Eksperti i terrorizmit: Politikanët britanikë kanë nevojë për një program kundër radikalizimit

Një ish-diplomat ka sugjeruar se në Britani duhet të futet një skemë anti-ekstremizëm për të monitoruar politikanët, e ngjashme me programin e Parandalimit të qeverisë, për t’u siguruar që ata të mos radikalizohen.

Charlie Bird, i cili ka qenë i lidhur me ushtrinë në Irak gjatë pushtimit të vitit 2003, shkroi në uebsajtin Cable se ia vlen të merret parasysh një program anti-ekstremizëm për të monitoruar politikanët.

Një program i tillë u fut në mënyrë kontroverse për të monitoruar nxënësit e shkollave dhe universiteteve të cilët mund të jenë në rrezik radikalizimi.

Ish-diplomati i Zyrës së Jashtme, zoti Bird, i cili ligjëron mbi terrorizmin në Universitetin St Andrew në Skoci, tha se ai nuk ishte absolutisht duke i krahasuar udhëheqësit si Toni Bler me xhihadistët e Al-Kaedës apo Shtetit Islamik, por tha se mund të ekzistojnë “paralele të caktuara në proçes e sipër”.

Dëshmi për këtë mund të gjenden në komentet e Sir John Chilcot, i cili lidhet me raportin masiv dhe shumë kritik të vitit 2016 mbi luftën në Irak. Në një intervistë të kohëve të fundit, Chilcot tha se Bler kishte vepruar mbi besime e jo mbi fakte.

Skema e Parandalimit është një iniciativë e udhëhequr nga qeveria për të identifikuar ekstremistët e mundshëm në institucionet arsimore dhe i kanalizon ata në programe de-radikalizimi.

Ajo mbështetet nga legjislacioni i stilit McCarthy, i cili imponon një detyrë ligjore për mësimdhënësit që t’i raportojnë studentët e tyre.

“A duhet të ketë një detyrim të ngjashëm statutor për deputetët, bashkëshortët e tyre, partnerët, këshilltarët e posaçëm dhe miqtë?” Pyeti Bird.

“A duhet të jenë ata të detyruar të raportojnë politikanët që mbështeten në ide, individë dhe kauza të rrezikshme që mund ta çojnë vendin në luftëra që provokojnë edhe më shumë terrorizëm dhe simpatizantë terroristë?”

Toni Bler u angazhua në luftë duke i thënë Presidentit të SHBA-së, Xhorxh W. Bush se ai do të ishte me të pavarësisht gjithçkaje, pa i ditur ligjshmëritë e përfshira, tha Bird. Ish-kryeministri ka pohuar gjithmonë se ai do të merrte të njëjtin vendim përsëri, pavarësisht nga humbjet masive të jetëve që rezultuan prej tij.

“Ju mund të thoni se ai mbetet i radikalizuar. Nuk jam i befasuar,” tha Bird.

“Ndikimi psikologjik i pranimit se ai e kishte gabim dhe se vendimet që mori ai dhe presidenti Bush kanë çuar në vdekjen e mijëra njerëzve të pafajshëm, do të ishte shumë për t’u përballuar”, shtoi ai.

Bird pranoi se një skemë e tillë nuk do të ishte e përsosur, por pohon se do të kishte potencial të madh.

“Nuk ka nevojë për akuzime ose vota të mosbesimit”, tha ai. “Vetëm një telefonatë në vendin e duhur dhe ‘ekstremisti i rrezikshëm’ do të merret për një seri bisedimesh të qeta me njerëz të arsyeshëm, përpara se të kthehet me një zemër të penduar dhe një angazhim për paqe në botë dhe mirëqenie të të gjithëve”.

“Mundësitë janë të pafundme,” shtoi ai. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne