Eksperienca e një gazetari italian në Shqipërinë e viteve ‘70

Në vitin 1979, Enzo Brogi, gazetar dhe intelektual italian, pati një përvojë, të cilën shumë të huaj e kishin në vitet para përmbysjes së komunizmit në Shqipëri: vizitoi vendin më të mbyllur të Evropës, në një grup ish-partizanësh italianë që kishin luftuar kundër nazizmit. Natyra e virgjër, ajri i pastër, ndërthurur me njerëzit tepër të ideologjizuar, kultin e individit, bunkerët e kudondodhur, bënë që ai të përjetojë një udhëtim si në një planet tjetër. Artikulli që po publikojmë sot është botuar prej tij në një gazetë sindikaliste. Për ata që e kanë jetuar atë epokë, ky shkrim sjell në kujtesë gjëra që sot na duken vite dritë larg. Nga këndvështrimi i një italiani, ndonëse në pozita të majta politike, habia përballë një realiteti jo të zakontë ishte me të vërtetë e justifikuar.

Shkrimi i plotë i gazetarit Enzo Brogi

Një autobus me 50 pasagjerë, të grumbulluar nga Shoqata Kombëtare e Partizanëve Italianë ANPI, dega San Giovanni Valdarno, qytezë, e cila i ka dhënë Shqipërisë një dëshmor të rezistencës: Terzilio Cardinali, dekoruar me medaljen e artë, komandant i brigadës Antonio Gramsci, vdekur në tokën shqiptare në verë të vitit 1944. Ja se si hyra në vendin me kufijtë më të mbyllur në botë, duke iu bashkuar një grupi partizanësh.

… Nga Bari një “anije”, pak më shumë se një varkë, mbërriti pas 10 orësh në Tivar të Jugosllavisë (Shqipëria ka vetëm porte ushtarake dhe tregtare). Mijëra “tregtarë”, sërish në thonjza, sepse ndoshta ishin diçka tjetër, ishin ngjeshur njeri sipër tjetrit mbi stolat e konsumuar të anijes: veshur me pantallona shumë të gjera gratë, veshur me katqër palë pantallona xhins njera sipër tjetrës të rinjtë jugosllavë.

…Më pas, një autobus iu qepet shkëmbinjve dhe kështu mbërrijmë në dy kufijtë nën një shi të lehtë e të trishtuar. Por, menjëherë, pasi shkëputje vëmendjen nga kontrollet e imtësishme të ushtarakëve me uniforma të stilit Mao Ce Dun, syri të vraponte pa fund në një liqen shumë të qetë, të groposur mes shkëmbinjve të zhveshur me shtresa horizontale e paralele që dukeshin sikur dikush t’i kishte bërë me dorë. Këtë liqen do ta përqafoj sërish me vështrim një javë më pas, në kthim, dhe ai do të mbetet në kujtesën time përgjithnjë.

…Pastaj u dukën pemët frutore, të mbjella me këmbëngulje mes gurëve kokëfortë dhe më në fund arritëm në një fushë shumë të rrafshët, në të cilën kishte vetëm një rrugë shumë të gjatë me pemë bliri, akacie apo eukalipte, që nga veriu, në jug të vendit. Nuk kishte as edhe një centimetër katror që nuk ishte punuar, toka ishte e shfrytëzuar në maksimum, sipas një planifikimi të dukshëm. Kjo bujqësi ende flet për një “regji” kineze të kaluar, shumë orizore në kuadratë të vegjël, të ndara njera nga tjetra.

Tanimë me Kinën të gjitha marrëdhëniet janë ndërprerë: Shqipëria nuk është dakord me teorinë e Tri Botëve, të përpunuar nga Mao në vitin 1974. Me Bashkimin Sovjetik divorci kishte ndodhur shumë kohë më parë, në vitin 1956, me Kongresin e XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që solli si pasojë prishjen me të gjithë bllokun e Lindjes evropiane dhe me Kubën. Pastaj radha i erdhi Rumanisë dhe Jugosllavisë. Me këtë të fundit marrëdhëniet janë edhe më të  ndera akoma, tani për shkak të Kosovës, rajoni kufitar shqipfolës që kërkon pavarësinë nga Jugosllavia, ndonëse nuk kërkon bashkimin me Shqipërinë.

Pra, marrëdhënie politike gati me askënd, vetëm këtej-andej shkëmbime tregtare, në minimumin e domosdoshëm, pavarësisht nga regjimet që qeverisin (si psh rasti i Brazilit për kafenë). Në fakt, Shqipëria jeton në një autarki të ngurtë dhe mburracake. Po mendon se si ta shfrytëzojë sa më mirë naftën, kromin, bakrin, nikelin e saj dhe me këto të arrijë revanshin e saj ekonomik dhe politik.

Krenare për izolimin e vet absolute, të ushqyer edhe nga një ndjenjë të ekzagjeruar patriotizmi, del para botës si një shembull “pastërtie” ideologjike, nga e cila natyrisht duhet të vijë edhe drejtësia ekonomike e vetë-mjaftueshmërisë. Çdo përpjekje bëhet për të treguar këtë. Integralizmi bëhet virtut, dogma diçka e përditshme që të godet, bazuar në kultin e personalitetit: Enver Hoxha dhe Stalini tashmë të shkrirë në një entitet që mendon mbi njeriun. Çdo qytet ka një statujë të bronztë të Stalinit në shesh dhe imazhi i Hoxhës është afishuar në përmasa gjigande kudo, nga kopshtet e fëmijëve tek muzetë, nga fabrikat tek dyqanet: e pashë madje edhe mbi lokomotivat e trenave.

Vizita vazhdon në vendet e prodhimit. Fabrika e tekstilit me 7.000 punonjës i ka ende të gjitha makineritë të prodhimit kinez, ritmet shumë të ulta të punës sikur të venë në gjumë, por punohet edhe të shtunën tetë orë! Fabrika e traktorëve është krenaria e Shqipërisë: 5.000 punonjës, me një shkollë të mesme mekanike si pjesë të saj. Këtu është ngjitur thyerja “perëndimore” mes shkollës dhe botës së punës! Vërejtjet dhe pyetjet tona, shpesh kritike, gjatë bisedave me përfaqësues të punëtorëve dhe teknikëve nuk arrinin të hapnin asnjë kontradiktë. “Çfarë roli kanë bashkimet profesionale?” “Atë të organizimit të kohës së lirë pas punës”, ishte përgjigja shabllon. “Me çfarë nismash?” “Me diskutime kolektive mbi rendimentin në punë, duke kërkuar gjithnjë të arrijmë objektivat e planit pesëvjeçar dhe mundësisht t’i tejkalojmë ato. Pastaj lexojmë materialet e sekretarit të partisë dhe i diskutojmë, organizojmë edhe shfaqje muzikore me këngë partizane apo teatro popullore…” “Sa shpesh ju ndodhin aksidente në punë?” “Nuk kemi patur kurrë aksidente të rënda, vetëm në ndonjë rast të jashtëzakonshëm!”

Dhe sërish marrim rrugën e vetme të pafundme, në të cilën qarkullojnë kamionë të vjetër të mbushur me fshatarë që kthehen në shtëpi nga fushat dhe karroca me kabinë të tërhequra nga kuaj mbushur plot me bar të thatë apo fëmijë. Gratë, më këmbë, vijnë prapa duke u kujdesur për bagëtitë të cilat rregullisht bllokojnë rrugën dhe nuk tremben aspak nga buria e autobusit tonë “të turizmit”. Edhe nëpër fusha kam parë gati gjithnjë vetëm gra të punonin me shat, sfurqe apo drapërinj:

mekanizimi është nde i kufizuar, kështu që ajo mrekulli pjellorie është kryesisht vepër e punës me krahë dhe nga ana e grave!

Në qytete sheh sheshe shumë të gjera dhe rrugë plot e përplot me njerëz që shëtisin: këtu është e lehtë të dallosh prejardhjet e ndryshme etnike. Nuk e kuptoj pse shoqëruesit tanë e mohonin këtë, por dukeshin qartazi të paktën tre grupe: një me origjinë turke, një me origjinë nordike dhe një me origjinë sllave.

Gjatë dy ditëve që qendruam në Tiranë (300.000 banorë) kam parë vetëm dy makina! Ajri në qytet është po aq i pastër sa në fusha. Ka pak dyqane të mëdha ku shiten mallrat më të domosdoshëm me stil të viteve të para pas Luftës. Një varfëri dinjitoze dhe e pastër dhe një jetë që duket sikur rrjedh e qetë në mënyrë të pandërgjegjshme. Këtu nuk ekziston ajo mani e trishtuar e vendeve të tjerë socialiste për “të gjuajtur turistët” për një grusht dollarësh në tregun e zi apo për ndonjë stilolaps. Por fëmijët dhe pleqtë (shtresat që nuk punojnë) shpesh janë me lecka dhe zbathur, të lënë gati si “endacakë” nëpër rrugë.

Libraritë ofrojnë shumë material të formimit ideologjik, natyrisht me përjashtim të të gjithë “heretikëve”. Edhe klasikët i nënshtrohen një përzgjedhjeje paraprake. Shumë libra gjen nga Molieri, pranohet madhështia e Shekspirit, por preferohet në shqipërimet e Fan Nolit, që i ka përshtatur veprat e tij në stilin shqiptar: ekziston mburrja e ilirëve, popullsia që banoi në tokën e shqiponjave, në Shqipërinë e epokës para-romake.

Nuk pashë qendra historike nëpër qytete, banesat janë që të gjitha kazerma të mëdha pa zbukurime. Vetëm Berati, qyteti i njëmijë dritareve, është një xhevahir i historisë dhe elegancës: antik, i mbledhur çdo shtëpi ka shumë dritare të vogla mbi brigjet e një lumi të pastër. Duke e kthyer shikimin drejt maleve, të ekzaltuar nga gjithë ajo natyrë e padhunuar, harmonia sërish ngec, kur syri të shkon në qendër të malit të zhveshur gërma ciklopike, të bëra me gurë, që thonë “Rroftë Enver Hoxha”, të cilat mund të shihen që nga qendra e qytetit. Në perëndim të diellit, në përfundim të një ngjitjeje të lodhshme, të kënaq pamja e një kështjelle madhështore, por që për fat të keq është shfytyruar nga punime pa kriter të restaurimit “me stil”. Askund nuk ekziston një objekt kulti, i asnjerës prej tri feve që praktikoheshin më parë në Shqipëri: katolike, ortodokse dhe myslimane. Nuk ekzistojnë kisha: feja është e ndaluar. Më në fund, në Shkodër shohim edhe muzeun e ateizmit, një grumbullim dëshmish objektesh kulti, me të cilën synohet të tregohet mungesa e bazave dhe e logjikës së feve.

Jemi në rrugën e kthimit: brenda nesh ze vend bindja se kemi përjetuar një përvojë unike. Secili në mënyrë individuale jep gjykime të ndryshme. Diskutojmë shumë, ripërshkojmë etapat e ndryshme dhe rikthehen tregimet e luftës, të rezistencës, kujtime të Shqipërisë së 40 viteve më parë.

Bashkë me fushën e mahnitshme shohim për herë të fundit edhe ato gjëra prej betoni që nuk i kisha përmendur më parë, por na shoqëruan gjithandej, që nga fillimi. I gjithë territori i vendit është mbjellë me BUNKERË shumë të trishtë “për mbrojtje në rast sulmi armik”, siç na shpjegojnë. Sot, kur e gjithë bota dridhet nga frika e goditjes bërthamore dhe armët tepër të sofistikuara e të sakta, këtu ndjenja kombëtare mbahet gjallë me betonin frenues, që arrin kulmin me ekzibicionin e “kërpudhave helmuese” të tilla absurde, që “nuk lëvizin para, por as nuk tërhiqen prapa”, siç na shpjegojnë shoqëruesit. Gjatë manifestimit shumëngjyrësh dhe mbresëlënës të 1 Majit, bashkë me gjimnastët, punëtorët, studentët, parakalonin me krenarë djem e vajzë me automatikë dhe uniforma ushtarake. Bunkerët dhe militarizmi bëjnë pjesë te vetë ideja e shtetit dhe e një interpretimi të veçantë të socializmit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne