Erdogan i kërkon përsëri Kosovës të ekstradojë gylenistët

Dy muaj pasi Gjykata Themelore në Prishtinë liroi shtetasin turk Ugur Toksoy, meqë prokuroria speciale 40 ditë pas arrestimit hoqi dorë nga ndjekja e gulenisitit që jeton në Prizren, fatin e njëjtë për t’u përballur me autoritetet kosovare për ekstradim në Turqi mund ta kenë edhe shtetas të tjerë turq që jetojnë në Kosovë.

Ministria e Drejtësisë së fundi ka pranuar një shkresë të re nga shteti turk që kërkon arrestimin dhe ekstradimin e disa shtetasve të saj që jetojnë në Kosovë, e që nga prokuroritë lokale të Turqisë janë identifikuar si mbështetës të Fetullah Gulenit, kundërshtarit të presidentit Reccep Tayipp Erdogan.

Ministria e Drejtësisë, nuk e ka konfirmuar shkresën e pranuar nga homologet e tyre turk.

Megjithëse, për kërkesa të ngjashme ministri Abelard Tahiri, të martën ka folur përmes një kumtese, pasi në zyrën e tij priti zëvendësministrin e Drejtësisë së Turqisë, Bilal Uçar.

Ai ka njoftuar për kërkesat juridike të Kosovës për Turqinë, e jo për ato anasjelltas. Edhe pse, Tahiri veçse kishte marrë kërkesën e shtetit turk drejtuar Ministrisë që ai drejton.

Abelard Tahiri ka thënë se shqetësimi i tij ka të bëjë me moszbatimin e tërësishëm nga ana e shtetit turk për kërkesat e Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike nga ana e prokurorisë turke, në lidhje me ekstradimin e disa shtetasve kosovarë që veprojnë në Turqi dhe që dyshohet se janë të infiltruar në organizata terroriste.

“Nga zëvendësministri turk mora konfirmimin dhe zotimin që këto kërkesa do të trajtohen me prioritet”, thotë kumtesa e ministrit kosovar të Drejtësisë, pa treguar nëse janë diskutuar edhe kërkesat e tilla të ndërsjella të Turqisë.

Sidoqoftë, autoritetet kosovare nga fundi i vitit të shkuar i ishin përgjigjur me arrestim një kërkese të Turqisë. Policia e Kosovës më 27 tetor 2017 kishte arrestuar në Prizren shtetasin turk Ugur Toksoy, një teolog që Turqia e Erdoganit e konsideron terrorist, vetëm pasi që e ka identifikuar si përkrahës të Fetullah Gulenit.

Toksoy ishte mbajtur 40 ditë në procedurë, derisa më 14 dhjetor 2017 Prokuroria Speciale e Kosovës kishte hequr dorë nga kërkesa që drejtuesi i një institucioni edukativ në Prishtinë t’u dorëzohet autoriteteve turke.

Prokurori Ali Rexhaj gjatë gjithë këtyre ditëve kishte insistuar që t’i nënshtrohet kërkesës së Erdoganit për ekstradimin e Toksoyt, por në përfundimin e afatit ligjorë për ekstradim, ai në Gjykatë pranoi se urdhërarresti i Turqisë ishte i mangët qysh kur e morën autoritetet kosovare.

“Përkundër insistimit tim dhe kohës, të njëjtit (Shteti turk) nuk na kanë dorëzuar prova valide, materiale për ekstradimin e shtetasit Ugur Toksoy (…) në mungesë të provave materiale tani për tani tërheq kërkesën për ekstradim”, i kishte thënë Rexhaj gjykatës.

Atë kohë, në shkresat e Turqisë të bashkangjitura në to edhe urdhër-arresti për turkun Toksoy, që Ministria e Drejtësisë në Kosovë i kishte pranuar më 16 dhe 19 tetor 2017, kërkohet edhe arrestimin i një shtetasi tjetër turk, që dyshohet se ndodhet brenda territorit kosovar.

Sipas shkresave krimi i vetëm që dyshohej se kanë kryer Ugur Toksoy dhe shtetas tjetër i kërkuar për ekstradim, është se janë përkrahës të Fetullah Gylenit, kundërshtarit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe punojnë në institucionet arsimore-kulturore që organizata e Gulenit i ka të përhapura pothuajse në gjithë botën.

Kjo sipas dokumentit i bëntë ata financues të organizatave terroriste, që Erdogani të tillë e konsideron organizatën “FETO”, e themeluar nga Gulen. Madje, edhe FETO është emërtim i Presidentit turk, pasi emri zyrtar i organizatës është “Hizmet”.

Fetullah Gulen, që sot për presidentin turk Recep Tayipp Erdogan është ideolog i një grupimi terrorist, dikur ishte partner i ngushtë i tij në politikë.

Imami Fethullah Gylen udhëheq lëvizjen “Hizmet” nga ekzili i tij në ShBA. Lëvizja e tij është edhe lëvizje politike, edhe korporatë biznesesh e fokusuar shumë në krijimin e institucioneve private të arsimit, përmes të cilave shpërndahen mësimet e këtij kleriku.

Në vitin 2016, pas puçit ushtarak në Ankara e Stamboll, edhe pse para këtij akti të dështuar të ushtrisë për ta rrëzuar islamikun Erdogan nga pushteti, partia AK Party e Erdoganit dhe vetë ai si president kishin filluar një fushatë të egër kundër kësaj lëvizjeje.

Ata e akuzonin “Hizmet” se si lëvizje kishte arritur të krijonte një shtet paralel brenda shtetit turk, me policë, gjykatës e prokurorë që punonin në institucionet e shtetit turk, por për interesat e Fethullah Gylenit.

Lëvizja e Gulenit ka shtrirje edhe në Kosovë, përmes shkollave private që ka krijuar me vite këtu. Sipas disa të dhënave të paraqitura në publik, të paktën 80 persona, shtetas turq që përkrahin Gulenin, strehohen në vendin tonë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne