Email-et e lëshuara: Diplomati i lartë i Emirateve koordinohet me organizatën pro-izraelite kundër Iranit

Llogaria e email-it të një prej operativëve më të lidhur dhe më ndikues të Uashingtonit është hakeruar. Një pjesë e vogël e emaileve iu dërguan këtë javë mediave, duke përfshirë The Intercept, HuffPost dhe The Daily Beast, me hakerin që premton të lëshojë publikisht shumë informacione me vlerë.

Llogaria i takon ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Shtetet e Bashkuara, Yousef Al-Otaiba, dhe Intercept mund të konfirmojë se ai është emaili që diplomati ka përdorur për shumicën e biznesit të tij në Uashington. HuffPost konfirmoi të paktën një nga emailet si autentike, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë konfirmuar se llogaria e Otaibas ishte hakeruar vërtetë.

Ndikimi i Otaibas rrjedh kryesisht nga kuleta e tij, pasi ambasadori është i mirënjohur për organizimin e darkave bujare, mbrëmjeve gala dhe për pritjen e figurave të fuqishme në udhëtime ekstravagante. Disa Krishtlindje më parë, ai dërgoi iPad-ë si dhurata për gazetarët dhe lojtarët e tjerë të pushtetit të Uashingtonit. Nuk i dihet se ç’lloj mesazhesh mund të banojnë në inboxin e tij.

Hakerët përdorën një adresë emaili të lidhur me Rusinë dhe iu referuan vetes si GlobalLeaks, duke u lidhur me DCLeaks, një faqe interneti që lëshoi ​​më parë emailet e Partisë Demokratike. Komuniteti i inteligjencës ka thënë se DCLeaks është një faqe interneti ruse, që do të thotë se hakerët e Otaibas ose janë të lidhur me Rusinë, ose janë duke u përpjekur të japin këtë përshtypje.

Rusia dhe Monarkitë e Gjirit – shtete kliente të Shteteve të Bashkuara – janë rivalë të vjetër, duke mbështetur anët e kundërta në Siri dhe duke u përleshur me dekada mbi Iranin.

Emailet që i janë dhënë The Intercept deri më tani tregojnë një marrëdhënie në rritje midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe organizatës neokonservative pro-izraelite, e quajtur Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive (FDD).

Në sipërfaqe, aleanca duhet të jetë e habitshme, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe as nuk e njohin Izraelin. Por dy vendet kanë punuar së bashku në të kaluarën kundër kundërshtarit të tyre të përbashkët, Iranit.

Më 10 mars të këtij viti, CEO i FDD-së, Mark Dubowitz shkroi një email për ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Shtetet e Bashkuara, Yousef Al-Otaiba dhe Këshilltarin e Lartë të FDD-së, John Hannah, ish-këshilltar i sigurimit kombëtar të zv/presidentit Dick Cheney, me temë “Target lista e kompanive që investojnë në Iran, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite”.

I dashur, Z. Ambasador,” shkroi Dubowitz. “Memorandumi i bashkangjitur detajon kompanitë e listuara nga vendi që po bëjnë biznes me Iranin dhe gjithashtu me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Kjo është një target list për vënien e këtyre kompanive përpara një zgjedhjeje, siç kemi diskutuar”.

Memorandumi i bashkangjitur i Dubowitz përfshin një listë të gjatë të “bizneseve jo-amerikane që operojnë në Arabinë Saudite ose Emiratet e Bashkuara Arabe (dhe) që po kërkojnë të investojnë në Iran”.

Lista përfshin një numër firmash të mëdha ndërkombëtare, duke përfshirë Airbus të Francës dhe Lukoil të Rusisë.

Me sa duket, kompanitë po identifikohen në mënyrë që Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite të mund t’i bëjnë presion mbi investimin në Iran, që po sheh një zgjerim të investimeve të huaja pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Izraeli dhe monarkitë e Gjirit janë afruar më shumë viteve të fundit, pasi të dyja palët kanë frikë se Irani po shkon drejt normalizimit me Perëndimin, dhe kështu do të rrisë ndikimin dhe fuqinë e tij në rajon. Por pranimet në publik të (ekzistencës së) aleancës nga të dyja palët janë ende të rralla. Një zyrtar i lartë izraelit, duke diskutuar marrëdhëniet në sfond për një profil të mëparshëm të HuffPost për Otaiban, paraqiti politikën e tij. “Bashkimi i Izraelit dhe arabëve është asi i fundit nën mëngë. Sepse kjo e nxjerr atë nga politika dhe ideologjia. Kur Izraeli dhe shtetet arabe të bëhen bashkë, do të jetë e fuqishme,” tha ai.

Email-et e hakeruara tregojnë një nivel të shkëlqyer bashkëpunimi të fshehtë midis një instituti udhëheqës neokonservator – FDD financohet nga miliarderi pro-izraelit Sheldon Adelson, një aleat i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu i cili është një nga donatorët më të mëdhenj politik në Shtetet e Bashkuara – dhe një monarkie të Gjirit.

Hannah dhe Otaiba janë shpesh mjaft të ëmbël në shkëmbimet e tyre. Më 16 gusht të vitit të kaluar, Hannah i dërgoi Otaibas një artikull që pretendonte se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe FDD ishin përgjegjës për grushtshtetin ushtarak në Turqi. “Të nderuar që jemi në shoqërinë tuaj”, i shkroi Hannah Otaibas.

Në një tjetër shkëmbim email-esh në fund të prillit të këtij viti, Hannah i ankohet Otaibas se Katari, një qeveri rivale e Gjirit që është ndeshur me Emiratet e Bashkuara Arabe në muajt e fundit për çështje të ndryshme, po mirëpret një takim të Hamasit në një hotel në pronësi të Emirateve. Otaiba i përgjigjet se nuk është faji i qeverisë së Emirateve dhe se çështja e vërtetë është baza ushtarake amerikane në Katar, “Si është kjo, lëvizeni ju bazën dhe ne do të lëvizim hotelin 🙂”.

Mesazhet detajojnë axhendën e propozuar të një takimi të ardhshëm midis FDD-së dhe zyrtarëve qeveritarë të Emirateve të Bashkuara Arabe që është planifikuar për datat 11-14 qershor. Duboëitz dhe Hannah janë listuar si pjesëmarrës, si dhe Jonathan Schanzer, zëvendëspresident i FDD-së për hulumtime. Zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë kërkuar për takime, përfshirë edhe Sheikh Mohammed bin Zayed, princi i kurorës që komandon forcat e armatosura.

Axhenda përfshin një diskutim të gjerë për Katarin. Ata kanë planifikuar të diskutojnë, për shembull, “Al Jazeera si një instrument i paqëndrueshmërisë rajonale”. (Al Jazeera është e bazuar në Katar.)

Ekziston edhe “diskutimi i politikave të mundshme të SHBA / EBA për të ndikuar pozitivisht në situatën e brendshme të Iranit”; Të përfshira në listën e politikave janë “mjete politike, ekonomike, ushtarake, inteligjence dhe kibernetike”, të cilat gjithashtu janë ngritur si një përgjigje e mundshme për “frenuar dhe mposhtur agresionin iranian”.

FDD ka qenë përfshirë në formësimin e debatit të politikës së Lindjes së Mesme gjatë administratës Tramp, kështu që ka të ngjarë që Emiratet e Bashkuara Arabe ta shohin atë si një kanal të rëndësishëm për të ushtruar presion ndaj Trampit për të miratuar linjën e tij më të ashpër ndaj Iranit. David Ëeinberg, një bashkëpunëtor i lartë në organizatë, u citua muajin e kaluar të ketë thënë se Emiratet e Bashkuara Arabe janë “të mahnitura” në lidhje me qasjen e administratës Tramp në rajon.

“Ata kanë kërkuar prej kohësh një partner amerikan për ta shtyrë kundër Iranit”, tha ai për Arabianbusiness.com. “Ata po kërkojnë që Amerika të kthejë retorikën në veprim”.

Otaiba gjithashtu ka zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë me dhëndrin dhe këshilltarin e presidentit Tramp, Jared Kushner. Të dy u takuan si fillim qershorin e kaluar me urdhrin e Thomas Barrack, një investitor miliarder dhe mbështetës i Trampit. Një artikull në Politico shkurtin e kaluar përshkroi se Kushner është “në kontakt të vazhdueshëm me telefon dhe email” me ambasadorin.

Çfarëdo të jetë axhenda e Emirateve të Bashkuara Arabe, ajo nuk po promovon demokracinë. Nga profili i mëparshëm:

“Ndërsa protesta u përhap në Egjipt, Otaiba e nxiti fort Shtëpinë e Bardhë për të mbështetur Mubarakun, por pa sukses. Pasi Vëllazëria Muslimane erdhi në pushtet me zgjedhje demokratike, ai e mbushi email-in e Phil Gordon, këshilltarit më të lartë për Lindjen e Mesme të Shtëpisë së Bardhë, me misione të ashpra kundër Vëllazërisë dhe mbështetësve të saj në Katar. (Gordoni nuk pranoi të komentojë.) ‘Ai do të dërgonte robo-mail’, thotë ish-ndihmësi i Shtëpisë së Bardhë. “Ju mund të jeni të sigurt se kur Yousef ka diçka për të thënë rreth një teme të tillë, njerëz të nivelit të lartë në të gjithë Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë do ta dëgjojnë atë, në email-e shumë të ngjashme, nëse jo identike”.

Tani po krijojmë një ide se si dukeshin ato email-e. Në një email të dërguar më 3 korrik 2013, pak kohë pasi ushtria egjiptiane rrëzoi presidentin e mbështetur nga Vëllazëria Muslimane Mohamed Morsi, Otaiba u përpoq të influenconte ish-zyrtarët e administratës Bush, Stephen Hadley – tani një konsulent në RiceHadleyGates – dhe Joshua Bolten në pikëpamjen e tij mbi Egjiptin dhe më gjerë në Pranverën Arabe.

“Vende si Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë ‘njerëzit e fundit’ që qëndrojnë në kampin e moderuar. Pranvera arabe ka rritur ekstremizmin në kurriz të moderimit dhe tolerancës,” ankohej ai.

Ai e përshkroi përmbysjen e Morsit me tone të ndezura. “Situata e sotme në Egjipt është një revolucion i dytë. Ka më shumë njerëz në rrugë sot se në janar 2011. Ky nuk është një grusht shteti, ky është revolucioni 2.0. Një grusht shteti është kur ushtria imponon vullnetin e saj mbi njerëzit me forcë. Sot, ushtria po përgjigjet me dëshirat e njerëzve.”

Egjipti sot është një diktaturë virtuale dhe një aleat i ngushtë i SHBA-së dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne