Erdogan: Bota islame ka nevojë për mësimet e Rumiut

Erdoani mbajti një fjalim në programin e organizuar në Qendrën e Sportit dhe Kongreseve të Bashkisë së Metropolit të Konjës me rastin e 745-vjetorit të vdekjes së Mevlana Xhelaledin Rumiut, dijetari i misticizmit islam.

Në fjalën e tij Erdoani foli edhe për problemet me të cilat përballet sot gjeografia islame.

“Në Jemen me miliona fëmijë janë bërë peng i ambicieve. Myslimanët po braktisen në uri dhe vdekje. Pushtimi në Palestinë, kaosi në Libi, uria në Somali, terrori dhe destabiliteti në Afganistan po përhapet çdo ditë e më shumë si një malarie”,- u shpreh kreu i shtetit turk.

Duke folur për situatën në Siri, Erdoani tha: “Tirania që vazhdon për rreth 8 vite (që nga viti 2011) në fqinjin tonë, Siri, vazhdon të marrë çdo ditë jetë njerëzish. Personi (Beshar Esadi) që qëndron ende në krye të vendit në Siri, ku deri tani janë masakruar 1 milion sirianë, vazhdon të luftojë për të mbajtur postin. Dhe disa të tjerë e mbështesin atë që ta bëjë këtë”.

Duke tërhequr vëmendjen tek përpjekjet që po bëhen për të ndërtuar skenarë të këqij mbi botën islame Presidenti Erdoan tha: “Dikush do që sistemet e tij djallëzore ti vazhdojë duke na vënë të grindemi mes vete dhe duke përdorur për këtë sektet dhe temperamentet tona”.

“E ndërsa myslimanët zihen me njëri-tjetrin për interesa, interesaxhinjtë që i adhurojnë pa masë interesat e tyre synojnë si ti mbushin sa më shumë xhepat e tyre, si ta shumëfishojnë fitimin e tyre. Botëkuptimi që e shikon njeriun si ujk të njeriut fatkeqësisht po kërcënon jo vetëm të sotmen e njerëzimit, por edhe të ardhmen e tij”,- tha Erdoan, i cili dha edhe disa rekomandime për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Sot kemi më shumë nevojë se sa asnjëherë tjetër për udhëzimet sublime të Rumiut, i cili në qendër të filozofisë së tij vendos njeriun, dashurinë hyjnore, moralin dhe virtytin”,- u shpreh Erdoan.

Rruga për të dalë nga kjo gjendje,- theksoi Presidenti Erdoan,- është “Të jemi një, të bëhemi të mëdhenj, të bëhemi të fuqishëm dhe të jemi vëllezër”.

“Kam besim se nëse ia arrijmë kësaj, atëherë bota islame do të shpëtojë, dhe ne do ta grisim qefinin që mundohen ti veshin asaj. Pasi thelbi i doktrinës së Rumiut (Mevlana Xhelaledin Rumi) është të mos i dorëzohesh materies, të lartësosh njeriun, të marrësh për bazë solidaritetin dhe jo konfliktin”, përfundoi Presidenti Erdoan.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne