Ekspozitë Ebruje nga Edita Muça: “Kujtime që mbeten pas asaj që shkoi”

Instituti turk “Yunus Emre” në  Shkodër ka organizuar ekspozitën e Ebrusë me titull “Kujtime që mbeten pas asaj që shkoi”, nga Edita Muça.

Krahas shumë figurave dhe personaliteve të artit dhe kulturës shqiptare dhe turke merrte pjesë edhe zv.Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Sinan Cem Bash i cili në fjalën e tij tha:

“Qënia njerëzore është një qenie e vdekshme, por diçka që nuk vdes, pra është përjetshme me njeriun, është shpirti. Në ekspozitën e sotme ne do të shohim, do të përjetojmë dhe ndiejmë reflektimin e shpirtit të Editës, do të shohim mençurinë, korrektesën dhe artin e saj nëpërmjet Ebrusë. Dhe Ebruja faktikisht kjo është, ndoshta mund të quhet shenjë gishtërinjsh e vetë Editës…”

Ndërsa kryetarja e bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi e pranishme në këtë ekspozitë tha se Elida Muça shpirtin e artit të saj në Ebru e shkriu në botën e miqësisë dhe dashurisë shqiptaro-turke.

“…Ajo që bëri Edita është shumë. Ajo me pikturën e saj, me artin dhe mirësinë e saj dhe një model i një vajze të mirë të Shkodrës, të një familje të mirë shkodrane, të një qytetërimi që Shkodra e ka,  e përçoj ate përtej Shkodrës, me Turqinë…”

Autorja e ekspozitës, shkodrania Edita Muça, fitoi të drejtën e studimit me bursë në Fakultetin e Farmacisë të Universiteti të Stambollit në vitin 2009. Gjatë viteve të studimit në Turqi Edita shfaqi interes ndaj artit Ebru dhe në vitin 2011 morri pjesë në kursin e Ebrusë të organizuar nga Bashkia e Stambollit dhe përjetoi mundësinë e njohjes nga afër të këtij arti. Pas mësimeve te marra në këtë kurs, ne vitin 2012 Edita punoi me pasion si trajnuese vullnetare në kurset e Ebrusë. Në vitin 2010, periudhë kur Edita kishte rolin e Zyrtarit të Kulturës dhe Promovimit të Kryeqytetit Europian të Kulturës, Stambolli; Kryeministri Recep Tayyip Erdoğan i dhuron asaj Kartë Vullnetarizmi me shënimin “Me dëshirën që të mbeteni gjatë gjithë jetës një Stambollase”.

Edita Muça, punimet në Ebru të së cilës janë të shumta në numër, jetoi me ëndrrën që një ditë të hapte ekspozitën e punimeve të saj. Pa mundur ta realizonte këtë ëndërr, ajo ndërroi jetë në vitin 2017 në moshën 27 vjeçare. Në muajin e VI të vdekjes dhe në datën e lindjes së saj 23 Shtator, hapja e kësaj ekspozite do të ishte një realizim i ëndrrës së saj të pajetuar dhe njëkohësisht të prezantojë artin e Ebrusë si një pjesë e rëndësishme e kulturës turke nëpërmjet punimeve të Edita Muçës.

Kjo ekspozitë mbart rëndësi të veçantë për të demostruar zhvillimin e miqësisë Turqi-Shqipëri dhe kontribuon në marrëdhëniet dypalëshe kulturore. Nga ana tjetër, ajo prezanton artin e Ebrusë, i cili njihet dhe është përcaktuar nga UNESCO në Listën e Trashëgimisë Kulturore Abstrakte.

Ekspozita e Ebrusë nga Edita Muça, ishte e  përbërë nga 23 punime të përzgjedhura nga koleksioni punimeve të saj dhe që u përjetuan me shumë emocione nga vizitorë të shumtë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne