nga Eldar Mamedov.

Deri kohët e fundit Spanja ishte e lakmuara e Evropës. Ndërsa në shumicën e vendeve rigjallërimi i së djathtës populiste po e riformësonte politikën kombëtare, Spanja ishte në gjendje ta shmangte këtë trend: një qeveri e qendrës së djathtë e humbi pushtetin gjashtë muaj më parë gjatë një votimi mosbesimi dhe u zëvendësua në një mënyrë të mirë organizuar nga një qeveri e qendrës së majtë. Një qeveri e vogël socialiste, e cila kishte më shumë ministre femra sesa meshkuj, e kishte drejtuar vendin me vendosmëri në një drejtim pro-evropian. E djathta ekstreme, ndërkohë merrte vetëm vota sporadike.

Por jo më. Zgjedhjet rajonale të 2 dhjetorit në Andalucia, rajoni më i madh i Spanjës, panë një dyndje të zhurmshme të Vox-it, një parti e ekstremit të djathtë, që po futej zhurmshëm në jetën politike spanjolle. Vox fitoi pothuajse 11% të votës popullore, e cila i dha 12 vende në dhomën rajonale prej 109 vendesh. Për herë të parë që nga vdekja e diktatorit Francisco Franco në mesin e viteve 70, e djathta ekstreme hyn në një parlament spanjoll.

Lideri i Vox, Santiago Abascal është një admirues i deklaruar i Marine Le Penit, lideres së ekstremit të djathtë francez. Ai e ngriti fushatën e tij në një platformë të euro-skepticizmit, anti-feminizmit, ksenofobisë dhe përkeqësimit të nacionalizmit spanjoll. Guruja politik transatlantik i ekstremit të djathtë Steve Bannon e sheh Vox-in si një pjesë të vlefshme të kryqëzatës së tij ideologjike globale kundër “elitës liberale” dhe “marksizmit kulturor”.

Ajo që është më pak e njohur është se dalja në skenë e Vox-it është e lidhur ngushtë me Mojaheddeen-e Khalk (MEK), një kult iranian në mërgim që kundërshton ashpër qeverinë aktuale të Iranit. MEK ishte në listën terroriste të Bashkimit Evropian deri në vitin 2009 dhe në listën terroriste të SHBA-së deri në vitin 2012.

Lidhja Vox-MEK shkon përtej çdo prirjeje ideologjike që mund të ekzistojë midis dy grupeve. Sipas një hulumtimi mbi financimet e Vox, të kryer nga El Pais, një gazetë e njohur spanjolle, në vitin 2014 Vox mori një donacion prej 500,000 eurosh nga MEK, i cili vepronte nën ombrellën e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Paratë thuhet se erdhën përmes mijëra kontribuesve, anëtarë individualë dhe simpatizantë të NCRI-së. Këto para i lejonin partisë që të fillonte fushatën e saj zgjedhore për Parlamentin Evropian.

Personi që luajti një rol kyç në sigurimin e këtij fondi ishte Alejo Vidal-Quadras, një politikan veteran i Spanjës, i cili kishte shërbyer si zëvendëspresident i Parlamentit Europian nga viti 2009 deri në vitin 2014. Vidal-Quadras e braktisi partinë e tij të qendrës së djathtë Partido Popular (People’s Party—PP) në vitin 2013, me arsyetimin se ajo u zhvendos shumë në qendër nën udhëheqjen e ish-kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy. Ai u bë një nga themeluesit e Vox, e cila kërkonte të tërhiqte votuesit e pakënaqur të së djathës.

Gjatë viteve të tij si zëvendëspresident, Vidal-Quadras ishte lobisti i MEK më me ndikim në PE. Ai drejtonte grupin ndërpartiak “Miqtë e Iranit të Lirë”. Ky grup vepronte kryesisht si një zëdhënës për MEK-un. Në rolin e tij si zëvendës-president, ai priti në Parlamentin Evropian në shumë raste “presidenten e zgjedhur” të NCRI-së, Maryam Rajavin.

Në pamje të parë, Vidal-Quadras dhe Rajavi shfaqin një miqësi të ngushtë tepër të çuditshme. Duke pasur parasysh përvojën e vet traumatike të Spanjës me terrorizmin, krahu i djathtë i vendit ka projektuar tradicionalisht një imazh të rezistencës së palëkundur në këtë çështje. Megjithatë, Vidal-Quadrasi nuk e ka parë me shqetësim mbrojtjen që bëri për të hequr kultin islamiko-marksist MEK nga lista terroriste e BE-së, një përpjekje që përfundimisht kulmoi me sukses në vitin 2009. Një mbrojtës i vetëshpallur i “Perëndimit”, Vidal-Quadras po lobonte në emër të një organizate që ishte përgjegjëse për sulmet terroriste ndaj vetë perëndimorëve në Iran.

Vox nuk hyri dot në Parlamentin Evropian (PE) në vitin 2014, dhe përfundimisht në vitin 2015 Vidal-Quadras u nda edhe nga partia. Ai ende shpenzon shumë kohë në Bruksel, megjithatë sot ai vazhdon të promovojë NCRI / MEK-un nëpërmjet “Komitetit Ndërkombëtar në Kërkimin e Drejtësisë “(ICSJ). Për fat të keq faqja e ICSJ-së tregon një mungesë të theksuar të transparencës. Ajo nuk jep informacione për financimet dhe stafin e saj. Ajo pretendon se “gëzon mbështetjen e mbi 4000 parlamentarëve në të dy anët e Atlantikut”, por nuk identifikon asnjë person të vetëm. Pavarësisht nga emri i saj i madh, duket se është fokusuar ngushtë në shtyrjen e axhendës së NCRI / MEK-ut për ndryshimin e regjimit në Iran. Në të shumtën, “komiteti” duket më shumë si një operacion i një njeriu të vetëm.

Vidal-Quadras nuk është më me Vox, por kjo vështirë se do të thotë që lidhjet MEK-Vox të jenë prerë. Rafael Bardaji, ish-këshilltar i kryeministrit spanjoll Jose Maria Aznar, kohët e fundit u bashkua me Vox dhe sot është një mbrojtës i vendosur i politikës së Trumpit “presion në maksimum” kundër Iranit. Madje edhe vetë Aznar mori pjesë në një tubim të MEK-ut në Paris në vitin 2010.

Krerët aktualë të Vox insistojnë që ata të mos marrin asnjë fond nga burime të huaja. Ata pretendojnë se partia mbështetet ekskluzivisht nga kompani të vogla spanjolle dhe nga donatorë simpatizantë të shumtë. Sidoqoftë, kjo del kunder forcës së dukshme financiare të partisë, siç raportohet edhe nga El Pais, ajo i ka mundësuar blerje të pasurive të paluajtshme, punësimin e personelit të ri, pagesat e avokatëve për të parashtruar ankesa dhe peticione kundër qeverisë etj. Krerët e mëparshëm të partisë e akuzojnë lidershipin e tanishëm për operacione financiare të errët dhe për mospërmbushje të standardeve ligjore për transparencën.

Cilido që të jetë statusi aktual financiar i Vox-it, roli i MEK-ut në mundësimin e futjes së Vox në radhët e së djathtës ekstreme të Evropës nuk mund të injorohet. Kjo duhet gjithashtu të shërbejë si një thirrje zgjimi për politikanët perëndimorë që ja kanë lejuar vetes të mashtrohen nga thirrjet e këngëve të MEK-ut për demokracinë dhe laicizmin në Iran.

Eldar Mamedov ka diplomuar në Universitetin e Letonisë dhe Shkolla Diplomatike në Madrid, Spanjë. Ai ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Letonisë dhe si diplomat në ambasadat e Letonisë në Uashington dhe Madrid. Që nga viti 2007, Mamedov ka shërbyer si këshilltar politik për socialdemokratët në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (EP) dhe është përgjegjës për delegacionet e PE për marrëdhëniet ndërparlamentare me Iranin, Irakun, Gadishullin Arabik dhe Mashreq.

burimi: /lobelog/Gazeta Impakt

29