EMRAT/ Era e fortë e kanabisit zbuloi fermën ku kultivohej droga, dënohen 4 shqiptarët

Katër shqiptarë, të cilët u arrestuan për kultivim droge, duke e kthyer banesën në Redcar të Anglisë në një fermë mendohet se do të dëbohen, ndërsa përmes avokatëve të arrestuarit kërkojnë thjesht të kthehen në shtëpi.

Siç raportojnë mediat britanike, era e kanabisit bëri që policia të zbulojë fermën e drogës, për të cilën kujdeseshin shqiptarët. Nëse sasia e drogës do të dilte në treg, do të kapte një vlerë prej 250 mijë paund.

Katër të arrestuarit janë Sokol Geshtenja, 24 vjeç, Hysen Uzuni, 27 vjeç, Blerim Rama, 30 vjeç dhe Klajdi Kukli, 22 vjeç.

Të ndihmuar nga një përkthyes shqiptar, ata u deklaruan fajtor për prodhim droge. Por askush prej tyre nuk kishte pasur dënime të mëparshme në Britaninë e Madhe.
Avokatja e Blerim Ramës, Nicci Horton, tha se klienti i saj pranoi se kishte qenë në shtëpi për dy ditë, por nuk kishte lidhje me drogën.

“Ai shkoi atje për të pasur një strehim falas,” tha avokatja.

Sipas avokates shqiptari Rama ishte larguar nga Shqipëria për shkak të kushteve të vështira financiare.

Ndërsa Alex Bousfield, avokati i Hysen Uzunit tha se: “Ai u përfshi, sepse ai kishte nevojë për të paguar borxhet”.

Avokati u shpreh se Uzuni kishte “braktisur idenë” për të ardhur në Britani të Madhe: “Ai thjesht dëshiron të shkojë në shtëpi”

Ndërsa avokati i Klajdi Kuklit, Peter Sabiston tha se klienti i tij erdhi në Britani për shkak të pamjaftueshmërisë së punës në Shqipëri.

Ai tha se Kukli kishte për qëllim të kthehej pranë familjes së tij në kryeqytetin shqiptar Tiranë.

Nigel Soppitt, avokati i Sokol Gështenjës tha se klienti i tij kishte disa borxhe për të paguar dhe dëshira e tij ishte të bënte punë të ligjshme.

“Ai do të nënshkruajë çdo dokument të riatdhesimit dhe thjesht dëshiron të shkojë në shtëpi”, u shpreh avokati.

Gjykatësi Peter Armstrong pasi dëgjoi arsyetimet u tha të katërve: “Ju jeni duke u përdorur nga të tjerët. Ju jeni të rritur për ta ditur se kjo ishte e gabuar. Dhe fakti që keni qenë këtu si emigrantë ekonomik unë mund të marr parasysh në një farë mase. Por pagesa e borxheve me mjete të paligjshme do të rezultojë në dënim.”

Shqiptarët u dënuan me nga 1 vit burg secilin, ndërsa gjyqtari tha se ka të ngjarë që të dëbohen, por kjo është një çështje e autoriteteve të migracionit dhe Agjencisë Kufitare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne