Erdogan: Aleanca Popullore ndërmjet AK Partisë dhe MHP-së do të vijojë edhe në Parlament

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të shtunën në Ankara se duke patur parasysh numrin e deputetëve dhe gjendjen që po kalon vendi, Aleanca Popullore ndërmjet Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP) do të vazhdojë edhe në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë.

Erdogani foli në mbledhjen e grupit parlamentar të AK Partisë në Ankara, ku të pranishëm ishin edhe krerët e forcës politike të tij nga të gjitha qytetet turke. Me këtë rast, ai iu referua zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 24 qershor.

“Dalja e qytetarëve në zgjedhje me 86,24 për qind është me të vërtetë e madhe. Prandaj në emër të popullit dhe timin personal dua të falënderoj të 50.068.627 qytetarët që votuan në zgjedhje”, u shpreh kreu i shtetit turk.

Duke iu referuar Partisë Republikane Popullore (CHP) në opozitë, Erdogani tha se kjo parti në zgjedhjet e fundit një pjesë të tabanit të saj votues e ka orientuar nga partia, e cila drejtohet nga organizata separatiste terroriste, në mënyrë që kjo parti të kalonte pragun zgjedhor ose të hynte në Parlament.

Lideri turk konfirmoi se të hënën, më datë 9 korrik, pas betimit solemn si president i vendit, do të njoftojë po ashtu përbërjen e Kabinetit të ri Qeveritar të Turqisë.

“Të hënën do të betohem si President dhe do të marr detyrën në sistemin e ri”, theksoi ai, ndërsa në lidhje me aleatin e forcës politike të tij, Partinë Lëvizja Nacionaliste, tha se duke patur parasysh numrin e deputetëve, por edhe gjendjen që po kalon vendi, në Parlamentin turk do të vazhdojë Aleanca Popullore me MHP-në./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne