bënë për ta.

GI: Po pyetje ofenduese, kërcenime, ju kanë bërë?

LK: Kur i thashë që kemi ardhur në Shqipëri vec për qejf, për vizitë, oficeri na pyeste a doni me ardh më te doktor Bekimi me hëngër darkë, a e shijuat darkën?!!! Madje oficeri më tha: Nëse na genjen, do të vendosim paraburgim 6 muaj. I thashë që unë jam i pastër, e njoh veten time, pyet cfarë të duash, do përgjigjem. Gjithashtu ai i cili më ka goditur në kokë dhe brinjë, edhe na ka sharë në rrugë kur na arrestuan.

GI: Pra ju kanë dhunuar fizikisht dhe moralisht.

LK: Po. Deri para 3 ditësh s’më zinte gjumi nga dhimbja ne brinjë. Dhe kam pasur zverdhje në vendin e goditjes. Edhe në këmbë kam pasur nxirje.

GI: A keni bërë vizitë mjeko-ligjore për të dokumentuar dëmtimet në trup?

LK: Jo, nga traumatizimi që kam pas nuk kam dal kërkund, kam ndenjur vec në shtëpi.

GI: A e quani torturë sjelljen e policisë me ju?

LK: Po si jo, a e dini sa dhimbje kemi ndjerë gjatë atij qëndrimi, një shoku aty gati sa nuk i ranë të fikët. Për dy djem më ka ardhur shumë keq pasi ishin fare të rinj. Në paraburgim nuk na kanë sjellë as ushqim, asgjë. Ishte ftohtë, kisha nevojë me pushu. Kam kërkuar vetëm karton e s’na kanë sjellë. Ishte ftohtë me u ul në beton; me qëndru në këmbë ishim të lodhur pa gjumë. Na ka ndihmuar Allahu shumë edhe pse ata as s’donin me dit për ne.

GI: Ju mendoni se ka pasur vërtetë një plan për të vrarë izraelitët këtu?

LK: Unë as që kam pasur informacion që do luajnë, e lëre më për ndonjë sulm. Sulmet janë ndaj ne muslimanëve.

GI: Cfarë ju kanë thënë kur ju kanë nxjerrë prej burgu? A ju kanë kërkuar falje, apo kanë qenë serish arrogantë?

LK: Na kërkuan falje, thanë që ka qenë urdhër. Na thanë hipini makinës, vazhdoni drejt për Kosovë edhe mos u ngutni se jeni të lodhur.

GI: Po me Bekimin e personat e tjerë çfarë lidhje keni?

LK: Bekimi para 1 muaji ka qenë në Kosovë, edhe shokët e mi më ftuan meqë e kishin mysafir. Aty u njoha me të. Më pelqeu, djalë i mirë, i sjellshëm, doktor. Më mori numrin e telefonit dhe pas disa ditësh më shkruajti nëse kisha mundësi me shku në Shkodër. Unë gjithherë kam pas qejf me shku në Shkodër ngase Shkodra ka dijetarë që bota muslimane mburret me ta, edhe shkuam në vizitë për qejf. Por na ndodhi ajo që na ndodhi…

GI: Të tjerët kanë qenë shokë besimtarë prej Kosove?

LK: Po, kemi qenë 5 veta.

GI: Po Zekerija Qazimin a e njihni?

LK: Po e njoh. Kemi qenë në të njëjtin fakultet në Egjipt.

GI: A i ndani mendimet e tij?

LK: Unë predikoj Kuranin dhe sunetin, nuk përkrah dhe predikoj asnjë mendim të asnjë hoxhe, ngase hoxhë jam vetë. Kam Kuranin, librat që shpjegojnë Kuranin dhe hadithet profetike.

GI: Kjo është hera e parë që ju arrestojnë, apo ju kanë arrestuar edhe herë tjetër?

LK: Kjo ishte hera e parë, asnjëherë s’më kanë ndalur askund, as në pyetje s’më kanë marrë. Në Kosovë ma kanë nxjerrë emrin gazetat gabimisht ose qellimisht, edhe fotografinë. Atëherë heshta se thashë ndoshta gabimisht.

GI: Po për këtë ju pyetën në polici?

LK: Jo.

GI: A ju ka hapur probleme ai postim?

LK: Në aspektin e emrit po, pasi të gjithë kanë menduar se jam arrestuar. Dhe pastaj më është mveshur emri se ky është ISIS, e lloj lloj etiketimesh që mendja shtanget. Ndërsa arrestimi i fundit, me të vërtetë ka qenë një tmerr i paparë, pa kurrfarë faji, askush s’jep përgjëgjësi. Ma kanë prishur imazhin si hoxhë. Edhe mediat e kanë devijuar lajmin. Kanë shpifur.

I pyetur për ndonjë mesazh që donte të jepte, hoxhë Lulzim Kabashi është përgjigjur:

‘Kisha pas qejf me dit pse u arrestuam? Pse institucionet tona kur ne muslimanët po na marrin në pytje s’na dalin në krah? Pse me u rrah një banor i Kosovës në një shtet tjetër e kush mos me reagu? Serbët për 1 shkja me faj po akuzojnë qeverinë, e na pa faj s’na del kush në mbrojtje. Pse e gjithë kjo luftë dhe propagandë per ne? Edhe kisha pas dëshirë që për rastin tonë me fol ne cfarë na ka ndodh e jo ata që as kanë qenë në polici as kërkund’.

‘Kam edhe 1 mesazh, që policia t’i ketë parasysh gazetat, e në vecanti ‘Gazetën Express’ sepse ata po shpifin për ne cdo ditë e po fusin panik e frikë në popull, e askush nuk mban përgjegjësi’./ Copy Right Gazeta Impakt

47