Emra të njohur të kinematografisë turke në Shqipëri

Me ftesë të institutit turk “Yunus Emre” në Shkodër kanë mbërritur në Shqipëri për një vizitë aktorë të mirënjohur të kinematografisë turke, si Emin Olcay, Suna Selen-aktorja e njohur që ka luajtur rolin e mbretëreshës së dytë, ndryshe shtriga në filmin “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat”, Ali Sürmeli, Furkan Palalı si dhe regjisori Kursat Kizbaz.

Fillimisht ata kanë vizituar ambasadën turke në Tiranë, ku janë pritur nga ambasadori në ikje, Hidajet Bajraktar, i cili gjatë bisedës me ta ka përgëzuar aktorët për filmin që kanë sjellë me vete “Somuncu Baba – Sekreti i Dashurisë” për ta shfaqur në qytetin e Shkodrës, qytet i artit dhe i kulturës shqiptare.

Ndërsa, nën kujdesin e institutit turk “Yunus Emre”, Tiranë u zhvillua paneli me temë “E djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e kinemasë turke”, pjesë e së cilës ishin emrat e njohur të kinemagrafisë turke.

Në fjalën e tij përshëndetëse në fillim të panelit të diskutimit, drejtori i institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, tha se: “Ne këtu jemi për të prezantuar Turqinë, por artistët tanë me telenovelat e tyre e bëjnë më mirë këtë detyrë”.

Gjatë diskutimit, aktorët e njohur të kinematografisë turke sollën për të pranishmit eksperiencat, momentet e veçanta dhe emocionet gjatë roleve në filma dhe seriale të ndryshme.

Nga ana tjetër, gjatë vizitës në Shkodër aktorët e mirënjohur turq, në bibliotekën e Universitetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi” zhvilluan një takim promovimi të filmit “Somuncu Baba – Sekreti i Dashurisë”, film me regji dhe produksion të Kürşat Kızbaz.

Ndërsa një ditë më pas, në kinema “Millennium” Shkodër u realizua mbrëmja gala e filmit “Somuncu Baba – Sekreti i Dashurisë”.
Në mbrëmjen gala, e cila pati një frekuentim të dendur morën pjesë zv. ambasadori i Republikës Turke në Tiranë, Sinan Cem Baş, drejtori i çështjeve të sigurisë pranë ambasadës turke, Hakan Çiğiltepe, përgjegjësi ushtarak pranë ambasadës turke, Turgay Öztash, drejtori për çështjet tregtare pranë ambasadës turke, Halis Kaya, regjisori dhe producenti i filmit së bashku me aktorët si dhe shumë kinemadashës.

Pas fjalës së mirëseardhjes nga drejtori i institutit “Yunus Emre”, për Shkodrën, Zafer Kijici u ftu për një përshëndetje regjizori Kursat Kizbaz, i cili foli mbi kinematografinë turke dhe evoluimin e saj në vite.

“… Nuk e di se sa mund të dukem nga kamerat dhe nga dritat e kamerave, por më besoni se jam shumë i lumtur dhe i entuziazmuar që ndodhem sonte me ju në realizimin e mbrëmjes gala dhe shfaqjes së filmit “Somuncu Baba-Sekreti i Dashurisë” .

Zakonisht, regjisorët e filmave preferojnë të flasin shumë në mbrëmje gala, por unë nuk do ta bëj këtë para shfaqjes së filmit, do ta mundësojë këtë në formë bashkëbisedimi, pas shfaqjes së tij, dhe në formë pyetje-përgjigje. Në qoftë se më duhet të them diçka në lidhje me “Somuncu Baba – Sekreti i Dashurisë”, mund të them se është një film që është shfaqur në rreth 30 shtete të botës. Është ndjekur shumë, duke thyer rekorde në pjesëmarrjen në kinema të Turqisë, është pëlqyer jashtëzakonisht shumë, por këtë e kanë bërë të bukur pjesëmarrja e aktorëve shumë të shquar dhe gjej rastin ti falënderoj në praninë tuaj. Ato kanë një agjendë shumë të ngarkuar, por nuk e kthyem ftesën e Shkodrës dhe erdhëm këtu për tu takuar me ju dhe për të ndjekur nga afër filmin që e përsëris nuk do të ishte kurrë kaq i arrirë po të mos ishte një trup e tillë aktorësh.

…Në vitet 80 kinematografia turke ishte pothuajse e vdekur, por merr përsëri një rigjallërim. Ndërsa në fillim të viteve 2000, duke qenë se çdo gjë po dixhitalizohej, nisi dhe dixhitalizimi i kinemasë turke. Dhe telenovelat turke ishin pikërisht në vitet 2000 që filluan të bëjnë bujë dhe të shiten jashtë Turqisë. Që nga viti 2001 dhe deri sot ka një rritje të madhe të prodhimit të telenovelave turke. Nëse në vitet 1980 bota e kinematografisë botërore ishte nga telenovelat koreane dhe braziliane sot mund të themi që është nga telenovelat turke…”, tha regjisori Kursat Kizbaz.

Filmi “Somuncu Baba – Sekreti i Dashurisë”, i cili përshkruan historinë e rrugëtimit interesant gjatë jetës plot mistere të Sheh Hamid Veliut, i njohur në Anadoll si “Somuncu Baba” (Babai Bukëpjekës) dhe aventurën e përjetuar në kërkim të dashurisë hyjnore u shfaq me titra shqip dhe rrëmbeu vëmendjen e shumë shkodranëve dhe përfaqësueseve të medias.

Zv.ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Bash pas shfaqjes së filmit tha:

“… I nderuar regjisor dhe trupa e aktorëve të filmit “Somuncu Baba – Sekreti i Dashurisë”, shumë të nderuar dhe të dashur pjesëmarrës, zonja dhe zotërinj!

Më lejoni të shpreh lumturinë dhe kënaqësinë që ndjej, duke qenë sërish së bashku me ju. Filmi që sapo ndoqëm është një film që i ka tejkaluar koordinatat gjeografike në Azi, në Afrikë dhe në Amerikë, një film shumë i suksesshëm. Ndërsa shfaqja e filmit në Shkodër është një risi, dhe hera e parë e shfaqjes së tij në trevat e Ballkanit. Kjo është dhe një tregues shumë i mirë, se sa shumë e duam Shkodrën. Por jo vetëm ne, regjisori dhe trupa e aktorëve me shfaqjen e filmit për herë të parë në Shkodër dhe për të gjithë Ballkanin tregon më së miri ndjesitë tona shumë të vyera për qytetin e Shkodrës… “.

Në përfundim të filmit u zhvillua një bisedë me të pranishmit, të cilët komunikuan pëlqimin e tyre për filmin dhe lumturinë që përjetuan nga prezenca e aktorëve të filmit në Shkodër. Pas bisedës, regjisorit dhe aktorëve të filmit iu dhuruan pllakate nderi.

Më pas të pranishmit u vunë në radhë për tu fotografuar me aktorët e tyre të pëlqyer./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne