Erdogan: Indiferenca ndaj egërsisë dhe vuajtjeve zbuloi fytyrën reale të Perëndimit

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i bëri thirrje botës islame të mërkurën që të jetë vigjilente ndaj skenarit të pistë për shkatërrimin e unitetit islam.

Ai mori pjesë dhe mbajti një fjalim në Takimin e 33-të të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar (COMCEC) të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OIC), mbajtur në Qendrën e Kongreseve të Stambollit.

Krahas çështjeve sociale, ekonomike dhe tregtare, Erdogan tha se gjatë këtij takimi do të marrin në shqyrtim gjithashtu situatën, në cilën gjendet bota islame.

“Në vitet e fundit, bota islame po kalon nga një proces me dhimbje të forta, nga një periudhë trazirash e intrigash me kuptimin e plotë të fjalës. Perëndimi po përpiqet të garantojë të ardhmen e tij duke i eksportuar botës islame të gjitha elementet e sëmura, që ka në historinë e tij. Po aplikohet një skenar i pistë për të shkatërruar unitetin, solidaritetin, pasuritë dhe aq më tepër ardhmërinë e botës islame”, u shpreh Erdogan.

Lideri turk theksoi se hordhitë vrastare si grupet terroriste DAESH, Al-Kaida, Boko Haram, PKK/PYD/YPG dhe organizata terroriste gyleniste (FETO), e kanë transformuar të gjithë rajonin në një pellg të madh gjaku.

Erdogan vuri në pah se mefshtësia dhe mungesa e reagimit përballë egërsisë në Siri e Arakan treguan qartë fytyrën e vërtetë të botës perëndimore.

“Indiferenca ndaj egërsisë dhe vuajtjeve, që po vërehen në Siri këto 7 vitet e fundit, sjellja çnjerëzore ndaj refugjatëve në kalimet kufitare dhe mungesa e reagimit ndaj gjenocidit kundër rohingianëve, zbuluan fytyrën e vërtetë të Perëndimit. Në botën perëndimore, vlerat si demokracia, të drejtat e njeriut dhe liritë po zëvendësohen gjithnjë e më shumë nga islamofobia, neonazizmi dhe racizmi”, theksoi kreu i shtetit turk.

“Kush janë përfituesit e vërtetë të porosive prej miliarda dollarësh për armatime, që vendet islame bëjnë në Perëndim? Në interes të kujt është realisht armiqësimi i vëllezërve, që i drejtohen 5 herë në ditë të njëjtës kibleje, përmes dallimeve etnike, sektare dhe ideologjike? Në dobi të cilëve është me të vërtetë copëtimi sërish i vendeve tona me kufij artificialë? Besoj se përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na japin një perspektivë të re, do të bëhen shkas që ne t’u qasemi çështjeve më ndryshe. Kur t’ia arrijmë kësaj, ne jo vetëm që do të prishim lojërat kundër nesh, por njëherësh do të parandalojmë edhe pasurimin e disave nëpërmjet burimeve tona”, shtoi Erdogan.

Tashmë – vijoi ai – është zbuluar me gjithë lakuriqësinë e tij realiteti se kush janë themeluesit, ushqyesit, furnizuesit dhe rritësit e grupeve terroriste.

“Fajësimi i të gjithë myslimanëve nëpërmjet akteve të organizatave terroriste, uzurpimi me këtë pretekst madje dhe i të drejtave të tyre më themelore, nxjerr në pah qëllim e vërtetë”, tha Presidenti Erdogan në fjalën drejtuar të pranishmëve në Takimin e 33-të të COMCEC-it./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne