Erdogan: Duam që kriza humanitare të reja të mos ndodhin në asnjë zonë të Sirisë

Presidentët Recep Tayyip Erdogan i Turqisë, Vladimir Putin i Rusisë dhe Hassan Rouhani i Iranit organizuan një konferencë të përbashkët shtypi pas samitit trepalësh për Sirinë, realizuar në qytetin rus të Soçit.

“Rishikuam përpjekjet e ndërmarra për ndërtimin e klimës së paqes dhe stabilitetit në Siri. Garantimi i armëpushimit, me në krye Idlibin, ishte ndër pikat kryesore të agjendës. Nuk duam kriza apo drama të reja humanitare as në Idlib dhe as në zona të tjera të Sirisë”, u shpreh lideri turk.

Duke bërë me dije se gjatë samitit kanë vlerësuar edhe vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u tërhequr (ushtarakisht) nga Siria, Erdogani tha: “Është kusht që tërheqja të bëhet në mënyrë të atillë që të mos abuzohet nga as organizata terroriste separatiste PKK dhe as nga organizata terroriste DAESH. Ky proces duhet të trajtohet me një qasje që eliminon kërcënimin terrorist. Zona e sigurt nuk duhet të premtohet si një hapësirë kur mund të rriten organizatat terroriste. Ne s’do ta lejomë korridorin terrorist.”

Ai vuri në pas gjithashtu se Turqia, Rusia dhe Irani, si tri vende garantuese në Siri, kanë përshkuar distanca serioze në rrugën e zgjidhjes politike në këtë vend të shkatërruar nga lufta prej tashmë 8 vitesh.

“Shpresat për zgjidhje politike nuk ishin gjallëruar kaq shumë asnjëherë më parë”, shtoi Presidenti Erdogan.

Nga ana e tij, shefi i Kremlinit tha se kanë përcaktuar hapësira të rëndësishme për të punuar në drejtim të zgjidhjes së krizës në Siri.

“Do të punojmë për luftën kundër terrorizmit dhe përmirësimin e situatës humanitare në Siri. Takimi i 12-të i Astanës do të mbahet në fund të muajit mars dhe është miratuar pothuajse e tërë lista e komitetit kushtetues”, theksoi Presidenti rus, Vladimir Putin.

Kurse lideri iranian vuri në pah se sirianët duhet të vendosin vetë për fatin e tyre.

“Ne kemi bërë përpjekje të mëdha për vendosjen e armëpushimit dhe deri tani kemi qenë të suksesshëm përgjithësisht. I dhamë fund luftës. Kemi vendosur stabilitetin dhe paqen. Por fatkeqësisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tentojnë të arrijnë synimet e tyre duke përdorur grupet terroriste në Siri” , u shpreh Rouhani mes të tjerash./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne