Emiratet e Bashkuara Arabe: Arabët nuk pranojnë që të udhëhiqen nga Turqia

Një diplomat i Emirateve të Bashkuara Arabe ka sulmuar ashpër Turqinë, në episodin më të fundit të një mosmarrëveshjeje të shkaktuar në Twitter lidhur me disa ngjarje historike 100-vjeçare.

Anwar Gargash, ministri i Emirateve të Bashkuara për çështjet kombëtare federale dhe çështjet e jashtme, tha se shtetet arabe duhet të bashkohen përballë “ambicjeve rajonale”. Më herët vendi i tij e kishte akuzuar Turqinë për përdorimin e islamit politik për të ndikuar në Lindjen e Mesme,

“Qasja sektare dhe partizane nuk është alternativë e pranueshme. Bota arabe nuk do që të udhëhiqet nga Teherani apo Ankaraja, shkroi në Twitter Gargashi, i cili renditet vetëm pas ministrit të jashtëm si diplomati më i lartë i Abu Dhabit. “Konkurrenca gjeostrategjike që po zhvillohet në rajon kërkon forcimin e unitetit arab me Rijadin dhe Kajron si shtyllat e saj.”

Shkëmbimi i fyerjeve filloi javën e kaluar, kur ministri i jashtëm Shejh Abdullah bin Zayed al-Nahyan citoi në Twitter një mesazh ku akuzonte “paraardhësit e Erdoganit” për plaçkitje të qytetit të dytë më të shenjtë të Islamit gjatë kohës kur ishte pjesë e Perandorisë Osmane.

“A e dini se në vitin 1916, turku Fahreddin Pasha kreu një krim kundër popullit të Medinës, u vodhi sendet me vlerë dhe i nisi me tren drejt Damaskut dhe Stambollit? Po ashtu turqit vodhën librat e vjetër të shkruar me dorë nga Biblioteka Mahmudie dhe i nisën për në Stamboll. Kjo është historia e paraardhësve të Erdoganit”, thuhej në Twitter.

Pas një fushate të ashpër në mediat turke, presidenti i vendit, Rexhep Tajip Erdogan iu përgjigj shkrimit personalisht.

“Disa persona të pacipë, pa pikën e turpit shkojnë deri aty sa të akuzojnë paraardhësit tanë për vjedhje. Çfarë i prishi këta njerëz, nafta apo paratë e tyre? tha politikani turk, duke këmbëngulur se vendi i tij ka qenë gjithmonë kujdestar i Islamit.

‘Turqia e Erdoganit nuk është vend i mirë’

Mundet që citimet në Twitter të kenë qenë një provokim i llogaritur më herët ose rezultat i disa momenteve impulsive, por përshkallëzimi i mëtejshëm pasqyron shqetësime më të gjera për botën arabe të udhëhequr nga Sauditët lidhur me lidhjet e ngushta të Turqisë me Iranin dhe Katarin, i cili tashmë nuk ka lidhje me shtetet e tjera arabe në rajon. Gjatë kësaj kohe Turqia ka dërguar një kontigjent shtesë të trupave të saj në Doha, me të cilin ka një marrëveshje mbrojtëse, me sa duket për të luftuar terrorizmin.

Zëvendës shefi i policisë dhe sigurisë publike për Emiratin e Dubait, Dhahi Khalfan ka akuzuar drejtpërsëdrejti Ankaranë për nxitjen e rebelimeve duke mbështetur Vëllazërinë Myslimane në Egjipt.

“Turqia e drejtuar nga Erdogan është një vend i keq”, shkroi në Twitter ditën e mërkurë Khalfan, i cili njihet në mediat sociale për retorikën e tij jodiplomatike.

Nga ana tjetër, politikanët turq kanë akuzuar shtetet arabe për përkrahje të lëvizjes të predikuesit Fetullah Gylen, të cilin Erdogan akuzon për infiltrim në institucionet e vendit dhe për një grusht shteti të pasuksesshëm në korrik 2016./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne