Bota

Erdogan: Ej Netanyahu, a nuk je ti ai që burgos, përndjek dhe vret palestinezët?!

Erdogani mbajti një fjalim drejtuar të pranishmëve në Qendrën Popullore të Kongreseve dhe Kulturës në Bestepe të Ankarasë për edicionin 5. të Çmimeve Ndërkombëtare të Mirësisë, organizuar mbrëmjen e së mërkurës nga Fondacioni Fetar i Turqisë (TDV).

“Ata nuk shfaqën as ndjeshmërinë më të vogël ndaj dramave të vajzave të reja, invalidëve dhe të moshuarve palestinezë që janë masakruar përpara kamerave nga ushtarët izraelitë. Por Netanyahu qenka shqetësuar jashtë mase se në ‘vendin e Tayyip Erdoganit’ u burgoskan gazetarët. Netanyahu, ti je tiran. Tani në Izrael ka zgjedhje dhe vetëm për këtë arsye po dergjen në burgje mijëra fëmijë, gra e të moshuar. Ej Netanyahu, a nuk je ti ai që i mban këta në burg? A nuk je ti ai që i përndjek dhe vret këta? Nëse do të kërkohet një tiran në botë, ai je ti vetë. E pastaj flet pa pikë turpi, pa u ndrojtur. A nuk janë ushtarët dhe policët e tu ata që hyjnë e shkelin me këpucë ushtarake në faltoren tonë Al-Aksa? Si do ta justifikoni këtë? Kjo s’mund të krahasohet me disa gazetarë të burgosur, pasi nuk ka asnjë lloj justifikimi. Megjithatë nëse po tentoni të na provokoni, atëherë ne s’do të biem në grackën e provokimeve tuaja. Sepse ne jemi pjesëtarë të një feje kaq universale, saqë nuk provokohemi me lojëra të këtilla. Nuk e hamë këtë karrem”, deklaroi kreu i shtetit turk.

Në shënjestër të Erdoganit ishte edhe bota perëndimore, e cila hesht ndaj dënimeve me vdekje në Egjipt.

Kreu i shtetit turk tha se ata (perëndimorët) nuk i ndjejnë në shpirtrat, zemrat e tyre dhimbjet e të rinjve që u ekzekutuan.

“Si mund të pranoni ftesën e Sisit vetëm pak ditë pasi me urdhrin e tij u ekzekutuan 9 të rinj?! A nuk është dënimi me vdekje i ndaluar në Bashkimin Evropian?”, pyeti Erdogani./ trt

OPINIONE