Erdogan: BE-ja na ka lodhur me sorollatjet në procesin e anëtarësimit

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në Paris, kryeqytetin e Francës, ku ka shkuar për një vizitë njëditore.

Erdoani tha se Bashkimi Evropian (BE) ka ndjekur vazhdimisht një taktikë sorollatjeje në procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE dhe ky proces e ka lodhur seriozisht qeverinë dhe popullin turk.

Nënshkruhet marrëveshja për konsorciumin EUROSAM

Erdoan tha se gjatë vizitës zyrtare në Francë kishin firmosur edhe marrëveshjen për konsorciumin tresh EUROSAM (Francë-Turqi-Itali) për zhvillimin e raketave të mbrojtjes kombëtare.

“Sot këtu (në Paris) nënshkruam një marrëveshje në lidhje me EUROSAM-in dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm. Me këtë ne ndërmorëm një hap për një marrëveshje trepalëshe, ku do të përfshihet edhe një shtet tjetër anëtar i NATO-s, Italia. Tani pas kësaj duhet të fillohet me shpejtësi dhe të kalohet me shpejtësi në realizimin e këtij projekti”, tha Erdoan.

Turqia do ta vazhdojë luftën kundër DAESH

Në lidhje me luftën kundër terrorizmit ne si Turqi do ta vazhdojmë përpjekjen tonë kundër DAESH-it, deklaroi Erdoan dhe shtoi:

“Tani po u drejtohem miqve tanë, në të njëjtën mënyrë edhe PYD/YPG janë degë anësore të organizatës separatiste terroriste PKK. Duhet që të njëjtën përpjekje të bëni në krah me ne edhe kundër këtyre”.

“Fatkeqësisht disa nga miqtë tanë në lidhje me këtë çështje mendojnë se po luftojnë kundër DAESH-it duke marrë pranë tyre ende YPG-në, PYD-në. Ndërkohë që kundër DAESH-it po thuren plane të reja dhe atyre po u përgatisin terrene të ndryshme jetese. Për mendimin tim duhet të jemi vigjilent në këtë çështje; agjencitë tona të shërbimit informativ duhet ta ngrenë në nivele më të larta solidaritetin me njëra-tjetrën, shkëmbimin e informacionit”, u shpreh Erdoan.

Erdoani e paralajmëroi Francën edhe për organizatat terroriste FETO dhe PKK.

“Ndjeshmëria kundër anëtarëve të FETO-s në Francë ka një rëndësi shumë të madhe. Ata si të thuash, institucionalizohen këtu me shoqatat, fondacionet dhe bizneset e tyre. Në të njëjtën mënyrë po institucionalizohet edhe PKK-ja. Pra, kam bindjen se nëse anashkalohet sensibiliteti këtu atëherë vështirësitë e kësaj nesër do të jenë ndryshe”,- tha Erdoan.

Turqia do të bashkëpunojë me Francën për statusin e Jerusalemit.

Erdoani tha se në vijim do të kenë një kontakt më të afërt me Francën për statusin e Jerusalemit.

Zgjidhja në Siri duhet të jetë pa Esadin

Në lidhje me çështjen e Siria, Presidenti Erdoan tha se do të vazhdojnë ti ndihmojnë refugjatët.

“Zgjidhja jonë është pa Esadin dhe për mbajtjen e zgjedhjeve me vullnetin demokratik të popullit të Sirisë”, tha Erdoan.

Në vijim Erdoan tha se i duket e pakuptimtë se si nuk hetohen në botën Perëndimore armët që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë dërguar organizatës terroriste PKK/PYD në Siri.

Macron: Duam të punojmë me Turqinë për një hartë rrugore në Siri

Kurse Presidenti i Francës, Emmanuel Macron nga ana e tij tha se zgjidhja në çështjen palestineze duhet të jetë zgjidhja me dy shtete. Kurse në Siri pas DAESH-it duhet të vendoset paqja dhe stabiliteti, u shpreh Macron, ndërsa shtoi se duan të bashkëpunojnë me Turqinë për një hartë rrugore në Siri.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne