Erdogan: Çdo punë e Netanjahut është kundër ligjit ndërkombëtar

Para nisjes për në Moskë, ku do të marrë pjesë në sesionin e 8-të Mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Rusi, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) organizoi një konferencë shtypi në aeroportin “Ataturk” të Stambollit, ku ai reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit izraelit Beniamin Netanjahu për aneksimin e Bregun Perëndimor.

“Çdo punë që bën Netanjahu është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Çdo punë që ka bërë Izraeli që nga 1948-a e këtej është e jashtëligjshme”,- theksoi presidenti Erdoan dhe shtoi se “Bregu Perëndimor është absolutisht territor palestinez”.

“Ata (izraelitët) i hodhën këto hapa duke pasur me vete përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA). Këto ne i shohim edhe në hapat e ndërmarra më parë në lidhje me Lartësitë e Golanit. Ata duan vetëm që ta bëjnë fakt të kryer me një konferencë shtypi në ShBA, duke veshur po të njëjtin kostum. Është e papranueshme përgatitja përsëri e një të ardhmeje të errët për Lindjen e Mesme. Ne si Turqi do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë palestinezëve”,- tha Erdoan.

Netanjahu ka shkaktuar reagime me deklaratat që bëri ditë më parë duke thënë se do të aneksojë vendbanimet ilegale çifute në Bregun Perëndimor nëse fiton zgjedhjet që do të mbahen më 9 prill.

“Bashkëpunimi me Rusinë vazhdon të rritet”

Në lidhje me kontaktet që do të ketë në Moskë, Presidenti Erdoan deklaroi se bashkëpunimi midis vendit të tij dhe Rusisë vazhdon duke u rritur dhe forcuar dhe kjo do jetë hera e tretë që ai takohet me Kryetarin e Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin që nga janari e këtej.

“Bashkëpunimi me Rusinë vazhdon duke u rritur dhe forcuar. Mbledhjet e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, që është themeluar në vitin 2010, vazhdojnë në të njëjtën mënyrë me një karakter institucional”, tha Erdoan, duke nënvizuar se gjatë takimit me homologun Putin do të diskutojnë mbi marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Marrëdhëniet tona vazhdojnë të zhvillohen sidomos në fushat e tregtisë, turizmit, energjisë dhe kulturës. Do të bisedojmë për mundësitë e rritjes së vëllimit tregtar. Do të kemi një takim me biznesmenët që kanë plane për të investuar në vendin tonë dhe në Rusi. Udhëtimi pa viza është sigurisht një nga pikat e agjendës tonë. Ne duam që pas liberalizimit të vizave për pasaportat e shërbimit dhe shoferët e maunave, heqja e vizave të praktikohet menjëherë për të gjithë qytetarët”, shtoi ai.

Në lidhje me operacionin ushtarak që planifikohet të zhvillohet bashkë me Rusinë në lindje lumit Eufrat në Siri, Erdoani njoftoi përfundimin e të gjitha përgatitjeve.

“Një natë mund të vijmë papritmas, atëherë dhe atje ku sulmi duhet bërë befas. Kjo është një prej çështjeve që do të bisedojmë në takimin kokë më kokë”, theksoi Erdoan./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne