Erdogan: Bashkëpunimi me PYD/YPG prish kredibilitetin e koalicionit dhe të ShBA-së

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve që e shoqëruan gjatë vizitës në Kinë, Presidenti Erdoan tha se bashkëpunimi me një organizatë tjetër terroriste në luftën kundër DAESH nënkupton prishjen e reputacionit të koalicionit dhe të ShBA-së.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) vazhdon kritikat kundër qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) ndaj PYD dhe YPG, të cilat janë zgjatim i organizatës separatiste terroriste PKK në Siri.

Presidenti Erdoan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve që e shoqëruan gjatë vizitës në Kinë.

“Ajo çfarë dua të theksoj është se, nëse jemi aleatë strategjikë, atëherë edhe vendimet duhet ti marrim në aleancë. Nëse kjo do të hidhte dritëhije mbi aleancën, atëherë ne duhet të gjejmë zgjidhjen tonë. Ne nuk do të lejojmë që kjo aleancë ‘të mbytet’ në qasjet që do të jenë kundër Turqisë”,- u tha Erdoani gazetarëve.

Në përgjigje të një pyetjeje, Erdoani hodhi poshtë pretendimet se Turqia kinse ishte vonuar në luftën me organizatën terroriste DAESH.

Para se ShBA-ja të dallonte rrezikun e organizatës terroriste DAESH, Turqia e kishte parë me kohë këtë rrezik dhe e ka shfaqur qartë qëndrimin e saj që në fillim.

“Po të mos kishim mbajtur ne këtë qëndrim, organizata terroriste DAESH nuk do të ishte hallakatur kaq shumë”,- tha ai.

“Duke u bërë pre e lojës së disave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët nuk dinë të mbajnë vendin që u takon, tentojnë të shpifin kundër Turqisë duke thënë në media se “Turqia nuk ka bërë atë që duhet kundër DAESH-i”, ndërkohë që Turqia është vendi që ka luftuar më shumë kundër kësaj organizate terroriste”, theksoi Erdoan dhe shtoi: “Atëherë përse Tajip Erdoani është marrë që në fillim në shënjestër nga media perëndimore dhe nga organizata terroriste DAESH? Unë jam në shënjestër të DAESH-it. Fotografi të shumta të miat i shikon në të gjitha organet mediatike të kësaj organizate. A janë publikuar fotografitë e atyre që bëjnë shpifje të tilla në këto organe mediatike (të DAESH-it)? Jo. Ne bëjmë atë gjë që jemi të bindur dhe e bëjmë në formën që besojmë. Kështu e kemi filluar këtë rrugë dhe kështu po vazhdojmë”.

Erdoani theksoi se bashkëpunimi me një organizatë tjetër terroriste në luftën kundër organizatës terroriste DAESH nënkupton shkatërrimin e reputacionit të koalicionit (ndërkombëtar që është krijuar për të luftuar DAESH-in) dhe të vetë ShBA-së.

“Këtu nuk ka nevojë për YPG-në ose PYD-në. Këto janë organizata terroriste”, nënvizoi Presidenti Erdoan.
“Të konsiderosh si kusht bashkëpunimin me YPG-në për të luftuar DAESH-in, në fakt do të thotë të shkatërrosh prestigjin e koalicionit dhe të ShBA-së. Ne këtë luftë mund ta realizojmë mjaft mirë me forcat e vendeve aleate në NATO dhe në bashkëpunim edhe me vendet e tjera të rajonit si: Arabinë Saudite, Katarin, Libanin, Jordaninë. Nuk kemi nevojë për këtë organizatë terroriste. Ne e kemi provuar këtë në Xherabulus, Dabik, Rai, al-Bab. Tani themi që e vërtetojmë edhe në Menbixh dhe në Raka”, sqaroi kreu i shtetit turk.

Duke theksuar se organizata terroriste DAESH nuk ka asnjë lidhje me islamin, Erdoani tha se kjo organizatë është një njollë e zezë për islamin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne